Në kërkim të selektorit
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll shumë shpejt do të bëhet me selektor, pasi kjo pozitë ka mbetur e zbrazët prej 1 tetorit, kur i ka skaduar kontrata përzgjedhësit të deriatëhershëm, Agim Kasapolli.
Ky i fundit ishte zgjedhur selektor i Kosovës për një vit nëpërmjet konkursit të shpallur nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), i cili konkurs ishte bojkotuar nga shumë trajnerë tjerë kosovarë.
Por, selektori i ri tani nuk do të emërohet në atë mënyrë. Në fakt, bordi i FBK-së e ka udhëzuar Këshillin Profesional të këtij institucioni që t’i propozojë kandidatët për selektor të përfaqësueses së Kosovës gjatë muajit janar të vitit që po vjen.
“Këshilli Profesional deri më 17 janar të vitit 2011 duhet t’ia propozojë bordit kandidatët për selektor të përfaqësueses së Kosovës. Ndërkohë, ata kandidatë duhet t’ia prezantojnë bordit plan-programet e tyre për një vit. Më pas, më i miri nga ta do të emërohet selektor i ri”, deklaroi për Express nënkryetari i FBK-së, Artan Rugova.
Sipas tij, selektori i ri do të emërohet për katër vite dhe do t’i caktohet edhe një pagë, e jo ashtu siç kishte punuar Kasapolli vetëm për një vit, madje edhe pa pagesë.
“Askund në botë selektori nuk emërohet me konkurs për një vit dhe pa pagesë. Ai ka qenë gabim i bordit të kaluar. Tani bordi i ri do ta korrigjojë atë gabim. Selektori do të emërohet për katër vite, do të paguhet dhe normalisht që do të kërkohen edhe rezultate nga ai”, theksoi Rugova.
“Është gabim i madh kur selektori emërohet nëpërmjet konkursit. Selektori duhet të emërohet në bazë të sukseseve të tij në dhjetëvjeçarin e fundit”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, burime të Gazetës Express brenda FBK-së, kanë bërë të ditur se trajneri i Sigal Prishtinës, Arben Krasniqi, është kandidati më serioz për t’u emëruar selektor. Krasniqi edhe në të kaluarën ka qenë përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës. Sipas këtyre burimeve, përveç Krasniqit, edhe Jeton Nixha e Bujar Loci janë në planet e Këshillit Profesional.
“Të tre këta janë kandidatët kryesorë. Që të tre kanë pasur suksese në basketbollin kosovar dhe i njohin mirë rrethanat e basketbollit tonë. Por, Krasniqi është kandidati kryesor, sepse ai me Sigal Prishtinën kanë korrur suksese të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Andaj, sipas të gjitha gjasave, Krasniqi do të emërohet selektor i ri”, ka thënë një burim.
Sipas tij, Krasniqi do të ketë të drejtë që njëkohësisht të vazhdojë punën edhe në Sigal Prishtinë. “Kjo nuk bie ndesh me asnjë rregullore. Madje, kjo është shumë pozitive për përfaqësuesen e Kosovës”, theksoi ai.
Njëkohësisht, Këshilli Profesional do t’i gjejë edhe emrat që do t’i udhëheqin edhe përfaqësueset tjera të Kosovës në basketboll.