E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjysmëfinale

Ardian Bujupi ka arritur që me anë të një performance të shkëlqyer të shtunën mbrëma të kualifikohet në gjysmëfinalen e emisionit të talentëve në Gjermani, “Deutschland Sucht Den Superstar”. Nga Express më 25 prill 2011 në ora 11:02

Talenti kosovar, i cili është shndërruar në sensacion në Gjermani, ishte i jashtëzakonshëm gjatë performimit të tri këngëve të zgjedhura në mbrëmjen e të shtunës – “Here
Without You” nga 3 Doors Down, “Fairytale” nga Alexander Rybak dhe hitin e James Brown “Sex Machine”. Bujupit nuk iu tremb syri që në rrethin e parë të këndojë hitin e njohur “Here Without You” të 3 Doors Down, paraqitje që i la mbresa jurisë. “Kjo ishte në përgjithësi një paraqitje e mirë. Ti nuk u bindesh ndjenjave të tua”, ishte vlerësimi i Fernanda Brandaos së jurisë.

Edhe performance e këngës “Fairytale” nga Alexander Rybak u prit mirë nga juria, sidomos nga Fernanda, e cila tha: “Kënga të është përshtatur vërtet shumë mirë. Ishte freskuese”.

Kualifikimin Bujupi e siguroi me anë të paraqitjes fantastike në rrethin e tretë me këngën “Sex Machine” të James Brown, për të cilën u vlerësua nga legjenda gjermane, Dieter Bohlen.

“Na ke emocionuar aq shumë me këtë këngë. Je i pakapshëm”, theksoi Boheln.

Garën në gjysmëfinale të emisionit të talentëve “Gjermania kërkon yllin” e siguruan, pos Bujupit, edhe Sarah Engels dhe Pietro Lombardi, ndërsa u eliminua Marco Angelini. Të shtunën që vjen, më 30 prill, Ardiani me dy këngëtarët tjerë do të takohen sërish në skenë.

Rrëfimi i Ardianit

Ardian Bujupi ka rrëfyer për mediat gjermane rreth arratisjes së tij nga Kosova, në kohën kur babai i tij tashmë ishte në Gjermani, si i përndjekur nga regjimi serb. Babai i Ardianit ka punuar në Universitetin e Prishtinës dhe kjo kishte bërë që ai të detyrohet të braktis Kosovën.

Ardiani ka qenë vetëm një vjeç kur, bashkë me të ëmën dhe motrën e porsalindur, u ishte dashur të nisen drejt Gjermanisë.

Gazeta “Berliner Zeitung" shkruan se, pak kohë pas ikjes së tyre kishte shpërthyer lufta në Kosovë. Kjo luftë kishte lënë pasoja të rënda edhe për familjen e gjerë të Ardianit. Familja nga e ëma ishte shpërndarë në të gjitha anët e botës. Pas luftës, nga fshati i saj nuk kishte mbetur asgjë në këmbë.

Ardiani ka thënë se pjesëmarrja në spektaklin DSDS ia ka bërë të qartë se te disa njerëz, konflikti vazhdon të jetë temë. ”Te disa kokëtrashë kjo vazhdon të jetë temë ndezëse. Në forumet e ndryshme të fansave të mi, ka të krisur që më shajnë si `shqiptar të ndyrë`. Gjëra të tilla duhet të injorohen, ata janë të marrë të papërmirësueshëm".

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›