E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të Jimi Hendrix

Kushton 2 milionë dollarë dhe do të inaugurohet në vitin 2012, kur muzikanti i madh do të mbushte 70 vjeç. Parku do të ketë hapësirë për koncerte dhe do të jetë i rrethuar me gurë të mëdhenj mbi të cilët do të shkruhen tekstet e këngëve të tij.

Dymijë e njëmbëdhjeta do të kujtohet si viti i Jimi Hendrix dhe kitarës së tij, “Fender Stratocaster”. Pikërisht në ditët kur revista “Rolling Stone” e kurorëzoi si kitaristin më të mirë të të gjitha kohërave (në këtë klasifikim, pas tij u renditën Eric Clapton dhe Jimmy Page), qyteti i Seatle vendosi të ndërtonte një park me emrin e tij, natyrisht në formën e kitarës.

Fondet e mbledhura për realizimin e kësaj vepre publike kanë ardhur kryesisht nga donacionet e motrës së muzikantit, Jenny. Parku “Jimi Hendrix” do të ndërtohet në zonën e shkollës së vjetër Kolman, në pjesën qendrore të qytetit. Inaugurimi është parashikuar në 2012-n, vit në të cilin Hendrix do të kishte festuar 70-vjetorin e tij, duke qenë se kishte lindur më 27 nëntor të vitit 1942.

Jimi ishte një prej ikonave më të mëdha të viteve ‘60. Vdekja e tij konsiderohet një nga ngjarjet më të trishtuara të historisë së muzikës rok. Hendrix ishte një nga artistët më të shfrytëzuar nga industria diskografike, që nuk hezitoi të publikonte të gjitha pjesët e luajtura prej tij. Jimi regjistroi dy albume të mëdha (të parin dhe të tretin), por mbi të gjitha i dha jetë një stili loje në kitarë, që në fakt ishte më shumë se një stil. Kitara e tij hapi dyer të reja për eksperimentimin mbi këtë instrument muzikor. Improvizimi i tij përdorej jo vetëm në kitarë, por edhe në tastiera e çdo instrument tjetër ku dominonte muzika rok.

Rasti i Hendrix si kitarist është unik në historinë e muzikës moderne. Ai është sistematikisht në krye të të gjitha klasifikimeve të kritikëve të botës, madje edhe mbi ata të xhazit. Lartësia e tij si kitarist është e njëjtë me atë të Beethoven-it në simfoni. Nga pikëpamja teknike, merita e tij ishte hapja e horizonteve të reja për kitarën elektrike, instrumenti më i njohur i muzikës rok. Në ekstremizmin e tij muzikor u gërshetuan së bashku elektrifikimi, amplifikimi, improvizimi, bluzi, xhazi dhe roku. Teknika e tij u bë e pranishme në çdo vend. Hendrix “shpiku” kitarën elektrike, lartësoi fuqitë tonale dhe timbrike, duke e përdorur në të gjitha mënyrat e mundshme. Në duart e tij kitara bëhej një orkestër, një makinë e madhe tingujsh. Improvizimi fillonte nga bluzi, por tema për t’u shprehur ishte e lirë, duke përfshirë gjithçka.

Në park, i cili mendohet se do të kushtojë dy milionë dollarë, përveç një hapësire koncertesh, do të ketë gjithashtu edhe një hapësirë tjetër publike si “Northwest African American Museum” (“Muzeu Veriperëndimor Afrikan Amerikan”) i qytetit, ndërkohë që rrugët me pemë anash do të jenë rrethuar me gurë të mëdhenj mbi të cilët do të shkruhen tekstet e këngëve më të famshme të Hendrix. Dizenjoja përfundimtare e parkut u vendos në verë të vitit të kaluar pas tre takimeve publike ku u shqyrtuan tri zgjidhjet e mundshme të vëna në dispozicion nga studioja “Murase Associates”: një kitarë, një lule në formë spiraleje dhe një flutur.

Hendrix nuk është muzikanti i parë të cilit i kushtohet një park publik: në Nju Jork, një pjesë e “Central Park” është quajtur “Strawberry Fields” dhe i është kushtuar kujtimit të John Lenon. Po ashtu, edhe parku i madh “Neverland Valley Ranch”, me 1400 hektarë dhe një vlerë prej 12 milionë dollarësh që i përkiste këngëtarit Michael Jackson, mund të hapë dyert për publikun, po gjithmonë nëse firma e hoteleve që e bleu në vitin 2008 nuk do ta shndërrojë në diçka tjetër.

Parku “Jimi Hendrix”, në Seatle, një prej iniciativave të fondacionit me të njëjtin emër, është një shenjë tjetër respekti për kujtimin e këtij artisti të madh; një rëndësi që Hendrix ka pasur për botën e muzikës dhe sidomos për kitarën dhe kitaristët.

Forma e parkut është një shenjë për rëndësinë e një muzikanti, që sipas Tom Morello-s, intervistuar nga revista “Rolling Stone”, “ishte në gjendje të shkatërronte idenë tonë mbi muzikën rok: transformoi mënyrën e të luajturit kitarë, për të përdorur pedalin e ‘wha wha’, revolucionoi mënyrën e të bërit shfaqje në studion e regjistrimit dhe në skenë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›