E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Restaurimi i Muzeut Arkeologjik Durrës, Sako: Ndikim pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Muzeu Arkeologjik i Durrësit i është nënshtruar restaurimit prej disa muajsh dhe ky proces po kryhet në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ishte sot e pranishme gjatë inspektimit të punimeve në këtë muze, ndërsa e ka cilësuar atë si një aset mjaft të rëndësishëm për qytetin, pasi aty ekspozohen objektet më interesante të historisë së lashtë dhe trashëgimisë kulturore të jashtëzakonshme të qytetit bregdetar.

“EU4culture është një program mjaft i rëndësishëm për qytetin tonë që do të sjellë rivitalizimin dhe futjen në guida ndërkombëtare të disa objekteve të trashëgimisë sonë kulturore. Këto ndërhyrje do të sjellin impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në Durrës”, tha Sako.

Sipas kryebashkiakes së Durrësit, procesi i restaurimit të këtij muzeu ka marrë më shumë kohë për shkak të kompleksitetit që ka godina e Muzeut Arkeologjik.

“Është një aset i jashtëzakonshëm i trashëgimisë sonë, një pasqyrë e gjithë pasurisë historike dhe arkeologjike. Ky është një muze kombëtar me vlerë të madhe jo vetëm për mijëra vizitorë që vizitojnë asetet tona, por edhe për qytetarët e Durrësit, për nxënësit e shkollave është një aset shumë i rëndësishëm që të aksesohet nga të gjithë”, u shpreh kryebashkiakja e Durrësit.

Sipas Sakos, prilli është një muaj i mirë për të mbyllur punimet, ndërsa këto muaj të mbetur do të jenë koha që do të marrin kuratorët dhe arkeologët për të mobiluar me vepra arti brenda dhe jashtë muzeut.

“Me këtë ndërhyrje restaurimi, ky muze do t’i qëndrojë 100 viteve të tjera dhe mezi presim ta hapim që ta aksesojnë qytetarët dhe turistët. Nuk është i vetmi projekt që po restaurojmë, është shtëpia “Aleksandër Moisiu”, është Hamami i Durrësit, Torra Veneciane dhe janë të gjitha me investimet e EU4Culture. Durrësi ka marrë mbështetje të madhe në pak kohë, qoftë për objektet e kulturës apo godinat arsimore, dhe ne jemi krenarë që do të bëjmë të mundur edhe rikonstruksionin e këtij objekti”, përfundoi Sako.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›