E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja për tregtinë e armëve

Kompanitë e eksportit dhe importit të armëve dhe mallrave të tjerë, do t'u nënshtrohen verifikimeve të imëta

Qeveria i jep kompetenca AKSHE-së për verifikimin dhe "pastërtinë" e blerësve, me qëllim shmangien e keqpërdorimeve


Tregtia e armëve dhe mallrave të tjerë, që mund të përshtaten për përdorim ushtarak, do t'i nënshtrohet një kontrolli më të rreptë.

Një vendim i Këshillit të Ministrave, i miratuar dje, i jep Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksportit, kompetenca më të mëdha në kontrollin, inspektimin dhe licencimin e subjekteve që do të merren me importin, eksportin dhe tranzitimin e mallrave ushtarakë, qoftë armatime, qoftë mallra teknologjikë, të cilët mund të përshtaten edhe për qëllime ushtarake, terroriste, për krijimin e armëve të shkatërrimit në masë, etj.

Vendimi i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, i jep të drejtë AKSHE-së të kryejë ekspertiza dhe kontrolle te të gjithë kompanitë që kryejnë aktivitet tregtar, deri në verifikimin e mbërritjes së mallit në destinacionin e deklaruar. AKSHE-ja ka të drejtë të bëjë verifikim dhe kontrolle para dhe pas licencimit të kompanive për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Ky autoritet do të ketë të drejtën e verifikimeve të imtësishme, për identifikimin me saktësi të mallit apo teknologjisë që do të hyjë, dalë apo kalojë tranzit në territorin e Shqipërisë, përcaktimin e sasisë së mallit që do të eksportohet, importohet apo kalojë tranzit në territorin e Shqipërisë, përcaktimin e origjinës së mallit, etj.

Një nga kompetencat e Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Eksporteve, do të jetë verifikimi, nëse përdorimi final i këtyre mallrave, i deklaruar nga kompanitë tregtuese, është teknikisht i pranueshëm me përfundimin e fundit të deklaruar në dokumentacion. Ky autoritet do të ketë si detyrë dhe kompetencë të konfirmojë, gjithashtu, nëse ekziston përdoruesi final, si dhe do të verifikojë me saktësi veprimtarinë e tij.

Kjo, me qëllim që tregtimi i armëve dhe mallrave të tjerë, të mos bjerë në duar të gabuara.

Gjithashtu do të bëjë "verifikimin, nëse në të kaluarën përdoruesi i fundit ka pasur lidhje me veprimtari të përhapjes së armëve të dëmtimit në masë, apo ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me shtete, të cilat përkrahin përhapjen e armëve të dëmtimit në masë",- thuhet në vendimin e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave.

Ky autoritet do të ketë një afat deri në 60 ditë, për të bërë verifikimet e kërkuara, që nga aplikimi për licencë, certifikatë ndërkombëtare eksporti, certifikatë e përdoruesit të fundit, etj.
Licencimi


AKSHE-ja do të pajisë me dokumente garancie, të tilla si certifikata ndërkombëtare e importit, ajo e përdoruesit të fundit, e shpërndarjes dhe deklaratës doganore, të gjitha kompanitë që janë licencuar për importin dhe eksportin e këtyre mallrave. Sipas vendimit, Autoriteti duhet t'u sigurojë këtyre operatorëve këto certifikata, brenda 7 ose 10 ditëve.


OST, 4 milionë USD hua, për nënstacionin e tunelit të Kalimashit
Qeveria do t'i japë Operatorit të Sistemit të Transmetimit një hua prej rreth katër milionë dollarësh, për të ndërtuar një nënstacion elektrik në tunelin e Kalimashit.

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi një shtesë në buxhetin e vitit 2009 të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila kap një fond prej më shumë se 392 milionë lekësh, që do të shkojë në formën e huasë për OST-në. Ky fond do të shkojë për realizimin e projektit "Ndërtimi i nënstacionit 110/40 KV, me fuqi 2 x 5.6 MVA, Tuneli i Kalimashit dhe e një daljeje linje 110 KV, në nënstacionin ekzistues 110/6 KV, Kalimash".


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›