E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ditëlindjen e Montanellit

Dita Ndërkombëtare e librit në Tiranë i kushtohet gazetarit shkrimtar, autorit të "Shqipëria një dhe njëmijë", Indro Montanelli


Kanë kaluar 70 vjet qysh kur "Albania una e mille" e Indro Montanelli-t, u botua në Torino, (Paravia, 1939).


Në Shqipëri, për arsyet që dihen tashmë (izolimi total i kufijve gjeografikë e deri tek tredhja e lirisë shpirtërore e mendore të individit) kjo vepër u botua vonë, në vitet dymijë.

45 vite diktaturë e zhveshën vlerën reale të kohës, bëri që Shqipëria të vonohet në nisjet (startet) e reja që vendet e Evropës patën qoftë pas Luftës së Dytë Botërore, qoftë pas rënies së Murit të Berlinit. E pra, edhe për këtë arsye, shumë përshkrime të udhëtimeve të Montanelli-t në Shqipëri deri më 1942 i gjejmë aktuale.


Në kapitullin "Teposhtje dhe Rilindje" (në variantin e përkthimit të Aurel Plasarit) duke u ndalur dhe tek i quajturi regjim fisnor dhe patriarkor i Shqipërisë së Veriut, dhe tek ndikimi që pati mbi të Tirana kryeqytet, me fjalë të tjera, tek raporti mes të resë dhe traditës, Montaneli shkruan:

"Një i huaj i çinteresuar, që ta dojë shumë Shqipërinë, siç mund të jetë një italian, edhe që beson vendosmërisht tek Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj, politikisht nuk mund të jetë veçse me të rinjtë. Por për nga ndjenjat nuk mund të jetë veçse me pleqtë...".


Janë mesazhet e gjuhës dhe stilit së Montanellit, i cili si në dhjetëra paragrafë të tjerë si i mësipërmi tek "Shqipëria një dhe njëmijë" të imponon filozofinë: ndje si të vjetrit. Paçka se ai të hedh në atë anë që ndriçohet nga një pesimizëm i përligjur, si kronikan historian, Montanelli çmon traditën, të shkuarën e vendeve, popujve e qytetërimeve.


Pasi konsolidoi në 20 vjet ('50-70) në të përditshmen italiane Corriere della Sera rubrikat "Montanelli mendon kështu" që më pas shndërrohet në "Dhoma e Montanellit", rubrikat më të lexuara në vend, nisi të shkruajë "Historinë e Romës" (1957), "Historinë e Greqisë". Bëhet autori historian më i shitur në Itali.


Megjithatë në shqipe kemi tre variante përkthimi të "Shqipëria një dhe një mijë" dhe vetëm një libër të tijin historik "Historia e Romës".

Të rinjve që aspirojnë gazetarinë kaq i japim nga modeli i gazetarit rebel, të pakorruptueshëm, largpamës, kurajoz, i cilësuar kokëfortësisht i pavarur, polemizues, i patrembur. Të rinjtë e gazetarisë i mbysim me teori të shpikura që botojnë fondacione sipas politikës që sugjerojnë liderë të instituteve fantazmë të medias. Po se mos është injoruar vetëm Montanelli!


Me surpriza për udhëtimet e Indro Montanellit në Shqipëri për raportet e tij, vërtetësitë apo qoftë edhe pasaktësitë që gjen tek ky kronikan, takohemi më 23 prill në Ditën Ndërkombëtare të Librit në Bibliotekën Kombëtare. Nën kujdesin e drejtorit të saj, Aurel Plasari, kjo ditë i kushtohet kronikanit brilant të shekullit të njëzetë, Montanellit në 100-vjetorin e lindjes (22 prill 1909-22 korrik 2001).


Mësohet se kanë për t'u ekspozuar materiale arkivore të cilat i paraqiten publikut për herë të parë.


Në këtë ditë jepet Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo", çmim i cili akordohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Juria e çmimit
e përbërë nga drejtori i BK Aurel Plasari, nga Uran Butka, kryetar i shoqatës "Lumo Skëndo" etj. vlerëson atë ditë botimin më të mirë në gjuhën shqipe, botim që ka një paraqitje me vlera estetike, letër dhe libërlidhje cilësore, sigurisht që botimi çmohet edhe për vlerat intelektuale.


"Lumo Skëndo" çmim që mban emrin e mendimtarit dhe bibliofilit Mithat Frashëri,
u themelua në tetor 2006 nga ish- ministri i Kulturës, Bujar Leskaj.
Ky çmim dhe datëlindja e Indro Montanellit duket se do të jenë të vetmet ngjarje zyrtare dhe jozyrtare që organizohet për librin në Shqipëri më 23 prill

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›