E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunon 15-vjeçaren, pretendon se ishte i dehur

DHUNA SEKSUALE/ Policia e Gjirokastrës vuri në pranga 25-vjeçarin Diftir Habipi, fqinj i së miturës-viktimë

Prindërit e vajzës e kanë shoqëruar këtë të fundit në komisariat për të bërë denoncimin për të riun

GJIROKASTËR- Pranon të shoqërohet prej fqinjit, por përfundon e përdhunuar prej tij. Një e mitur nga qyteti i Gjirokastrës denoncon ngjarjen në polici, ndërsa përdhunuesi vendoset në pranga. Gjithçka është kryer me anë të forcës në një automjet, në njërën prej zonave periferike të qytetit, ndërsa denoncimi u krye pasditen e së mërkurës.


Denoncimi


15-vjeçarja është paraqitur pasditen e së mërkurës në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, e shoqëruar nga prindërit. Para specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, e mitura ka deklaruar se një fqinji i saj kishte kryer me të me anë të forcës marrëdhënie seksuale.

Edhe babai dhe nëna e vajzës kanë dhënë deponimin e vet, për dijeninë që kishin rreth ngjarjes së ndodhur. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit penal për këtë ngjarje, uniformat blu kanë shoqëruar edhe personin, i cili akuzohej të kishte kryer përdhunimin, i cili nga ana e vet ka deklaruar se ka qenë në gjendje të dehur, dhe jo shumë i vetëdijshëm për mënyrën sesi kishin rrjedhur ngjarjet.

Më tej, është kryer edhe ekzaminimi fizik i 15-vjeçares dhe pas këtij veprimi është bërë edhe arrestimi në flagrancë i 25-vjeçarit Diftir Habipi, lindur dhe banues në lagjen "Pllakë" të qytetit të Gjirokastrës, i cili akuzohet për veprën penale të "marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura".


Përdhunimi


Prej disa ditësh, 15-vjeçarja B. H punonte si kamariere në njërin prej lokaleve të qytetit. Mbrëmjen e së martës, në lokal ka shkuar edhe i arrestuari së bashku me një shokun e vet.

Pasi kanë qëndruar për pak kohë, rreth orës 22:00 i kanë propozuar të miturës ta shoqëronin për në shtëpi dhe ky propozim është pranuar prej 15-vjeçares. "Jetojmë pranë dhe i njihja, prandaj pranova të shkoja në makinë me ta", -mësohet të ketë deklaruar B.H, para uniformave blu.

Pasi kanë hipur në një automjet, tip "volksvagen" që 25-vjeçari e kishte marrë hua, shoferi nuk ka marrë drejtimin e banesës, por një tjetër, me pretendimin se do të blinin një paketë cigare.

Duket se ky justifikim e ka bindur fillimisht minorenen, e cila është shqetësuar edhe më tej, kur pas blerjes së paketës në njërin prej lokaleve, makina ka marrë sërish një drejtim krejt të ndryshëm..

Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme, automjeti është drejtuar në njërën prej zonave periferike, në afërsi të pikës turistike të Këcullës, ku është kryer edhe më tej akti. Pasi e ka përdhunuar, e mitura është mbajtur për orë të tëra në automjet dhe vetëm rreth orës 04:30 të mëngjesit të së mërkurës është çuar në banesën e saj.

Ka qenë këmbëngulja e prindërve ajo që ka detyruar 15-vjeçaren të tregojë se çfarë kishte ndodhur dhe menjëherë më pas është depozituar edhe kallëzimi në policinë lokale

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›