E Diel, 1 Nëntor 2026

“Aksioni i dështuar” solli kompromisin politik

Qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e përkujtuan dje Enver Zymberin, policin kosovar të vrarë në veriun e Kosovës në një aksion që për opozitën parlamentare, shoqërinë civile dhe ekspertët ushtarakë, është konsideruar i pakuptimtë dhe i palogjikshëm, shkruan gazeta Zëri.

Zymberi u vra nga ekstremistët serbë, të cilët të armatosur dhe të organizuar ndaluan kontingjentin e policisë kosovare e cila ishte nisur me idenë për të venë rend dhe ligj në veriun e rebeluar nga grupet kriminale të organizuara nga Beogradi.

Dy vjet pas, në retrospektivë, qeveritarët e vendit vazhdojnë të insistojnë se aksioni i 25 korrikut ishte pikënisje për “marrjen” e veriut, ndërsa të tjerë konsiderojnë se aksioni i koordinuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka qenë gabim.

Madje për shumëkënd ky aksion e ka krijuar infrastrukturën për fillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, të cilat edhe i amnistuan ata qytetarë që sfiduan kontingjentin e njësive ROSU në veri.

Pikërisht në dyvjetorin e vrasjes së policit Zyberi, kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq gjatë bisedimeve në Bruksel, janë dakorduar për integrimin e disa qytetarëve serbë brenda policisë së Kosovës, në strukturën ku ka vepruar edhe polici i përkujtuar dje. Madje policët serbë nuk do të betohen për mbrojtjen e Kosovës, nuk do ta respektojnë shtetin ku veprojnë dhe nuk i përmbahen zinxhirit komandues.

Aksioni që e dëmtoi shtetin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni thotë se në momentin kur është kumtuar se Qeveria e Kosovës me forcë nuk mund ta marrë veriun, është detyruar që t’i hyjë procesit të bisedimeve.

“25 korriku nuk ka prodhuar ndonjë efekt pozitiv që vetëm me forcën tonë vetanake ne mund ta menaxhojmë situatën e krijuar në veri të Kosovës. Për këtë çështje mendojë se është hequr dorë nga përdorimi i Policisë së Kosovës, për shkak të mungesës së kapaciteteve të saja të plota që të operojë në çështje më komplekse. Edhe mendojë se marrëveshja që po bëhet tani është derivat pas një analize të mirë për shkak të mangësive tona që i kemi sidomos në fushën e sigurisë”, thotë Çuni.

Shumë më i ashpër është deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, sipas të cilit, Kosova aktualisht gjendet në situatë shumë më të rëndë se që ishte para dy viteve, veçanërisht në fushën e sigurisë.

“Pas aksionit të 25 korrikut pasuan bisedimet, marrëveshjet, pasuan barrikadat, falja ose amnistia për krimet e bëra nga serbët dhe pas kësaj qëllimi i 25 korrikut paska qenë i keq për shkak se gjendjen e kemi të keqe atje. Aksioni i 25 korrikut është pjesë e një skenari të keq për Kosovën”, është shprehur ai.

Ndërkaq, ndryshe nga Çuni e Selimi, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimi, thotë se 25 korriku i vitit 2012 ka shënuar një kthesë në politikën e vendit për shtrirjen sovranitetit në të gjithë Kosovën.

“Pas datës 25 korriku përfundimisht është vendosur mbrojtja e fuqishme e integritetit tonë territorial nga sektori i sigurisë ndërkombëtare paqësore por edhe sektori i sigurisë vendore”, është shprehur ai. /Zëri/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›