E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ne dhe Lenini” - komedia e sharmit të veçantë

Në shtëpinë e pleqve, diku në një qytet shqiptar, jeton një grup burrash e grash, të moshës së tretë: të braktisur nga fëmijët e tyre a nga fati, të lënë në mëshirën e entit social, ku çdo gjë u jepet me pikatore, përkujdesja, komoditeti dhe dashuria që është e pakët. Të gjithë ata i kanë dhënë jetës e shoqërisë aq sa patën mundësi, ndërsa morën atë që jorrallë nuk e dëshiruan. Dhe prapë janë plot elan e presin... Presin disa, ata më të fortit, sepse të tjerët sikur janë dorëzuar, sikur vegjetojnë sot për nesër. Çka mund të presin tjetër? Ata nuk presin asgjë, sepse të gjitha i kanë realizuar, ose kanë dështuar në të gjitha gjërat, por presin që t’i ngrysin ditët në paqe e qetësi. Profesionet e këtyre pleqve janë  nga më të ndryshmet: kuadro partie, aktorë teatri, njerëz të profesioneve të zakonshme, burra të heshtur, hijerëndë, ndonjë është çapkën që e bën më dinamike e më të ngrohtë jetën në shtëpinë e të moshuarve. Të tjerët janë grindavecë e zemërngushtë, por në thelb të gjithë janë solidarë dhe më së miri e kuptojnë njëri-tjetrin.
Ky është syzheu i shkurtër i filmit më të ri artistik “Ne dhe Lenini” të Saimir Kumbaros, njërit ndër regjisorët më të mëdhenj dhe më të popullarizuar të kinematografisë shqiptare. Një temë e vogël, në dukje të parë e lehtë për t’u realizuar dhe cytëse për të qeshur- komedi tipike që të nxit në lot e gaz. Mirëpo, kjo është vetëm shtresa e parë e filmit që të jep përshtypjen e burleskës, sepse ai ka pretendime më të mëdha, të bën kërshërimtar që pastaj të futesh në planin e dytë, në dramën e këtyre fatkeqve, të cilëve sikur pak u rëndon mosha, kanë dramat e tyre, të vogla e të mëdha, por të mjaftueshme për të bërë një komedi, me nuanca të holla të humorit të zi, ku ka dramë të fortë, përqeshje të veseve njerëzore, tallje me administratën e korruptuar, thumba në adresë të shoqërisë që ka harruar se të ndryshosh sistemin, d.m.th. të bëhesh më human, më i njerëzishëm dhe më i ngrohtë më të afërmin tuaj.
Këtë boshllëk të “tranzicionit” e plotëson shoqëria e çrregulluar e në ethet e kalimeve të panjohura, ku ka dridhje të mëdha, ndërsa në këto ethe nuk i le të qetë, nuk i le as të ngrysin ditët në paqe e qetësi, ata që tash nuk mund të bëjnë as keq dhe as mirë. Një paqe tokësore, para asaj qiellore e kanë merituar personazhet e filmit “Ne dhe Lenini”, këtë paqe e mirakëndje e ka merituar edhe shoku Zenel, që dikur ishte grushti i hekurt i partisë, edhe Beti, viktimë e sistemit që u degdis në harrim dhe e të tjerëve që e kujtojnë me nostalgji apo me urrejtje një kohë të shkuar. 
Në filmin e Kumbaros “Ne dhe Lenini” individët që synojnë të kapin majat e pushtetit janë të paskrupullt, duan që t’ua marrin shtëpinë e pleqve dhe të ndërtojnë një rrokaqiell ashtu sikurse kanë bërë edhe në mjedise të tjera, ndërsa fatkeqtë t’i lënë me gishta në gojë. Pushtetarët tregohen indiferentë, cinikë, ndaj kësaj situate, paçka se e dinë që prona të cilën përpiqet ta uzurpojë një pretendent i pushtetit nuk është e tij, por e dikujt tjetër. Të tjerë zyrtarë janë të korruptuar dhe kanë zhdukur tapitë apo pjesët e materialit që dëshmon se pleqtë mund të rrinë aty pa u brengosur. Mbi këtë kornizë e vë veprimin e tij Kumbaro, për të shpaluar pastaj botën e brendshme të kësaj galerie interesante dhe simpatike të personazheve. Ata janë aq të këndshëm, aq të natyrshëm e jetësorë sa shikuesi nuk ka distancë ndaj tyre, përkundrazi krijon një simpati ndaj të gjithëve, sepse ata janë galeria e vetjeve që mund t’i ndeshesh edhe në jetë, e që janë vizuelizuar mirë në ekranin e kinemasë.      
Një botë po shembet, na e thotë Kumbaro në mënyrë dramatike, për ta zbutur pastaj këtë dramë me një sharmë të veçantë, madje në formë të komedisë dramatike. Por çfarë bote po ndërtohet mbi rrënojat e së vjetrës? Stalinizmit më të egër në Evropë, në mënyrë të pahetueshme po ia zë vendin një botë e mashtrimit të egër. Në  vend të zbutjes së njerëzve dhe të mbizotërimit të humanizmit, sepse ata dhe aty kanë nevojë për qetësi e njerzillëk, po mbizotëron një frymë e zhvatjes dhe e mashtrimit. Këto probleme ai i nxjerr në sipërfaqe për të krijuar dramën e personazheve të tjerë me problemet e tyre, që në dukje të parë janë të mjedisi të mbyllur, por që në fakt janë probleme që i takojnë gjithë shoqërisë: brezat po ndërrohen, por si po sillemi ne ndaj pararendësve tanë?  Filmi si zhanër i takon komedisë, mirëpo ka edhe momente dramatike që e kapërcejnë zhanrin dhe kalojnë në dramë shoqërore, mirëpo në mënyrë të tillë që nuk hetohen.
Askush nuk do ta marrë seriozisht enverizmim e Shokut Zenel, në interpretim të mirë të Robert Ndrenikës, ai duket herë-herë tragjikomik. Ai është sharmant, sepse është anakronik, ai është fatkeq, sepse në instancë të fundit është pjellë e një kohe fatkeqe: sistemi e ka çoroditur, ndërsa ai ka vepruar sipas frymës së kohës. Edhe “burgaxhinjve”, sikurse i quan të burgosurit njeri nga vetjet e filmit, ata që e shkuan jetën në kampet e përqendrimit komunist, do t’ua qajmë hallin edhe ndonjë ditë, por askush nuk ua zbuti fatkeqësinë që e pësuan. Ata më mirë e ndiejnë veten në botën e tyre-shtëpinë e pleqve, sepse jashtë patën vetëm acarime e fyerje. Vëmendje të veçantë regjisori i kushton dramës së Betit, dje dhe sot. Pastaj për ta zbutur tërë këtë zymtësi ai e krijon personazhin e fuqishëm të Mirush Kabashit që është i kundërt me të gjithë të tjerët, por që e bën atmosferën më të këndshme, sepse ndryshe ka rrezik të të mbysë zymtësia e filmit. Pastaj katalizator i të gjithë këtyre është figura “episodike” e Lazër Filipit që vijëzon një personazh komik me nuanca të një nostalgjie që të duket disi e jashtëkohshme, por e kuptueshme njëkohësisht. Një figurë e veçantë është personazhi i realizuar i Elvira Diamantit që e shkallëzon dramaticitetin e filmit.
Dhe të gjitha këto gjëra tragjike e komike njëkohësisht Kumbaro i thotë gjatë gjithë kohës përmes personazheve të veta, të moshës së tretë. Mirëpo ai e thotë në mënyrë të veçantë, pa mllef, pa pezëm dhe pa fjalë të mëdha, me një gjuhë filmi, me dialogë të ngjeshur, me detaje që e japin karakterin e personazhit apo që e plotësojnë atë, sikurse që e japin edhe atmosferën dhe kohën e caktuar. Ashtu sikurse te Felini që një kuadër të jep shoqërinë që merr teposhtën, te Kumbaro  është pankarta e madhe (bilbordi gjigant) ai që të jep atmosferën e kohës, kandidati për kryetar bashkie, i cili ndërron fytyrë me vithet e një femre të reklamave agresive të amazonave të sotme që i kemi aq të pranishme të spotet muzikore, reklamat televizive etj. Humori i Kumbaros ta heq dhembjen e kokës, por ndonjëherë të bën që të të dhëmb në shpirt, sepse e ndien se ajo është thënë në mënyrë të tillë që të prekë në emocione, por njëkohësisht të godet edhe në intelekt.
Filmi “është ndër veprat më të realizuara kinematografike që është bërë viteve të fundit nga kinematografia shqiptare. Është në traditën e mirë të komedisë franceze e sidomos ka mësuar shumë nga komedia italiane, neorealizmi italian dhe humori i shëndoshë shqiptar, i cili gjithherë e ka edhe nënshtresën e dytë, kur ta thotë një batutë a një barsoletë.
Me humor të lehtë, herë-herë fshikullues, ku ka edhe humor të zi, me dialogë të matur, të cilët nuk e ngarkojnë kuadrin, me interpretim  të mirë të kësaj galerie të aktorëve të vjetër me përvojë, por që kanë arritur t’i shmangen interpretimit patetik, filmi është i këndshëm për të gjithë brezat: për ata që e kanë përjetuar Leninin, por edhe për ata që nuk e kanë idenë se kush është Lenini dhe koha e tij e egër.
Nëpërmjet këtij rrëfimi në një shtëpi pleqsh, regjisori me përvojë e inventiv Saimir Kumbaroi bën edhe një kronikë të kohës së sotme, ku përballen me “egërsi” e vjetra dhe e reja. E vjetra është në të perënduar, mirëpo me vështirësi ia lëshon vendin të resë, sidomos është ideologjia ajo që e ngulfat të renë, por njëkohësisht edhe ka bartur shumë gjëra negative e cinike në pushtetin e ri, ashtu sikurse në këtë ndeshje e reja ku del në pah korrupsioni, mashtrimi, prostitucioni, e sidomos keqpërdormi i pushtetit të dekurajojnë dhe të bëjnë që të mos e dëshirosh këtë frymë “të re” dhe ta kujtosh me nostalgji të kaluarën, mirëpo as Kumbaros dhe as skenaristit nuk i shkon ndërmend që atë të kaluar ta vajtojnë, përkundrazi, ata që e vajtojnë dalin komikë e të jashtëkohshëm.   
Regjisori i shmangët paraqitjes patetike, sikurse që i ikën edhe paraqitjes bardhë-zi apo me atë urrejtje. Ai herë-herë i mëshiron ata personazhe të cilët në një mënyrë apo tjetër ishin fatkeq në atë kohë, paçka se mund të qëllonin mbase edhe diku afër kreut të piramidës, mirëpo ishin frikacakë dhe nuk e sfidonin dot ndonjë situatë të papritur, madje e ndrydhnin edhe dashurinë.
Ata që duan ta bëjnë kronikën e një kohe, nëpërmjet komedisë dhe dramës së Saimir Kumbaros, mund të kenë material të bollshëm e ilustrues, artistikisht i arrirë dhe vizuelisht i pranueshëm.
Filmi fillon me Leninin - plakun Sozi që i rrëfen kërriçit për kohën, vendin dhe atmosferën, që në fakt është hyrja e gjetur dhe e veçantë e Kumbaros, për të na e dhënë informacionin e nevojshëm  dhe po ashtu përfundon prapë me rrëfimin e Plakut-Lenin që ia tregon fundin e dramës së Shtëpisë së Pleqve dhe të banorëve të kësaj shtëpie, që përfundojnë apo degdisen nëpër vende e mjedise të ndryshme. Kjo është prapë shpleksja e dramës që i jepet si informacion vizual shikuesve, ndërsa në fakt Plaku, në interpretim të lehtë, të paimponueshëm e të natyrshëm të Lazër Filipit, jep përfundimin e zymtë të komedisë që më nuk është e tillë, është një dramë e zymtë për njerëzit dhe kohën. Dhe njerëzit janë ata që i ndeshin kudo, ndërsa koha është fatkeqësisht kjo jona, aspak inkurajuese, aspak e gëzueshme dhe plot drama të vogla njerëzore, sociale, të cilat nuk i hetojmë, na kalojnë pranë, sepse jemi tepër të ngarkuar me dramat e mëdha, që më nuk janë, por që ne duam t’i shpikim, sepse duam të ikim nga koha jonë.
Kumbaro me mprehtësinë e tij karakteristike, me gjeturinë e njohur dhe me dialogët që janë aq të kondensuar na e jep një dramë të këtillë që më parë se komedi e pa obligime është një dramë që të cyt për përsiatje pas filmit dhe të vë në mendime.

Autori është producent dhe drejtor i Kosovafilmit

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›