E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kohë me Rigoleton

Versioni i regjisorit Nicola Zorzit për veprën e Verdit: interpretim i lirë, skenografi që komunikon, kostume të ditëve të sotme. Vepra që afroi edhe të rinjtë në dyert e Teatrit të Operës


Më 24 mars u shfaq për herë të fundit në Teatrin e Operës dhe Baletit opera "Rigoleto" (1851) e Giuseppe Verdi-t, me libret të Maria Piaves, bazuar mbi romanin "Mbreti argëtohet" të Viktor Hygosë. Kjo operë është shfaqur tri herë në TKOB, premierë në vitin 1965 me regji të Luigj Gurakuqit dhe më 1994-ën dhe 2005-ën, me regji të Nikolin Gurakuqin.
"Rigoleton" e katërt e realizoi regjisori italian Nicola Zorzi, i prezantuar para publikut shqiptar me dy vepra: "Lucia di Lamermoor" të Donizettit në vitin 2008, e një vit më vonë me "Norma" të Bellini-t, dy shfaqje që rrinë me dinjitet në repertorin e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Natën e fundit, Rigoleto u interpretua nga baritoni italian Paolo Drigo, Duka i Mantovës nga tenori shqiptar Armaldo Kllogjeri, Xhildë ishte sopranoja Ramona Tullumani, në rolin e Sparafuciles bullgari Nikolay Bykov, bass, ndërsa të Madalenës mezzo-sopranoja Lindita Kola. Në role të tjera solistët: Enkelejda Zepishta (Xhovana), Sokol Hidërsha (Konti Monterone), Luan Sula (Marullo), Erlind Zeraliu (Borsa), Pandush Koko (Konti Ceprano), Ina Gaqi (Kontesha Ceprano). Natën e premierës, Xhildë ishte sopranoja Eva Golemi, kurse Rigoleto baritoni Ylber Gjini.
Muzika harmonike, melodioze, "popullore", ariet e mrekullueshme me kurorë "La donna è mobile", personazhe të përfshirë në dashuri, dramë, hakmarrje, mallkim dhe interpretimi i Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës, nën drejtimin e mjeshtrit koncertues Vittorio Parisi, dhuruan një vepër që të vjen keq pse pati vetëm katër shfaqje. Jo vetëm për miqtë e përhershëm të Operës. "Rigoleton" kishin ardhur ta shihnin edhe të rinj, që rrallë i sheh në dyert e Operës. Salla megjithë galerinë ishte e mbushur plot.
Regjisori Nicola Zorzi i kishte dhënë një frymë të re shfaqjes, e dukshme në skenografi dhe kostume. Duka i Mantovës, i shkëlqyer në këtë rol Armaldo Kllogjeri, ishte një djalosh i ri, i pashëm, aventurier, dandy me të gjitha zonjat dhe vajzat që vijnë rrotull oborrit të tij, por që nuk dashuron asnjërën prej tyre.
Kllogjeri arriti të mbante në të njëjtin nivel vokalin e plotë edhe në pjesët më të vështira, me interpretimin, lëvizjet e shkathëta prej dashnori, elegancën në vardisjet me damat, e në të njëjtën kohë, imazhin e burrit të dashuruar, me Xhildën, vajzën e gungaçit, Rigoleto.
"Rigoleto" i Zorzit, nuk ishte palaçoja i oborrit të Verdit, as gungaç, megjithatë shpotitës dhe tallës me të tjerët. Që në aktin e parë që zhvillohet në Pallatin e Dukës së Mantovës, ku ai organizon një festë me zonjat dhe zotërinjtë e oborrit, Rigoleto hyn në konflikt me kontin Monterone, duke i fyer të bijën, që Duka, i dashuruar dikur me të, kërkon ta braktisë. Rigoleto bëhet palë me Dukën në skenat e talljes dhe të së qeshurës. Por pasi, Monterone e mallkon, i ngrin e qeshura, dhe i rëndon në zemër mallkimi i tij.
Natën e mbylljes së shfaqjes, Rigoleto ishte baritoni italian Paolo Drigo, që dukej sikur kishte punuar më tepër për veshjen e jashtme të rolit, plastikën dhe lëvizjet, që nuk ishin në të njëjtin nivel me vokalin. Interpretimi i Drigo-s, nuk justifikonte peshën e figurës qëndrore të shfaqjes. Rigoleto është një njeri që nuk gjen paqe me veten, që provon ndjesi të të gjitha llojeve, dashuri për të bijën, frikën për dashurinë që ajo ka për Dukën, dhembjen e prindit që humb të bijën dhe urrejtjen e ndjenjën e fortë të hakmarrjes. Ndjenja këto që nuk kishin forcën e duhur në interpretimin e Drigo-s.
Xhilda, e bija e Rigoletos, është edhe ajo një nga femrat, që bie pre e lajkave dhe joshjeve të Dukës, edhe pas përpjekjeve të të atit për ta mbajtur larg nga ai.
Ajo është personazhi që Verdi i ka dhuruar ariet më të bukura të operës së tij. Ky rol i ishte caktuar sopranos Ramona Tullumani, i pari prezantim i saj me një rol të plotë, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Zëri melodioz, i ëmbël, i Tullumanit bënte për vete me shprehjen e trishtimit, dhembjes, dramës, pasionit, me të cilat Verdi ka shkruar pjesët e këtij personazhi. Por, ndihej nevoja e një çlirimi të ndjesive edhe në gjuhën e trupit, Xhilda të komunikonte edhe nëpërmjet aktrimit.
Një karakter i ndërtuar mirë në shfaqjen e Zorzi-t, qysh në vështrim të parë, ishte Sparafucile, krimineli që Rigoleto i kërkon të vrasë Dukën. Ky rol, i interpretuat nga Nikolay Bykov, ishte një nga më të realizuarit në kompleksitetin vokal dhe interpretativ të një figure të egër.
Tjetër personazh që evidentohet gjatë shfaqjes për më shumë se dy orë të "Rigoletos" është ai i Madalenës, motrës së Sparafuciles, një grua joshëse, djallëzore, që i pëlqen të përkëdhelet nga Duka, dhe arrin t'i mbushë mendjen të vëllait për të mos e vrarë atë, sipas marrëveshjes së lidhur me Rigoleton. Interpretimi i mezzo-sopranos Lindita Kola, dukej se i rrinte mirë rolit.
Ngjarjet e Rigoletos janë shkruar për Evropën e '800-ës, ku dukë, kontë, mbretër, përveç pushtetit, gëzonin edhe privilegje të tjera. Një jetë sallonesh, me mbrëmje të bukura në shoqërinë e pijeve, femrave, haresë, imoralitetit. Kori i Teatrit të Operës, i erdhi mirë në ndihmë kësaj atmosfere, në komunikimin me solistët, në krijimin e skenave të gjalla edhe dramatike.
Kostumet e Manuela Gasperonit nuk kishin të bënin me veshjet aristokrate në Evropën e '800-ës. Gasperoni kishte preferuar t'i vishte thjesht personazhet dhe së paku së jashtmi, t'i sillte në kohën tonë.
Skenografia, po e Gasperonit, përveçse funksionale, ishte menduar edhe t'i komunikonte publikut. Kafazët që përdoreshin si ndenjëse dhe mbështetëse për personazhet mund t'i lexosh edhe si simbole të gjendjes së tyre: një Xhildë e izoluar në një dashuri të fshehtë dhe munduese; Një Rigoleto i izoluar nga tortura, frika e mallkimit të kontit Monterone, dhe cinizmit të Dukës; Vetë Duka, rob i aventurave, pasionit, dëshirave të tij.
Pallatin e Dukës, Gasperoni e kishte sajuar si një skenë rrotulluese, e ndarë në dritare, nga ku shiheshin femrat, pasqyrë e jetës aventurë të Dukës. Rrotullimi i skenës, sidomos në fund të shfaqjes shfaq një kuptim, që deri në atë kohë, ndoshta nuk është lehtësisht i kuptueshëm.
Shfaqja mbyllet me vajin e Rigoletos mbi trupin e së bijës të vrarë nga Sparafucile tradhtar. Rigoleto me hidhërim kupton se gjithçka rrotullohet, gjithkush merr çka meriton për veprimet e tij.
Me të gjithë këto komponentë, Rigoleto e Zorzit, ishte më tepër se një shijim i këndshëm i muzikës dhe interpretimit, pa u lodhur deri në fund. Dhe pse jo! Kuptimi i vlerave të veprave të klasikëve dhe asaj ç'kanë dashur të thonë dje dhe sot.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›