E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studenti vjedh 16 mln në shtëpinë e shokut

Policia arrestoi Frensi Papën me akuzën e vjedhjes së shtëpisë së një çifti

I arrestuari djali i një inxhinieri të njohur i kopjoi çelësat djalit të biznesmenëve gjatë një ndeshjeje futbolli

TIRANË- Një student i inxhinierisë, nga kryeqyteti u arrestua dje nga policia e komisariatit nr.3, me akuzën e vjedhjes, pasi kishte mundur të merrte pa asnjë mundim 16 milionë lekë të vjetra në banesën e një çifti tregtarësh, në rrugën "Islam Alla", në kryeqytet. Tri ditë pas kallëzimit të të dëmtuarve pranë organeve të policisë, këta të fundit mundën të identifikojnë autorin dhe ta ndalojnë atë. Frensi Papa, student i fakultetit të Inxhinierisë, me banim në rrugën "Islam Alla", Tiranë, katër ditë më parë vodhi shtëpinë e një tregtari në Tiranë, djalin e kishte shok. Në banesë Papa, i mori shokut të tij, 8 mijë euro dhe 5 milionë lekë të vjetra.

Vjedhja ndodhi pasi dy të rinjtë njiheshin mes tyre dhe të martën të dy ata kishin shkuar të luanin në një nga fushat e minifutbollit. Në një pjesë të ndeshjes Frensis u shkëput nga loja dhe gjatë kësaj kohe shkoi në dhomat e zhveshjes ku mori në rrobat e mikut të tij çelësin e shtëpisë së tij. Në pak minuta ai shkoi ta kopjonte atë dhe më pas në pjesën tjetër të ndeshjes u rikthye në lojë, normalisht sikur nuk i kishte ndodhur asgjë. Të nesërmen tregtari duhej të gjendej pranë biznesit, e shoqja në shkollën "Bajram Curri", ku ka një rol drejtues, ndërsa fëmijët në shkollë. Duke qenë se në banesë, nuk kishte njerëz Frensis nuk e pati të vështirë që në dollapin e rrobave të familjes së shokut të tij, të merrte qesen e parave.Kur kanë mbërritur në shtëpi, pjesëtarët e familjes së biznesmenit janë kthyer në banesë ku kanë konstatuar që paratë nuk gjendeshin.

Kaq është dashur që në familje të nisin dyshimet për hajdutin e brendshëm, apo për ndonjë kopjim të çelësit. Pasi janë pyetur me radhë, dyshimet janë drejtuar mbi shokët e djalit, dhe kanë rënë më së shumti mbi një grup prej pesë apo gjashtë vetësh. Hetuesve iu ka rënë në sy shkëputja e Frensisit gjatë lojës, i cili kishte pohuar se kishte një punë dhe do kthehej shpejt, duke lënë shokët e tij të skuadrës me një lojtar më pak. Gjatë kësaj kohe, policia ka vënë re se inxhinieri i ardhshëm, kishte blerë sende me vlerë në disa dyqane, ndërsa kishte luajtur në shuma të mëdha në disa pika bastesh. Kur policia krijoi bindjen për vjedhjen, ai u shoqërua dhe më pas pranoi vetë se i kishte dërguar paratë tek një shok. Policia gjeti në banesën e shokut, 13 milionë lekë të reja. Shoku i të arrestuarit, pohoi se ia kishte kërkuar Frensisi që t'i mbante paratë pasi ia kishte dhënë i ati. Policia bllokoi paratë ndërsa arrestoi me akuzën e vjedhjes të dyshuarin e krimit, studentin e inxhinierisë Frensis Papa.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›