Spitalet psikiatrike pa personel dhe siguri
Dobjani
Kërkohet rritja e masave të sigurisë pas rastit të rëndë të dhjetorit kur të sëmurët vranë një tjetër
TIRANË - Avokati i Popullit i kërkon Kryeministrit Sali Berisha dhe ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, që të ndërhyhet në spitalet psikiatrike në vend për sigurinë e jetës së pacientëve dhe stafit mjekësor.
Duke marrë shkak dhe nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda spitaleve psikiatrike ku janë shënuar dhe viktima mes të sëmurëve, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, rekomandon që ne spitalet psikiatrike të instalohet një sistem mbikëqyrjeje me kamera të ambienteve të spitaleve, si dhe të dhomave monitoruese, që të sinjalizohen në kohë ngjarjet e dhunshme që mund të ndodhin në ambientet e spitaleve.
Gjithashtu Dobjani kërkon që të shtohet dhe personeli mjekësor që shërben në spitalet psikiatrike për të mos vënë në rrezik jetën e këtij personeli nga vetë të sëmurët mendorë, për faktin se ky numër sot është i pamjaftueshëm.
Sipas Avokatit të Popullit nga inspektimet e kryera në spitalet që kujdesen për të sëmurët mendorë, rezulton se pavionët e këtyre spitaleve sidomos Spitali Psikiatrik në Elbasan, mbajnë një numër nga 40- 60 pacientë dhe mbikëqyren vetëm nga një kujdestar dhe një infermier.
Për ekspertët e Avokatit të Popullit, ky raport është i pamjaftueshëm edhe në spitalet e tjera të shërbimit psikiatrik dhe nuk jep garanci për ndërhyrje në kohë për ngjarje të dhunshme që mund të kërcënojnë jetën e të sëmurëve nga të sëmuret e tjerë apo dhe të vetë stafit mjekësor.
Gjithashtu edhe në raste të mëparshme të denoncuara nga drejtues të këtyre spitaleve është vënë re se ndërhyrja e kujdestarëve gjatë sulmeve të të sëmurëve ka qenë tepër i kufizuar për shkak të numrit të vogël të stafit mjekësor.
Me atributet e Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës, Avokati i Popullit kërkon dhe ngritjen e një personeli sigurie brenda spitaleve dhe pavionëve psikiatrike, i cili të mbikëqyrë sigurinë në ambientet spitalore, si dhe të ndihmojë për parandalimin në kohe të ngjarjeve të dhunshme.
Mbikëqyrjen e sigurisë në spitalet psikiatrike sot e kryen shërbimi i kujdestarisë, ku sipas ekspertëve të Avokatit të Popullit është i paefektshëm për të parandaluar rastet e dhunës midis të sëmurëve.
Ekspertët e Avokatit të Popullit kërkojnë gjithashtu dhe amendimin e Rregullores së Shërbimeve të Shëndetit Mendor e cila është hartuar në prill të vitit 2007, për të përcaktuar kompetencat dhe detyrat e personelit të sigurisë si dhe mënyrën e funksionimit të tij brenda shërbimeve spitalore.
-------------------------------------------------------------------------------------------
Në bashkëpunim me Françesk Ndrecën, grabiti 2 milionë lekë në një dyqan
Arrestohet grabitësi i dyqaneve
TIRANE- Arrestohet nga blutë e kryeqytetit bashkëpunëtori i Françesk Ndrecës me akuzën e grabitjes me dhunë, i ndaluar një javë më parë.
Syrja Mehmetaj, 36 vjeç, banues në Shkodër është arrestuar dy ditë më parë nga policia e kryeqytetit, pasi dyshohet se në bashkëpunim me 38-vjeçarin Françesko Ndreca, kanë vjedhur me dhunë një dyqan ushqimor më datë 25 shkurt të këtij viti në rrugën "Aleksandër Moisiu". Sipas burimeve të policisë, autorët kanë grabitur me dhunë në dyqan një sasi prej rreth 2 milionë lekë të vjetra.
Në momentin e grabitjes, sipas burimeve të policisë, në dyqan ka qenë gruaja e pronarit e cila ka mbetur e shtangur nga mbërritja e dy personave të cilët në mënyrë të rrufeshme kanë kërcënuar gruan dhe kanë arritur t'i marrin paratë. Gruaja ka shtangur në vend, ndërsa për një moment nuk ka ditur çfarë të bënte apo të lajmëronte policinë.
Pas denoncimit të të dëmtuarës, policia nisi hetimet ndërsa arriti të identifikonte dhe të arrestonte një nga autorët e ngjarjes. Ndreca, sipas policisë, u identifikua nga të dëmtuarit, ndërsa më tej blutë identifikuan edhe bashkëpunëtorin tjetër, Syrja Mehmetajn.
Ndërkohë që hetimet e mëtejshme zbuluan dhe bashkëpunëtorin e Ndrecës i cili ishte Syri Mehmetaj, i dënuar më parë për vjedhje. Policia mundi të lokalizonte vendndodhjen e 35-vjeçarit duke kryer dhe arrestimin e tij dy ditë më parë. Mehmetaj akuzohet për veprën penale të "vjedhjes" në bashkëpunim.