E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne gare per FMN-ne Lagarde shpall kandidaturen

Ministrja franceze e financave Christine Lagarde shpalli zyrtarisht kandidaturën për drejtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Kam vendosur të paraqes kandidaturën”, tha 55-vjeçarja në një konferencë për shtyp në Paris.

“Të qenit europiane nuk duhet të jetë plus. Nuk duhet të jetë as minus. Nuk po e argumentoj kandidaturën me faktin se jam evropiane apo sepse kam qenë e përfshirë në krijimin e institucioneve financiare që kanë ndihmuar në pakot e shpëtimit që ne i kemi realizuar"- tha ajo.

Lagarde shihet si figurë politike me peshë në qeverinë e presidentit Nicholas Sarkozy. Para përfshirjes së saj në politikë ka qenë drejtuesja e një zyre ligjore me peshë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Komisionit Europian, Manuel Barroso, sot ka thënë se ai e përkrah “në tërësi” kandidaturën e Lagarde.

Gjermania dhe Britania, gjithashtu e kanë përkrahur kandidaturën e saj. Por vendet e mëdha në industrializim kundërshtojnë me forcë pretendimin e europianëve për postin drejtues në FMN. 

Në një deklaratë të përbashkët Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut u shprehën se vendimtare nuk duhet të ishte kombësia, po aftësitë ndërsa kritikuan traditën që kjo pozitë t’i shkojë një europiani, duke kërkuar në këtë drejtim më shumë përfaqësim.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›