E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të së vërtetës

 

Eugjen Merlika     

Kohët e fundit më ra në dorë libri Odiseja e një detektivi i shkrimtarit Agim Hamiti. Si nëntitull ai shënon ngjarje të jetuara.

Libri fillon me kapitullin e parë që titullohet : Spaçi. Është një përshkrim i bukur i mjedisit natyror e njerëzor të një kampi pune të detyruar në Mirditën e gjysmës së dytë të viteve 70. Është kampi ku më 1973 u zhvillua e para kryengritje në një burg komunist shqiptar, edhe se në formën e saj parake. Emri Spaç është binjakëzuar me kryengritjen e majit 1973 dhe me ekzekutimin barbar të tre të dënuarve (Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani e Vangjel Lezho) Për dy letra adresuar pushtetit qëndror në Tiranë, ku denoncohej veprimtaria antikombëtare e diktatorit Hoxha. Për revoltën, siç e quan autori, Çmimi me të cilin u pagua ajo qe tepër i shtrenjtë. Katër të pushkatuar dhe 86 të ridënuar me një shumë të përgjithshme prej 1400 vjet burg (14 shekuj jetë njeriu!). E gjithë kjo mynxyrë për tri ditë mosbindje policëve e ngritjen e një flamuri pa yll nga disa pjesëtarë të një bashkësie njerëzish të dënuar në kundërshtim me të gjitha normat juridike të një ligjshmërie normale. Madje këtyre u duhet shtuar, për detyrë kronike edhe varja e një qeni, besoj një dukuri e panjohur në gjithë historinë botërore të shtypjes së kryengritjeve….

Në këtë kamp famëkeq dërgohet për të kryer dënimin prej dhjetë vjetësh për agjitacion e propagandë një djalë 31 vjeçar nga Dukati i Vlorës, Sazan Diksi. Jeta e tij, e përshkruar shkurt, na paraqet një stereotip, atë të shumicës dërmuese të bijve të familjeve të prekura, të ashtuquajturit armiq të klasës. Ata ishin gjithmonë nën vërejtjen e pandërprerë të engjëjve mbrojtës, heronjve të heshtur, kriminelëve të Sigurimit të shtetit, pjesa më parazite e një shoqërie që kishte në themel të saj dhunën dhe varfërinë. Strategjia e tyre e zakonshme synonte një trysni të pashembullt, të gërshetuar me premtime joshëse, për tu vënë në shërbim të tyre. Kur kjo nuk funksiononte pinjojtë e klasave të përmbysura viheshin në listën e arrestimeve, për tu dënuar e dërguar në kampet e punës së detyruar pa shpërblim, ku ridënoheshin, vriteshin, torturoheshin e, në rastin më të mirë, dilnin të gjymtuar e bëheshin klientë të përhershëm të spitaleve.

Kështu fillon edhe kalvari i Sazan Diksit. Mbas pesë vitesh qëndrimi në Spaç, ai shpërngulet në Qafë Bari, një tjetër emër kampi, i lidhur me një të ashtuquajtur kryengritje, shtypja e së cilës, për sa i përket mizorisë së dhunës, shënoi rekorde planetare. Këtu dukatasi fjalëpakët u njoh me një gjirokastrit, në frontin e punës së zbrazjes së vagonëve të mineralit.  Kolegu i burgosur quhet Hamit Meli dhe vjen nga një përvojë krejt tjetër nga ajo e Sazan Diksit. Hamiti është bir i një ish partizani të brigadës së parë, një invalid lufte që mban ende në kokë ciflat e predhës, të cilat bëhen shkak i vdekjes së tij të parakohshme në operacionin për ti nxjerrë. Sipas nënës së Hamitit i shoqi më shumë duhet të ketë vdekur për shkak të brengave, se nga operacioni. Ai porosiste djemtë që asnjë të mos frekuetonte shkolla ushtarake e shpesh u thoshte :derdhëm gjak për ti sjellë një mynxyrë këtij populli…. Ishte njëri nga të shumtit e zhgënjyer nga socializmi i Enver Hoxhës e që dëshmonte jo vetëm objektivitet gjykimi, por edhe ndershmëri karakteri.

Këto dy veti të çmuara i trashëgonte dhe i biri, Hamiti, që e kishte filluar veprimtarinë në radhët e DSJ (drejtoria e sigurimit të jashtëm), organi më besnik e më i zgjedhur i diktaturës, që në moshën 19 vjeçare, si student i vitit të tretë në shkollën e posaçme të kuadrove të saj. Ja si e përshkruan, me pak fjalë, autori i librit parabolën e rrufeshme të karrierës së personazhit të tij :

Kishin mjaftuar vetëm tre vjet veprimtarie në DSJ që Meli të shpallej unanimisht si detektivi më i mirë i shërbimit sekret shqiptar. Pas pesë vjetësh emri i tij do të regjistrohej në librin e artë të rekordeve botërore të detektivëve që e kalonin shifrën 100 të misioneve të realizuar me sukses….. . Barra e misioneve të kryer për interesat e diktaturës i rëndonte tashmë në ndërgjegje. Rekordet në shërbim të së keqes përbënin një famë lënduese për të….. Pa i plotësuar të 28 vjetët moshë në të cilën shumica e detektivëve të botës fillojnë karrierën e tyre Meli hoqi dorë përfundimisht nga veprimtaria e detektivit…… Gjithçka kishte qenë anormale në karrierën e Melit : fillimi i hershëm, ritmi i lartë i zhvillimit si detektiv cilësor, martesa e ndaluar nga ligji, përfituesit e fryteve të veprimtarisë së tij si detektiv [Inteligjencë Servisi britanik], pendesa e thellë e Melit, burgu dhe, sidomos, ofertat e refuzuara në kampin e Qafë-Barit për rifillimin e karrierës së ndërprerë befasisht….   

Do ti mjaftonin këto pak fraza lexuesit për të hyrë në botën e brendshme të personazhit e për të kuptuar dramën e tij. Mes Hamitit dhe Sazanit lind një miqësi e fortë, që buron jo vetëm nga prania në të njëjtin ambient të vuajtjes, por edhe nga një këndvështrim i përbashkët i të vërejturit të botës, nga një perceptim pothuaj i njëjtë i problemeve të Vendit të tyre. Në bazën e lidhjes së tyre është respekti e besimi i ndërsjellët.          Sazani befasohet nga rrëfimi i Melit. Natyrshëm në fillim shtanget, por shpejt kupton se tek tregimi i Melit nuk ka hije provokacioni apo prapamendimi të keq e i beson. Shoqëria e tyre forcohet çdo ditë e përballon prova skajore, paralel me ngjarjet e pazakonta në të cilat bëhet pjesëmarrës Meli. Këto ngjarje e futin lexuesin në botën e mistereve, të hafijeve, të të fshehtave, të prapaskenave të paimagjinueshme, që përbëjnë sekretet e pazbulueshme të një regjimi, të një shteti, të pushtetit të një kaste.

Jemi të pranishëm në një botë sureale ku në një kamp pune të detyruar, në një nga burgjet më mizore të diktaturës enden ndërmjet të burgosurve, të veshur me uniformën e tyre, kuadro të larta të DSJ që i njeh vetëm një oficer i komandës, kartelisti. Vijnë për të takuar ish detektivin Meli drejtori i DSJ, Dofeni, alias Ilir Enver Hoxha, në shoqëri të funksionarëve shumë të lartë të Sigurimit të KQ, të Inteligjencë Servisit britanik, të CIA-s amerikane. Galeria e personave të fuqishëm, që kërkojnë të bindin Melin për rifillimin e veprimtarisë së detektivit, secili në radhët e tij, është marramendëse, pothuaj e pabesueshme. Ato takime janë përshkruar me imtësi, me data e me orë.

Pa hyrë në përshkrimin e hollësishëm të tyre, edhe se zënë pjesën kryesore të lëndës së rrëfimit, ajo që del nga këta takime ka diçka sa të pabesueshme, aq edhe të frikshme. Fatet e njerëzve  ndërthuren me fatet e popujve në një lojë të fshehtë, të shumëfishtë, që mbetet e panjohur për shumicën dërrmuese të njerëzimit, në rastin tonë për shqiptarët. Është loja e shërbimeve të fshehta që përcaktojnë dhe politikat e qeverive, ajo e interesave që shkelmojnë parimet e ideologjitë, ajo e aleancave të padukshme, të panjohura, të pabesueshme, që mbeten mundësi vendimmarrjeje e pak njerëzve të zgjedhur, shpesh herë e  një njeriu të vetëm që i jep  vetes atributet e një perëndie, që vendos gjithçka mbi vartësit e tij, mbi një popull të tërë. Në këtë xhungël të dëndur interesash, në të cilën papritur Hamit Meli zë një vend qendror, atij i zbulohen fakte që përmbysin krejtësisht botën e tij të deriatëhershme. Kështu ai merr vesh se në më shumë se njëqind misione vrastare në të cilat ka marrë pjesë, me përjashtim të dy të parave, gjithë të tjerët i kanë shërbyer Inteligjencë Servisit britanik, zyrtarisht armik i tij dhe i Vendit të tij, e në sajë të tyre sot ka një llogari rrjedhëse në një bankë angleze e rezulton i ngritur edhe në gradë.

Midis qeverisë sonë dhe partisë suaj ka ekzistuar gjithmonë një aleancë e fuqishme, e cila, për të qenë efikase, është lypsur të mbahej sekrete. Kjo aleancë ka lindur qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur, si aleatë me njeri-tjetrin, ne luftonim nazi-fashizmin.

Ky është pohimi i funksionarit të lart

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›