Në kuvend votohet një qeveri pa program

Vota e të djathtëve ishte kundër qeverisë “Rama”, kjo edhe për faktin se mazhoranca u paraqit në Kuvend me një program të cunguar i cili nuk pasqyron realitetin si dhe nuk janë përfshirë në të premtimet elektorale
Berisha, mazhorancës: Po e futët kokën poshtë tavolinës për 100 ditëshin, prisni të 40-at
Pas një maratone shume të gjatë dy ditore, mes debatesh dhe replikash të shumta, ditën e djeshme në orën 16:20 minuta, në kuvendin e Shqipërisë është bërë votimi i qeverisë së re, PS – LSI dhe programit të ri qeverisës. Ky votim është bërë me 82 vota “pro” dhe 55 vota kundër. Në seancën e votimit të qeverisë mungonin 3 deputetë. Deputeti Sali Berisha i Partisë Demokratike, deputeti Vasil Bici, i qarkut të Lezhës, i cili ka lënë mandatin dhe deputeti Vangjel Dule i PBDNJ-së. Gjatë seancës së sotme, përpara votimit për qeverinë dhe programin e saj, kanë diskutuar krerët e grupeve parlamentare në kuvend, Ilir Meta kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar për PD-në dhe Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar për PS-në. Kurse në fund fjalën përfundimtare e ka mbajtur kryeministri i ri, Edi Rama. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka deklaruar në emër të grupit parlamentar të LSI-së mbështetjen e plotë për qeverinë e re dhe të programit të saj qeverisës. Duke folur në sallën e Kuvendit, Meta ftoi kolegët e tij demokratë të votojnë “pro” programit të qeverisë së re. Vota e demokratëve ishte kundër qeverisë “Rama”, kjo edhe për faktin se mazhoranca u paraqit në Kuvend me një program të cunguar i cili nuk pasqyron realitetin si dhe nuk janë përfshirë në të premtimet elektorale.
Në fjalën e tij, ish kryeministri Sali Berisha kërkoi shtyrjen e diskutimit për programin e ri qeverisës. Sipas tij, opozita është e gatshme të diskutojë për programin pasi qeveria e re të mbushë 100 ditë në detyrë. “Zoti kryetar këtu nuk po diskutohet as për një program as për ndonjë qeveri. Kurrë nuk ka ndodhur që një qeveri të shqyrtojë programin përpara 100 ditëve. Unë propozoj që qeveria të marrë kohë, të shtyjmë punimet pasi pa 100 ditë nuk ecet. Merrni kohën, dhe ne jemi të gatshëm të diskutojmë për programin pas 100 ditëshit. Por po e futët kokën poshtë tavolinës për 100 ditëshin prisni të 40-tat”- tha Berisha.