E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për ndërtimet pa leje, MPPTT-ja injoron Kuvendin

Anulimi

Deputetët anëtarë të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese kanë pritur dje për rreth 40 minuta përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, për të diskutuar nen për nen projektligjin “Për planifikimin e territorit”. I gjithë mundi shkoi kot, pasi zyrtari i ministrisë jo vetëm që nuk erdhi, por as nuk i përgjigjej telefonit të kryetarit të komisionit, Jemin Gjana. Gjatë pritjes, Gjana më herët kishte filluar të fliste për ligjin e sapomiratuar të gjuetisë, e më pas tokat bujqësore. Në këto kushte, kryetari i komisionit urdhëroi nisjen e mbledhjes, për të dëgjuar relatorët e projektligjit, të cilët ishin deputetët Ardian Turku dhe Ardian Kollozi. Sipas tyre, thelbi i projektligjit është krijimi i një strukture të re, në varësi të Kryeministrit, e cila do të ndërhyjë në rastet e konstatimit të shkeljes së ligjit urbanistik apo të pamundësisë së njësisë vendore për të prishur një ndërtim pa leje. Struktura e re quhet Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) dhe është autoriteti përgjegjës, që ka kompetencë ekskluzive në shqyrtimin përfundimtar të planeve zhvillimore (rregulluese/të planifikimit) të bashkive të kategorisë së parë, në territorin e vendit dhe miratimin e tyre. Pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i Elbasanit, Ardian Turku, me rastin e Ditës së Verës, shpërndau për kolegët ballokume, të cilët nisën t’i hanin ende pa dalë nga komisioni. Sa i takon projektligjit, u la që të miratohej në mbledhjen e tjetër, ku duhet me patjetër të jetë i pranishëm përfaqësuesi i MPPTT-së.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›