E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyn për të shuar sherrin, plagoset polici dhe një shtetas

14/04/2009  Autor një 19-vjeçar, tentoi të vriste kamerierin se nuk i pastroi tavolinën

Efektivi u mundua të shmangte vrasjen, u godit nga një plumb në këmbë

DURRES- Është plagosur në këmbë polici i efektivit të komisariatit të Tiranës pas ndërhyrjes së tij për të shuar sherrin në një lokal. Polici ka qenë në një tavolinë më vete duke pirë kafe me një të njohur, por është detyruar të shkojë tek banaku pasi ka parë një të ri me pistoletë në dorë që kërcënonte kamerierin. Fakti se kamerieri ka qenë i afërt i policit, ka shtyrë atë të nxitojë për të ndërhyrë. Gjatë përpjekjeve për të shmangur vrasjen e punonjësit të lokalit, 25-vjeçari është plagosur në kofshë, kurse shoku i tij Sehad Muda është ndëshkuar nga rikosheti. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivat e policisë së Durrësit, ndërkohë që plagosja e një efekti policie ka shtyrë që në operacion të shkojë edhe drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, drejtues Ilia Nasi dhe nëndrejtori Arben Frashëri. Të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën në urgjencën e spitalit civil të Durrësit, kurse autori i krimit ende nuk është prangosur. Drejtori i policisë Nasi ka pohuar se autori i krimit është 19-vjeçari Armand L. dhe se ai ka tentuar të qëllojë me pistoletë kamerierin e lokalit vetëm pse punonjësi i shërbimit ka shkuar me vonesë për të pastruar tavolinën.

Ngjarja

Autori i plagosjes i ka kërkuar punonjësin e lokalit t’i pastrojë tavolinën, ndërkohë që vonesa nga ana e personelit e ka nervozuar 19-vjeçarin. Në pak minuta “gjaku” mes të rinjve është nxehur shumë dhe i riu pa menduar fare ka nxjerrë armën pistoletë dhe ka tentuar ta shkrehë. Në këtë moment ka ndërhyrë polici i Tiranës, Vlash Ashiku. Punonjësi i policisë ka mbërthyer agresorin, por arma është shkrehur, duke plagosur efektivin. I njëjti plumb ka kapur me rikoshetë Sahad Mudën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›