Në lëkurën e kameleonit
Nuk e di si e ndien veten personi i cili gjendet në lëkurën e huaj. A i pengon? A është vetëm sistemi ai që ka faj ose duhet të ndryshojmë së pari diçka te vetvetja.
Këto ditë, Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy u takua me Dalai Lamën përkundër kundërshtimeve të rrepta të Qeverisë kineze dhe opinionit publik në Kinë. Shumë francezë nuk ishin dakord me këtë gjest të Presidentit të vet, pikërisht, për shkak të bojkotit të paralajmëruar ndaj Francës në fushen e ekonomisë.
Më ra ndër mend Presidenti francez, jo vetëm nga shkaku se ishte aktual këto ditë për takimin e tij ekscentrik me Dalai Lamën. Isha duke menduar për një detaj që më ka ndodhur ditëve të fundit.
Gjatë rrugës për në Ulqin u njoha me një shqiptare (nuk di a e konsideron edhe ajo veten ashtu dhe ndoshta do të ishte hidhëruar sikur ta dinte se si e kam "kategorizuar"). Si u njoftuam? Miku im me të cilin udhëtoja, deshi të më njohë me vendasen tonë të përbashkët. Por, ajo foli në gjuhën zyrtare dhe mbiemri i saj ishte me mbaresën sllave. M`u duk pak vetja komike në sytë e vetvetes. Dy shqiptarë që komunikojnë në gjuhë zyrtare, joshqipe. M`u desh ta precizoj këtë dhe të them "joshqipe", sepse në mjediset ku jetojnë shqiptarët në përdorim zyrtar është edhe gjuha shqipe. Jo vetëm që ishte situatë komike, por, ishte edhe poshtëruese për mua. Më është dukur se kam hyrë në lëkurën e dikujt tjetër dhe se më duhet ta luaj rolin sikur që e luan aktori në skenë. Gjegjësisht, roli zgjati sa zgjati edhe biseda me bashkudhëtaren tonë në autobus.
E më ra ndër mend Presidenti francez, sepse jo vetëm që më mahniti për gjestin e tij i cili porosit se liria personale është mbi të gjitha, por, për shkak të mbiemrit të tij ekzotik në detin e emrave francezë. Është gjë e njohur se Sarkozy është biri i emigrantëve hungarezë, me origjinë hebreje nga Selaniku, emri i plotë i të cilit është Nicolas Paul Stephane Sarkozy de Nagy - Bocsa. Por, edhe para se të dihej ky fakt, kur ishte në garë për President, më zgjonte kureshtje mbiemri i tij i çuditshëm për një francez. Tash, pas detajit në autobus (e kësisoj detajesh ka në çdo hap, ndoshta edhe vendi - autobusi pikërisht i atij relacioni- ishte diçka simbolike), e pyes veten si e ndien veten në lëkuren e mbiemrit të vet Presidenti francez. Mirë, me siguri. Sepse është në lëkurën e tij natyrale.
Nuk e di si e ndien veten personi i cili gjendet në lëkurën e huaj. A i pengon? A është vetëm sistemi ai që ka faj ose duhet të ndryshojmë së pari diçka te vetvetja. Më bie në mend edhe një shembull karakteristik, ai i Benjamin Disraelit, kryeministër i Anglisë në shek. XIX. Ishte nga familje intelektualësh hebrenjë të cilët mërguan nga Spanja në Angli në shek. XVI. Paramendoni çfarë vetëdije për vetveten duhet të posedojë dikush që të mos heq dorë nga mbiemri familjar Disraeli (i Izraelit) në një mjedis plotësisht të huaj. Do t`i citoj fjalët e tij të krenarisë që është hebre: "Yes, I am a Jew, and when the ancestors of the right honorable gentleman were brutal savages in an unknown island, mine were priests in the temple of Solomon". (Po, jam hebre, dhe, derisa paraardhësit e një zotëriu të drejtë dhe të respektuar ishin egërsira brutale në një ishull të panjohur, paraadhësit e mi ishin priftërinj në tempullin e Solomonit".
Po, do të thoshte dikush, ai ka jetuar në Angli. Po, do të përgigjem unë, për ata që e preferojnë lëkurën e kameleonit, asnjë mjedis nuk është i momentit.