Në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, arrestohet 26-vjeçari shqiptar në Itali

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimi në Shqipëri, pasi një vit më parë, tentoi të vriste me armë zjarri, një shtetas, në Velipojë.
Policia njoftoi se “në vijim të bashkëpunimit me homologët italianë, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e shkëmbyera ndërmjet palëve, u lokalizua në Itali, u kap dhe u arrestua, shtetasi: K. L., 26 vjeç”.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin e datës 21.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njoftoi sot policia.
Sipas policisë “ky shtetas akuzohet se në fshatin Malikolaj, Velipojë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. P., 27 vjeç, për motive të dobëta”.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri. /j.p/