E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Maji ne PE Kukan Problem numerimi i votave

Parlamenti Europian për rreth një orë diskutoi  për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri dhe ngjarjet që pasuan pas kësaj dite. Eurodeputetët shprehën shqetësim për situatën në Tiranë, por theksuan se problemet mund të tejkalohen me dialog.

Ata vlerësuan ditën e votimeve, dhe theksuan se problemet lindën më pas gjatë numërimit të votave. Sipas tyre duhet pritur rezultati final i këtyre zgjedhjeve. Eduard Kukan i cili i vëzhgoi votimet e 8 majit  tha se problemet duhet të zgjidhen nga ekspertët dhe se shqiptarët meritojnë më shumë.

“Nuk jemi ne gjykatës të ligjit zgjedhor, ka institucione që duhet të bëjnë këtë në mënyrë më të kualifikuar. Nuk duhet të komentojmë sepse mund të shkaktojmë ndasi. Duhet të flasim të gjithë bashkë. Qeveria bëri punë të mirë dhe nuk kishim asgjë për ditën e zgjedhjeve, problemi  ishte te numërimi. Këtu është e njëjta situatë si në 2009-ën, ndaj thashë se kjo duhet marrë seriozisht. Vendi nuk mori statusin e kandidatit  dhe kjo krizë mund ta zgjasë këtë dhe kjo do të jetë keq për Shqipërinë. Në këtë situatë, PE mund të ndihmojmë vetëm nëse flasim së bashku me Komisionin Europian dhe Këshillin. Jam i bindur se shqiptarët meritojnë më shumë. Ka probleme që duhet të zgjidhen nga ekspertët. Problemet dëmtojnë demokracinë” – tha Kukan.

Ndërsa Nicolas Chountis rekomandoi thjeshtim të procesit.

“Nëqoftëse vazhdohet kështu, nuk do të dalin nga ky tension, gjithmonë  zgjedhjet kontestohen. Jeta politike duhet të bëhet më shumë demokratike. Të presim rezultatin final të KQZ-së dhe ta mbajmë të hapur ftesën për tu bërë pjesë e BE, por duhet progres. Shqipër duhet ndihmuar dhe kjo do jetë gjëja më e mirë”- tha ai.

Eurodeputeti grek Tremopulos theksoi se në Shqipëri duhet të tejkalohen ndasitë dhe shtoi se procesi është më kompleks se kudo. “Forcat politike nuk besojnë te njëra-tjetra. Nuk besoj se kjo bëhet për transparencë, por është problem i kulturës politike” tha ai.

Kurse eurodeputeti  Boshtinaru tha se e vetmja gjë që mund të bëhet është që t’i bëjmë thirrje palëve për dialog. “Ne nuk duhet të mbështesim asnjërën palë dhe as tjetrën, duke mbështetur njërën palë mund të detyrojmë palën tjetër të reagojë ashpër ndërkohë që Shqipëria është përfshirë nga protestat dhe në rastin më të keq mund të jetë përballë nje lufte civile”. Theksoi Boshtinaru.

Tensioni në Tiranë gjatë procesit të numërimit të votave, në komisionin qendror të zgjedhjeve, intensifikoi reagimet e Brukselit por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa i është bërë thirrje politikës të presin shpalljen e rezultatit final.

Taulanta Boja Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 25 maj 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›