E Premte, 6 Nëntor 2026

Në krah të SPAK-ut apo të monumentit të korrupsionit te “rruga e shpresës”, Rama për opozitën: Kush janë në fakt?!


TIRANË, 28 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj qëndrimit të deputetëve të opozitës mbi projektrezolutën antikorrupsion të miratuar dje në Kuvend.

Kryeministri ndau në rrjetet sociale momente nga debati në seancën e djeshme të Kuvendit, në përfundim të së cilit u miratua me 76 vota pro projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.

“’Kush je?’ ‘Ore kush jeni?’ Kush janë në fakt?”, u shpreh Rama, ndërsa solli në vëmendje pjesë nga qëndrimi në Kuvend i ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilët iu drejtuan kolegëve të tyre opozitarë. “I dashur koleg! Sa herë të shoh dhe të dëgjoj pyes veten kush je. Je ai që lufton me fjalë korrupsionin këtu apo ai që i shkon poshtë ballkonit të liderit tënd të ri, të vjetër për të mbrojtur shtatoren e korrupsionit. Je ai që lufton për drejtësi me SPAK-un me fjalë goje, apo je ai që merr porositë për të folur këtu nga goja ‘rruga e shpresës’, që nuk pushon së hedhur baltë e vrer mbi SPAK-un. Kush je koleg, kush je?! Je ai që kërkon hetim dhe ndëshkim për babin e Zenit, apo je djali i sapo adoptuar i babait të Zenit. Të ndryshosh mendje nuk është mëkat Gazi, por të kesh dy mendje është hall i madh. Sado ta kuptoj hallin, nuk ta qaj dot”, u shpreh Spiropali, duke iu drejtuar kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Ndërsa ministri Manja duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, u shpreh se “një pjesë prej jush kam edhe dy mandate që ju kam këtu dhe s’di me kë kam të bëj tani”.

“Kush je? Je ky që je këtu, apo je ky që je atje. Tani unë dua të pyes, ore ju jeni këta që jeni këtu që luftoni korrupsionin paradite në Kuvend me llogje, apo jeni ata që shkoni te ‘rrugica e shpresës’ pasdite? Se e dua një përgjigje. Mirëpo unë e kam pak ndryshe pyetjen. Ore kush jeni në fakt, sinqerisht, se kolegë jemi? Se ju shoh ca me kollare kundër antikorrupsionit dhe ca me bluza veshur që mbroni monumentin e korrupsionit. Ore, jeni ju që doni të rrëzoni qeverinë, se sipas jush kjo qeveri është e korruptuar, apo jeni ata që doni të sillni në qeveri atë që e keni në kat të 8-të dhe që sipas drejtësisë së këtij vendit tonë dhe që ju ia qani hallin nga mëngjesi në darkë, është i akuzuar për korrupsion domethënës. Na e thoni sinqerisht, kush jeni? Se ju kam përballë çdo ditë të enjte, ju kam kolegë”, tha Manja.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›