E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në dy muaj mbi 250 vatra zjarresh, Shërbimi Zjarrfikës: Bashkitë të jenë më të vëmendshme për territoret e tyre

Në dy muajt e fundit, në të gjithë vendin janë regjistruan mbi 200 vatra zjarresh dhe shumica prej tyre rezultuan të qëllimshme.

Këtë fakt e pohon edhe kreu i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara.

“Në çdo rast, këto zjarre janë nga dora e njeriut dhe asnjë rast nuk ka zjarre të paqëllimshme. Të gjitha mund të konsiderohen zjarre të qëllimshme,” shprehet z. Cara.

Sipas tij, për periudhën në vijim duhet rritur kujdesi deri në fund të muajit shtator.

“Piku i zjarreve është pas muajit korrik dhe në gusht. Jo më i parëndësishëm është edhe shtatori, pasi sipas meteorologëve sivjet do të kemi një verë shumë të nxehtë, ndryshe nga verat e tjera,” shprehet shefi i Shërbimit Zjarrfikës.

Ai ka edhe një apel për kryebashkiakët, të cilëve ligji u ngarkon kontroll dhe menaxhim territori.

“Është detyrim i çdo kryetari bashkie, me ligj, që duhet të marrin masa paraprake dhe të hartojnë plane pune, planveprime, t’i krijojnë mundësitë Shërbimit Zjarrfikës që të operojë në një kohë sa më të shkurtër me mjetet e tyre për ta vënë zjarrin nën kontroll,” apelon z. Cara.

Në të gjithë vendin numërohen 1.300 efektivë të shërbimit për mbrojtjen nga zjarri dhe të shpëtimit për emergjencat.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›