E Shtunë, 31 Tetor 2026

A i do reformat apo jo?

Nga Fiona Kruja

Ai të vë vulën. Dhe si vulëvënës, të spërkat: Jam dakort me reformën zgjedhore, por harroje këtë dhe atë. Jam dakort që të biem në konsensus për ato që dua unë, por ti harroje që unë të bie dakort me atë që kërkon ti. Jam dakort që unë të kaloj nga fitorja në fitore, por ti duhet të kalosh patjetër nga disfata në disfatë. Harroje që unë të bie dakort me ty, por ti mos guxo të mos të biesh dakort me mue, sepse unë të vulos si antiglobalist, antieuropjan, antikombëtar, antishqiptar, antiintegrim, anti, anti, anti. Për ndryshe, edhe: Ti qofsh!

Tjetri shikon. E vetmja pyetje që mund ti shkojë në mendje për mallin që ka përpara, është: Ça ti bëj, se mos e kam zgjedhur unë. Dhe si i shënjuar për tu vulosur nga i pazgjedhshmi, i mbetet të bëjë durim. I palodhur, e fton vulvënësin të shprehet pa vulë: Ore, i do apo nuk i do ato për të cilat çirresh? Heshtje. Prit mikrofonin e radhës.

Po dynjaja ça thotë? Përgjegjësinë më të madhe për mosarritjen e kompromisit, e ka qeveria. Ndonëse opozita mund ta ngadalësojë disi këtë proces, pjesën më të madhe të përgjegjësisë e ka qeveria. Normal që kështu është dhe nuk ka si të thotë ndryshe as ai historiani a politologu i ardhur që nga përtej oqeanit. Fisher ia thonin njërit, Pano tjetrit, por kjo nuk ka asnjë rëndësi feje, etnie, krahine a ideje. Se mos janë vetëm ata të dy që e kanë thënë troç: Ej, mblidh mendjen. Gara e integrimit është mbi të gjitha garë për të fituar betejën e tolerancës, betejën e mundësive të pashtershme që të ofron politika, betejën e paqes mbi konfliktin, atë konflikt që, kokëfortësisht, kur ishe në majë të pushtetit dhe shtetit si President, e pamë të gjithë se në çhone na gremise si shtet dhe si popull. Gjigand i marrëzisë, nuk ta kemi për borxh të na gremisësh përsëri, zotëri pushtetmbërthyes dhe shtet-thyer? Je i sigurtë se do u shpëtosh ligjeve të natyrës? Eshtë e vërtetë se në pushtet të kanë lejuar të vish gjithmonë me votë, por puna është se ti asnjëherë nuk je larguar dhe as po pranon të largohesh me votë. A i do reformat apo jo?

Ky është dialogu në distancë që po konsumojmë këto sezon verë-dimri mes politikanit dhe jopolitikanit. Atij, rreth të cilit sot janë hedhur sytë dhe varur shpresa e jo vetëm një partie, por e tërë opozitës, më shumë se kaq, e një brezi të tërë, i cili nuk ka asnjë arsye të lundrojë pa busull në detin e trazuar të globalizmit, si të ishte anija e të mallkuarve.

Nuk hezitoj të shkruaj e rishkruaj se dekalogu opozitar, më shumë se sa për nga përmbajtja apo pikat konkrete, ka vlerë për frymën që përcjell si gjest politik, si oportunitet shansesh për bashkintegrim. Por, integrimi, përpara se të jetë rekord jo për tu thyer me 12 Tetor, Nentor a Dhjetor, është përgjegjësi dhe gur i rëndë mbi shpinë, një shans për të kultivuar brenda nesh virtytin e përulësisë përpara votuesit, në daç edhe tufës a grigjës tënde që të bindet me hir a me pahir. Në momentin që ti kërkon ta tundësh si këmbanë triumfi, ai gur bie të zë poshtë ty, na zë poshtë të gjithëve.

Nëse opozita ka formuluar disa pika debati, kjo është në dorën e saj. Ti edhe mund të mos i konsiderosh, por frymës që përcjell ai akt politik, nuk ke si të mos i përgjigjesh. Përgjigje nuk do të thotë ta etiketosh si të të vijë për mbarë. As edhe ta komentosh përmes tallagjarësh, opinionistë aktorë të një loje marrëzie televizive, e cila vetëm politikë nuk mund të quhet. A i do reformat apo jo?. Për mjerimin e kulturës sonë të (mos)komunikimit, kushtëzimi mbetet konstant i çdo aksioni dhe reaksioni që politika e ditës gjeneron si në perpetuum mobile. Këtë mund ta quanim edhe lojë fëmijësh, por për nga pasojat që prodhon, ajo është kthyer në makth kombëtar e madje më gjerë. Vetëm maskat nuk po ndryshojnë ustallarë. Ato na shfaqen përjashtimisht nën etiketën Made in Albania.

Zotëri pushtetmbajtës! Nëse të thonë se përgjegjësinë më të madhe e ke ti, kjo është vetëm mundësia jote më e madhe për të fituar pikë në lojën e tolerancës. Opozita nuk ka se çfarë të të ofrojë më shumë, përpos pranimit të rezultatit që ti ke prodhuar me lojërat e pafundme zgjedhore, të vulosura me depersonalizimin e komisionerëve apo gjyqtarëve, krijesa fërtele të një Parlamenti po aq të dhunuar. Nëse të thonë se përgjegjësinë për të toleruar e ke më shumë ti, këtë luks ta ka dhënë pikërisht kjo opozitë nuk zë drunë, por i bindet dhe zbaton vendimet e Tomkës dhe shokëve të tij, për hir të atij çmimi tejet i kripur që të gjithë po i paguajmë asaj (pa)drejtësie, mjaft që të pranojmë sadopak profilin e të ashtuquajturit shtet ligjor. Nëse njëra nga ato pika përmend reformën zgjedhore, askush nuk beson se  ajo reformë do të bëjë mrekullinë dhe do e kthejë lukuninë tënde nga ujqër në dele. Nga kali i hazdisur i arbitraritetit, ty nuk po ka zot të të zbresë, kështu që nuk na ngelet veçse të presim “vdekjen e kalit”. Atij kali pushteti, të cilin ti e ke marrë me qira për pesë grosh, por që të është mbushur mendja se mund ta privatizosh me procedura tenderimi të paravendosura nga ristanët dhe bostanët e lulishtes tënde. A i do reformat ti apo jo?

Pa shpresë se ti do të kthjellohesh ndonjëherë, besoj natyrshëm se herët a vonë, personi që ti refuzon sot, do të jetë një ditë në karrigen tënde. Nuk di të them se si ai apo opozita do të arrijë të sigurojë mosgrabitjen e votave nga skota jote, por për një gjë po bindem gjithmonë e më shumë: Ky vend nuk ka më nevojë për ty! Që të ndihesh rehat, rishkruaji po të duash edhe ti ato pika të flamosura. Nëse ndihesh rehat, edhe mund ti grisësh, por pusho pak dhe reflekto qoftë edhe njëherë të vetme, për të kuptuar se rruga për ku po vrapon si i marrë, është e gjatë, shumë e gjatë. Nuk ke shanse ta bitisësh i vetëm. Jo se të mungon inati prej budallai, porse nuk të mjafton as takati e as marifetet prej shejtan budallai. Do apo nuk do ti, reformat nuk i kryen dot ti, aq më pak i vetëm. Do apo nuk do ti, përballë ke të ardhmen, që është më e re se ti. Mjerisht, ke dëshmuar aftësi të kufizuara për të fituar betejën me vetveten dhe tolerancën, e cila na duhet së paku për të kursyer forcat që na sigurojnë një garë më të hajrit se sa kjo e 20 viteve të tua e dhe të të ngjashmëve. I do reformat ti apo jo? Na bëj të paktën të gabojmë një herë të vetme në bindjen tonë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›