E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, Rehn: Shqipëria s'duhet të aplikojë para zgjedhjeve


Komisioneri për Zgjerimin flet troç. Kërkesa nuk duhet bërë para zgjedhjeve



TIRANË- Komisioneri Europian për Zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, nuk ka folur më qartë se dje ku në një një takim me gazetarët, në prag të takimit informal të Ministrave të BE-së, është shprehur se Shqipëria duhet të konsiderojë aplikimin për statusin kandidat në BE pas zgjedhjeve parlamentare, pasi ky proces është një test kritik i stabilitetit demokratik të vendit.

"Pra aplikoni kur të jeni me të vërtetë gati dhe mos e bëni vetëm për një veprim politik. Ja pse përshembull për Shqipërinë këshilla ime është: ju lutem mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare pasi ky proces do të jetë një test kritik i stabilitetit tuaj demokratik",- tha Olli Rehn, Komisioneri Evropian për zgjerimin e BE-së.

Pak kohë më parë, ishte Kryetarja e Delegacionit për Evropën Juglindore, Doris Pack, e cila i sugjeronte qeverisë shqiptare, që të mos bënte kërkesën për statusin e vendit kandidat për shkak të zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe zhvillimeve të brendshme të BE-së. Por, përpos thirrjeve të vazhdueshme, që vijnë nga zyrtarët e lartë të BE-së, Kryeministri Sali Berisha nuk ka hequr dorë nga qëndrimi, për të aplikuar së afërmi në cilësinë e statusit të vendit kandidat.

Edhe pse nuk ka përcaktuar një datë fikse, Berisha është shprehur se një gjë e e tillë do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Ndërkohë dje, një tjetër temë e rëndësishme për të cilën foli Komisioneri për Zgjerimin, Rehn ishte edhe ajo e liberalizimit të vizave, ku për ato vende të Ballkanit, që kanë përmbushur kushtet, liberalizimi mund të arrihet edhe në fund të vitit 2009.

"Mbi bazën e misioneve të ekspertëve, ne do të përgatisim raportet tani shpejt gjatë pranverës. Mbi bazën e këtyre raporteve, Këshilli mund të diskutojë, dhe unë shpresoj dhe të marrë vendime mbi liberalizimin e vizave për vendet më të përparuara përsa i përket detyrimeve mbi çështjet e sigurisë siç janë pasaportat biometrike dhe sistemi i kontrollit të integruar i kufinjve", vijoi Rehn.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›