Në cilat vende kërkojnë azil kosovarët, sipas UNHCR-së?

Sipas organizatës për refugjatë të Kombeve të Bashkuara kërkesat për azil nga Kosova drejt vendeve evropiane kanë rënë viteve të fundit. Këto të dhëna nuk përfshijnë vitin 2013 që mendohet se ka shënuar rritje të dukshme.
Numri i azilkërkuesve nga Serbia dhe Kosova kishte rënë më 2011, por ai ka shënuar ngritje vitin e kaluar me 24,300 kërkesa, një rritje prej 14 për qind. Rreth katër të pestat e vendeve që i japin raporte mujore Komisionerit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara ose UNHCR-së mbi statistikat e azilkërkuesve, në të dhënat e tyre i
veçojnë azilkërkuesit nga Kosova, transmeton RTK-ja.
Proporcioni i azilkërkuesve nga Kosova që kërkuan strehim në disa nga vendet evropiane në fakt ka shënuar rënie gjatë katër vjetëve të fundit. Në vitin 2009, 74% e kërkesave që regjistroheshin nga Serbia/Kosova ishin në fakt nga Kosova; në vitin 2010 kjo shifër e kosovarëve kishte rënë në 45%; në vitin 2011 në 41% dhe në vitin 2012 në 35 për qind.
Gjermania vazhdon të jetë një destinacion i preferuar me 10,400 kërkesa nga Serbia/Kosova gjatë vitit 2012, një rritje prej 74 për qind, por shumica e tyre nga Serbia. Në Belgjikë ka pasur një rënie dramatike të kërkesave nga 3,100 më 2011 në rreth 1,000 një vit më vonë. Njejtë ka qenë edhe në Luksemburg me kërkesa të përgjysmuara, nga 1,100 më 2011 dhe 590 më 2012. Në Francë ka pasur 3,900 kërkesa, në Suedi 3,600 dhe në Zvicër 2,100.
Vendet që regjistrojnë si të veçuara kërkesat e azilit nga Kosova raportojnë se numri më i madh i kosovarëve ka kërkuar azil në Francë, 81%, në Austri, 52%, në Belgjikë 51%. Ka qenë numër më i vogël i kosovarëve që kanë kërkuar strehim në Gjermani, 18%, në Danimarkë 19%, në Zvicër 24% dhe në Suedi 26 për qind, thuhet në raportin mbi kërkesat për azil të Komisionerit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara në New York. /Indeksonline/