Në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy shqiptarë në Gjermani, pritet ekstradimi

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Exchange 2”, janë arrestuar në Gjermani, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit B. S., 44 vjeç dhe K. Gj., 20 vjeç.
Policia njoftoi se “në vitin 2022, Gjykata e Korçës i ka caktuar 44-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur, ka shitur lëndë narkotike kokainë, në lokalin e tij, në Pogradec”.
Ndërsa “në vitin 2024, Gjykata e Tiranës e ka dënuar 20-vjeçarin, me 6 muaj burgim, për vjedhje”.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e dy shtetasve, në Shqipëri.
/r.e/a.f/