E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në “grackën” e provincës...

14/04/2009  Do t’i ndodhte pikërisht ashtu si personazheve në film. Do të paragjykoheshin dhe do të bëheshin pre e thashethemnajave, që nuk do t’i linin të qetë në punën e tyre. Madje edhe do t’i pengonin gjatë xhirimeve të filmit.

Një incident sa për të qeshur, aq edhe real e i tillë që ia vlen për të reflektuar. Kur regjisori Artan Minarolli dhe stafi i tij ishin në përfundim të xhirimeve për ”Kronikë provinciale” në vitin 2005, ndodhi që në qytetin e Beratit (i zgjedhur si vendxhirim jo për ndonjë arsye të veçantë përveç bukurisë dhe traditës së pasur shqiptare) të hapeshin fjalë se filmi ishte pornografik. Kështu kur kishin mbetur vetëm dy ditë xhirimi, pas 29 ditëve të tjera të mëparshme, kamera nuk mund të fokusonte në minarenë e xhamisë së qytetit.

“Pritëm tetë muaj për dy ditë xhirime”, rrëfejnë artistët.

Por duket se ky ishte vetëm fillimi i një pritjeje të gjatë para premierës. Do të duheshin mëse katër vjet që filmi të ishte gati për publikun. Pengesa sipas Minarollit ishin fondet e pamjaftueshme.

“Fondet ishin përgjithësisht të ulta. Xhirimet e filmit u bënë përgjithësisht me entuziazëm, por kur mbaruan, puna ngeci. Postproduksioni do aq fonde sa gati gjithë pjesa tjetër e filmit. Është me fat ai regjisor që mbaron në afat”.

E rëndësishme megjithatë është se filmi më në fund vjen “i kopsitur”. Sipas regjisorit Minarolli, ai vjen përgjithësisht mirë, madje ai nuk ngurron të pohojë se filmi i pëlqen. “Kam arritur një format, realizim të përgjithshëm. Aktorët arritën të jenë një grup artistik”. Por pohon se megjithatë “e mira nuk ka fund”. “Po të kisha mundësi të ribëja ndonjë gjë do t’i kthehesha procesit të postproduksionit apo ndonjë dublimi. Por këto nuk janë gjëra që e shqetësojnë apo janë problem për shikuesin. Janë ndryshime të miat, personale. Derisa bëhet premiera gjithmonë ka dilema. Më pas filmi është i mbyllur”.

Përgjithësisht i ndërtuar në bazë të humorit dhe batutës, ngjarjet e filmit vendosen në një qytet në jug të Shqipërisë, fill pas viteve ’90. Në qendër është fati i një çifti të ri në provincën shqiptare, i paragjykuar dhe vënë përballë thashethemeve dhe mentalitetit të njerëzve. Pikërisht lidhur me këtë mentalitet autorët, janë përpjekur të ndërtojnë edhe situatat me humor, që shkojnë deri në grotesk. Një punë relativisht e arritur, edhe pse ndoshta mund të ishte punuar më mirë me detajet.

Filmi nuk i qëndron besnik as momenteve apo ngjarjeve të veçanta në kohë, ashtu siç ndodh në të përditshmen tonë. E tillë është përshembull dita e hedhjes së kryqit, e sjellë gjatë një pasazhi në film. Realisht kjo datë është e lidhur me 6 janarin, por në film të krijohet përshtypja nga veshja e aktorëve e kështu me rradhë, se kemi të bëjmë me një ditë vere.

“I kam pasur parasysh të gjitha, por kam qenë i kushtëzuar nga koha e xhirimeve. Megjithatë duhet pasur parasysh se filmi është fiction. Më tepër këto përdoren si simbole, sesa i referohen një të vërtete fikse. Filmi nuk është libër historie”, u shpreh lidhur me këtë Minarolli. Për të, ky realizim filmik shërben për të thënë një të vërtetë, ashtu si realisht duhet ta bëjë gjithmonë kinemaja dhe teatri. “Ne kemi shumë frikë të shohim veten në pasqyrë, të bëjmë një film e të shohim ndërgjegjen tonë. Ky është fenomen i shoqërive që nuk kanë ide të lira. Në fund të fundit ne jemi për të kritikuar dhe po s’thamë të vërtetën, nuk themi asgjë. Filmi duhet parë në kontekstin shqiptar. Tranzicioni shqiptar nuk ishte vetëm ekonomik por edhe shpirtëror, ndaj grotesku më duket me vend”, vijoi Minarolli.

Përfundim i pritur...

Duket se fundi i filmit nuk ofron ndonjë befasi. Dy të rinj, që nën trysninë mbytëse të fjalnajës së njerëzve zgjedhin të largohen nga provinca. Por në fakt kjo është zgjedhja e natyrshme: ikja në kërkim të lirisë, të realizimit të vetvetes.

“Kam punuar shumë me Ylljetin përsa i përket skenarit dhe fundit të filmit. Fundi i filmit lihet të ecë me logjikën e tij. Përpjekjet për një fund dramatik, ekstra, përgjithësisht dështojnë. Në jetën shqiptare dihet: pas 90-ës Perëndimi është parë si vendi i realizimit të dëshirave. Pastaj edhe fundi përshtatet me atë që i takon zhanrit të komedisë. Mendoj se ka humor brilant siç e ka Ylljeti në novelat e tij”, theksoi regjisori.

Një film autor

E ka shprehur dhe më parë që synimi i tij është të jetë thjesht një kineast i pavarur. Por në fakt kjo nuk ka të bëjë thjesht me qëllimet e Minarollit si artist, por është e kushtëzuar edhe nga vendi ku jetojmë. “Kinematografia shqiptare në përgjithësi është film-autor dhe nuk ka filma komercialë që janë në modë në perëndim. Dihet se sa bileta do të shesë një film, pra nuk pretendohet të bëjë xhiro të madhe”, nënvizon Minarolli. Sipas tij, në filmin autor pretendohet të nxirren karaktere të veçanta, pika të ndjeshme. Dhe edhe ky film është në atë suazë. “Filmat- autor kanë pretendime artistike, ngulmohet në krijimin e një vlere shpesh personale duke shpërfillur kërkesat e tregut”.

Bashkëpunimi...

Kur Ylljet Aliçkaj dhe Loreta Mokini i propozuan të merrte ndër duar filmin, gjërat nuk ishin kaq të thjeshta.

Skenari e joshte, porse nuk ishte kaq e lehtë. Si dëshmi për këtë mund të merret mbase edhe ndryshimi i herëpashershëm i vetë titullit të filmit. Në fillim i quajtur “Lutje e dashurisë”, titulli iu dukej shumë letrar. Ndaj dhe i vunë titullin tjetër provizor, “Vera”. Dhe më në fund titullin origjinal të tregimit mbi të cilin mbështetet filmi, ”Kronikë provinciale”.

“Ylljeti dhe Loreta e kishin filluar para meje këtë projekt dhe ishin ata që ma propozuan. Sigurisht që, që nga skenari i parë ka shumë punë. Bëmë çmos që ky skenar të avanconte më shumë në zbërthimin kinematografik. Që metafora filmike të fliste më shumë se dialogu”.

Kështu, edhe zgjedhja e aktorëve deri diku nuk ishte lënë në dorën e Minarollit.

I tillë është rasti i violinistit Tedi Papavrami, të ftuar që më parë për rolin e protagonistit, krah Arta Dobroshit, nga kompania filmike franceze dhe Aliçkaj.

Por fatmirësisht edhe Minarollit kjo iu duk një zgjedhje e goditur.

“Nuk e zgjodha Tedin, por e pranova. M’u duk zgjedhje e goditur. Vetë përvoja e tij, bënte që ai të kishte një kontrast të fortë me provincën. Një natyrë që vjen nga Perëndimi; i ftohtë, i prerë, që do të realizojë veten, atë që ka qëllim. Për më tepër që sapo kishte realizuar një tjetër film, prodhim francez, “Lidhje të rrezikshme”.

Një kooproduksion mes Francës, Italisë, Shqipërisë, “Kronikë provunciale” mban emrin e “Albimazh“ - Loreta Mokini (Shqipëri), “Et Plus“ - Didier Couedic (Francë), “Revolver“ - Paolo Maria Spina (Itali) dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe “Fonds sud du Ministere des Affaires Etrangeres de France“.

Përveç Tedi Papavramit dhe Arta Dobroshit në film interpretojnë edhe emra, si: Ndriçim Xhepa, Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Fadil Hasa, Vangjel Toçe, Aleko Prodani, Mina Kodxhaku, Genc Fuga, Birçe Hasko, Gulielm Radoja, Agim Qirjaqi etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›