Rama ndan takimin me Agaçin nga Kryeministria: E shpallën të arratisur, teksa ishte në reanimacion

TIRANË, 4 mars/ATSH/Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi është rikthyer në Kryeministri, pas tejkalimit të problemeve shëndetësore.
“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin “bufi i kënetës” e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale teksa ndau një video të shkurtër me Agaçin.
Ai theksoi se sapo ishte kthyer nga Berlini, ku Shqipëria u prezantua si vendi i nderit në Panairin global të Turizmit në Berlin.
“Sapo jam kthyer nga Berlini dhe kam gjetur këtu një të kthyer tjetër nga arratia”, tha Rama.
Agaçi falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në këtë moment.
“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen”, u shpreh Agaçi.
Por kryeministri i kërkoi atij të falënderonte ata që e mbështetën, ndërsa për ata që e akuzuan se ishte arratisur, Rama tha se përgjigjen do ta marrin më 11 maj, kur do të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
“Jo të gjithë për mbështetjen, atyre që mbështetën, atyre të tjerëve, pa merak më 11 maj”, theksoi Rama. /j.p/