Akuzohej për vjedhje mjetesh, padit polcinë për dhunë
Gëzim Vajushi u arrestua nga policia e kryeqytetit në tetor të vitit 2008, me akuzën e vjedhjes së veturave në bashkëpunim
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, konkretisht efektivët e Komisariati nr.1 dhe 4 paditet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë nga shtetasi Gëzim Vajushi për dhunë fizike dhe psikologjike gjatë dhe pas arrestimit në operacionin e policisë të koduar me emrin "Mjegulla e Natës" në tetorin e 2008, duke e akuzuar si pjesëtar i një grupi hajdutesh që vidhnin makina në kryeqytet. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë, kancelaria e së cilës me short elektronik ka caktuar gjyqtaren Majlinda Doga për gjykimin e çështjes civile. Sipas kërkesë padisë me nr. 7447 të depozituar nga avokati i shtetasit Gëzim Vajushi me banim në Shkodër, i njohur në qytetin verior si pronar i një servisi makinash, efektivët e policisë gjatë dhe pas arrestimit kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tij. "Shtetasi Gëzim Vajushi me anë të padisë me nr.7447 ka paditur Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku si objekt ka " shpërblimin e dëmit nga ana e të paditurit në vlerën 5 mijë dollarë amerikanë, si rezultat i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj paditësit"-thuhet në kërkesë padinë që pritet të shqyrtojë gjyqtarja Majlinda Doga. Sipas kësaj padie, me datë 16 tetor 2008, efektivët e Komisariatit nr.1 dhe 4 në bashkëpunim me seksionin kundër vjedhjeve të automjeteve, organizuan operacionin e koduar "Mjegulla e natës", që sipas njoftimit të policisë, u finalizua me arrestimin e dy personave të akuzuar për "vjedhje automjetesh", shtetasi 27- vjeçar Mariglen Aliko dhe 47- vjeçarin Gëzim Vajushi"-thuhej në kërkesë. Sipas saj, ky i fundit pas hetimit disa mujor nga prokuroria e kryeqytetit rezultoi se ishte i pafajshëm dhe nuk kishte lidhje me vjedhjet e makinave të dyshuara nga policia. Pas këtij hetimi, prokuroria urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Vajushit. Ai edhe pse u shoqërua në polici më 16 tetor 2008, kishte kërkuar ekspertim të lëndimeve trupore të marra nga efektivët e policisë, që pretendohej se kishin lënë shenja në trupin e tij. Pas akt-ekspertimit ku mjekët ligjorë konstatuan dhunë, Vajushi iu drejtua gjykatës duke paditur Policinë e ë Shtetit për një dëmshpërblim prej 5 mijë dollarësh amerikanë.