Pas 18 vitesh demokraci, kemi ende një opozitë të shëmtuar, të kapur nga dosjet e Sigurimit
Grupi Parlamentar i PD-së shprehet pa mëdyshje për të votuar projektligjin për hapjen e dosjeve për bashkëpunëtorët e regjimit enverist, por mbetet skepticizmi, pas një qendrimi të shëmtuar të lidershipit socialist, i cili gjendet i kapur nga dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe e kaluara kriminale e të majtës ish-komuniste. Pak shpresa për spirale negociatash gjatë kësaj jave
TIRANE - Kryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar ditën e djeshme reagimet më të fundit të Partisë Socialiste e cila edhe pse ishte deklaruar kundra votimit të projektligjit “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë”, e tregoi këtë edhe në mënyrë demonstrativë duke u larguar nga salla e Kuvendit, duke e bërë kështu të pamundur kalimin e këtij projektligji në Parlament.
Nisur nga ky reagim i opozitës, kryetari i Grupit Kuvendor në PD, Astrit Patozi deklaroi dje gjatë një dalje për mediat se “Arsyeja pse ky ligj nuk u votua ishte thjesht dhe vetëm pasi disa deputetë gjatë diskutimit kërkonin ndryshimin e disa neneve të këtij projektligji”. Patozi sqaroi më tej se “Në respekt të Kushtetutës dhe iniciativës ligjvënëse të çdo deputeti ishte e detyrueshme që Komisioni i Ligjeve të shqyrtonte të gjithë këto amendamente”.
Duke argumentuar mosmbledhjen e komisionit si shkak të zgjatjes deri në orët e vona të seancës plenare Patozi u shpreh se “Ky komision këtë detyrim e kreu sot me shumë seriozitet dhe përgjegjshmëri dhe ajo që pritet tani është thjesht dhe vetëm që brenda pak ditësh Kuvendi të miratojë ligjin të ashtuquajtur të “dosjeve”, apo ligjin për “Pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë”.
Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së theksoi se “Grupi parlamentar i Partisë Socialiste dje bëri një figurë shumë të shëmtuar, dhe ky është një lajm shumë i keq për publikun që forca kryesore e opozitës, që edhe pas 18 vjetësh pluralizëm politik në Shqipëri, gjendet ende e mbërthyer në të shkuarën kriminale të diktaturës komuniste”, tha Patozi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Astrit Patozi shprehu gjithashtu dhe pritshmërinë nga opozita, duke deklaruar se “Ajo që mund të pritet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, apo nga vetë PS-së është të reflektohet gjatë këtyre ditëve të ndryshojë qëndrimin, për të bërë një gjest të vetëm që të distancohet nga krimet e diktaturës, të distancohet nga fosilet e sigurimit të shtetit që ende janë e kanë mundur të kacavirren në institucionet tona”, tha Patozi.
Ai nuk e fshehu gjithashtu edhe skepticizmin e tij për sa i përket qëndrimit socialist, duke pasur parasysh këtu seancën e fundit plenare, edhe pse sipas Patozit mazhoranca ka qenë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me opozitën.
Duke sqaruar detajet e projektligjit të dosjeve, Patozi u shpreh se “ne kemi bërë që në thelbin e këtij projektligji të prevalonte varianti çek”, ndërkohë që sipas tij “ka pasur shumë zëra brenda grupit parlamentar të PD-së që kanë dëshiruar një variant shumë radikal, i cili mund të ishte varianti polak, apo ndonjë variant tjetër i ish-vendeve komuniste”. Duke i konsideruar të mbyllura variantet procedurale, Patozi deklaroi se e vetmja mundësi që i mbetet opozitës “është që të reflektojë dhe që të ndryshojë pozicionin tërësisht të shëmtuar që mbajti në seancën plenare”.
Patozi u shpreh i sigurt se “Grupi Parlamentar i PD-së nuk ka asnjë mëdyshje që do ta votojë këtë projektligj”.