E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Në kompleksin portual Durrës – Porto Romano u përpunuan mbi 7 milionë tonë mallra

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kompleksi Portual Durrës – Porto Romano vit pas viti po njeh rritje të sasisë së mallrave të përpunuara, duke fuqizuar rolin e kësaj nyje të rëndësishme detare dhe nevojën për modernizim të mëtejshëm.

Referuar të dhënave statistikore të Autoritetit Portual Durrës, përgjatë vitit 2024 në gjashtë terminalet e kompleksit portual u përpunuan 7 milionë e 352 mijë tonë mallra.

Të njëjtat të dhëna tregojnë se, në raport krahasimor me vitin paraardhës, sasia e mallrave të përpunuara ka njohur rritje të konsiderueshme, me rreth 15%, ose rreth 933 mijë tonë mallra më shumë se viti 2023.

Ato që zënë peshën më të madhe në mallrat e përpunuara janë importet me rreth 6 milionë tonë, ndërsa 1,3 milionë tonë mallra u eksportuan nga vendi ynë drejt porteve ndërkombëtare.

E shprehur në përqindje, mallrat e importuara në rrugë detare u rritën me rreth 19%, krahasuar me vitin 2023.

Edhe njësitë kontejnerike të përpunuara në portin aktual të Durrësit, u rritën me 7%, ku në total gjatë vitit 2024 në Terminalin e Kontejnerëve janë përpunuar 196.507 njësi kontejnerike.

Kjo rritje në volume tregtare në të dy portet e Durrësit konfirmon edhe njëherë rëndësinë e e kompleksit portual Durrës-Porto Romano në transportin detar dhe ekonominë vendase si dhe lidhjen e rëndësishme rajonale e më gjerë.

1 nga 2

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›