E Diel, 1 Nëntor 2026

Në çdo 10 shqiptarë, 1 është me veshka

Dita ndërkombëtare kundër sëmundjes së veshkave, të rrezikuar pacientët diabetikë, obezë, nga uji i papastër

Pakkush e di dhe mund ta besojë, por është e vërtetë. Statistikat e konfirmojnë, studimet si dhe shërbimi më i mirë i nefrologjisë në vend. Në dhjetë shqiptarë njëri vuan nga veshkat. Këtu bëhet fjalë për shqetësime minimale, për të sëmurë në stade të avancuara, por edhe pacientë kronikë, të cilët trajtohen me ilaçe e medikamente. Uji i papastër, cilësia e tij, janë një nga shkaktarët e problemeve në veshka. Po ashtu të gjithë ata që janë mbipeshë, obezë, e sforcojnë veshkën duke sjellë kështu edhe probleme. Por pacientë të tjerë të cilët janë të predispozuar për të vuajtur nga veshkat janë edhe të sëmurët me diabet.

Sot, më 11 mars është dita ndërkombëtare kundër sëmundjes së veshkave. Incidenca e sëmundjes është në rritje vit pas viti jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Në këtë ditë, shërbimi i nefrologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, raporton studimet e kryera, si dhe statistikat apo gjendjen e të sëmurëve me veshka në vendin tonë. “Një në 10 shqiptarë është i sëmurë nga veshkat. Shkaku kryesor është mungesa e diagnostikimit të hershëm. Por veç kësaj edhe neglizhenca e një sërë sëmundjesh, të cilat dëmtojnë veshkat”, thuhet në studim.
Në vendin tonë çdo vit zbulohen rreth 350 raste të reja të personave që kanë nevojë për dializë, apo janë në një stad më të hershme të sëmundjes. Ndërkohë që janë rreth 300 persona që humbasin jetën si pasojë e përkeqësimit të funksionit të veshkës.

Sipas të dhënave në rreth 80 për qind të rasteve pacientët paraqiten atëherë kur janë në gjendje të rëndë. Krahas mungesës së sensibilizimit të qytetarëve për të kryer periodikisht analizat, problemi më i madh për të sëmurët mbetet trajtimi. Pas moshës 20 vjeç këshillohet që gjithsecili prej nesh të kryejë analiza për nivelin e albuminës për të kontrolluar veten dhe për të evituar avancimin e sëmundjes. Ndërsa gratë shtatzëna duhet ta kryejnë këtë analizë të paktën një herë në 3 muaj. Ndërkohë, faktorët kryesorë të riskut mbeten infeksionet e veshkave që nuk kurohen në mënyrën e përshtatshme, por edhe ndikimi që kanë në shfaqjen e këtyre problemeve sëmundje të tilla, si diabeti e hipertensioni. Këto sëmundje çojnë në dëmtimin e rëndë të filtrueseve të gjakut. Sidomos, diabeti i tipit 2 me kalimin e kohës shkakton dëmtimin e veshkës, ndërsa problemet me hipertensionin sjellin zvogëlimin e veshkës, duke çuar deri në insuficensë renale kronike. “Një tjetër faktor që ndikon është edhe mbipesha, e cila e sforcon punën e veshkave, por nuk mund të lihet pa përmendur edhe cilësia e ujit që konsumojnë qytetarët, që duhet të jetë brenda parametrave të lejueshëm”, thuhet në studimin e shërbimit të nefrologjisë.

Sakaq, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i personave që do të përfitojnë nga dializa do të shkojë në 800, nga 500 që trajtohen aktualisht. Ndërkohë që në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Koordinim kanë përfunduar modalitetet për ngritjen pranë Shërbimit të Pediatrisë, të një qendre dialize, për fëmijët.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›