E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në llumin e gjykatësve

Share

Nga Mero Baze

Edhe pse pa pikën e transparencës dhe seriozitetit, gara presidenciale po formon një identitet të sajin, i cili tregon më së miri problemet e atyre që po përpiqen të zgjedhin presidentin. Thuajse të gjitha propozimet serioze apo gjysmë serioze të shkuara nga tavolina e Ilir Metës dhe Sali Berishës, në celularin apo tavolinën e Edi Ramës, janë gjykatës. I pari i tyre, Xhezair Zaganjori, i cili ka dalë si propozim formal, vjen nga një background politik në drejtësi, i lidhur ngushtë me Berishën, dhe larg vëmendjes së opinionit publik para këtij momenti. I dyti në listë pas tij, që i është lakuar emri, është Besnik Ymeri, një anëtar i Gjykatës së Lartë, shumë i afërt me socialistët në kohën e Fatos Nanos, i futur prej tij në sistemin e drejtësisë, por që pas vitit 2007 ka qenë një nga gjyqtarët që ka firmosur pro mbylljes së çështjes së Lulëzim Bashës dhe më pas Fatmir Mediut në Gjykatën e Lartë. Ky, ndryshe nga të tjerët, është treguar më inteligjent dhe nuk ka pranuar as ti lakohet emri sapo është pyetur.

Emri i radhës, që po ashtu përcillet nga një tavolinë në tjetrën, është ai i gjyqtares Vitore Tusha. Profili i saj si gjyqtare është normal, por shkuarja e saj në Gjykatë Kushtetuese ndodhi pas një periudhe tranzicioni si avokate e lirë, e cila për gati dy vjet zëvendësoi praktikisht Argita Berishën në gjithë çështjet e zyrës së saj, së bashku me kolegen Flutura Kola. Meqë Argita u vu në qendër të vëmendjes së medies, herë si person fizik e herë si sh.p.k, herë si avokate që kërkonte tre përqind fee success për firmën e babait kryeministër, e herë si e autorizuara e gjithëpushtetshme e Fazlliçit, e mbylli formalisht zyrën e saj dhe punët i transferoi tek kjo avokate. Fill pas kësaj i shndriu ylli dhe u bë anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Më tej lista e emrave vazhdon përsëri me njerëz nga fusha e drejtësisë, a thua se aty mund të gjendet shpëtimi për krizën presidenciale. Nuk dua të përmend me emra të tjerë, pasi është e dëmshme të faktorizojmë anonimë që kanë bërë ndere për politikanë në këtë vend, por fakti që gjithë kërkimet sillen rrotull personazheve të përdorur nga politika në sistemin e drejtësisë, zbulon dhe hallin kryesor që ka politika me presidentin e ardhshëm. Ai është drejtësia. Tre gjyqtarët që përmenda mund të jenë njerëz të nderuar në punën e tyre, por fakti që në drejtësi janë përfshirë përmes shërbimeve politike, i bën ata objektiv për tu ripërshkuar nga politika si njerëz te sigurt dhe për tu përdorur më tej në postin e presidentit që mund të ndikojë shumë në sistemin tonë të drejtësisë.

Pra, kriza reale e politikës shqiptare, që janë raportet e saj me drejtësinë, po përcakton dhe identikitin e presidentit që ajo po kërkon, dhe që është një personazh që vjen nga bota e sistemit të korruptuar gjyqësor të Shqipërisë.

Ky në fakt përveçse është një shqetësim serioz, që ka të bëjë me hallet reale të politikanëve shqiptarë, është dhe një gabim i rëndë, pasi po i drejtohemi kategorisë më të korruptuar të shoqërisë shqiptare për të gjetur shpëtim. Nga gjithë sondazhet, studimet, raportet ndërkombëtare e kombëtare, sistemi ynë gjyqësor rezulton më i korruptuari, më i varuri nga politika, më joprofesionali dhe më i papërgjegjshmi se çdo pushtet tjetër në shoqëri. Qoftë dhe për këtë arsye ne duhet të refuzojmë një emër që vjen nga ky sistem, dhe aq më keq emra që janë produkte politike në këtë sistem. Presidenti është një nga mekanizmat që mund ta reformojë dhe ta ndryshojë për mirë sistemin e drejtësisë dhe kërkimi i politikanëve tanë brenda këtij gjirizi, për të gjetur dikë që të shpëtojë sistemin, është shenjë e dëshirës së tyre që kjo gjendje të vazhdojë dhe korrupsioni në drejtësi të diktojë tashmë dhe politikën. Duke qenë se gjyqtarët tanë kanë dhënë prova të qarta se nuk janë as të majtë, as të djathtë, por thjesht të korruptuar, ata janë formalisht më të përshtatshëm dhe të pacipë për të qenë të paanshëm politikisht deri në marrjen e postit dhe shërbëtorë të politikës dhe krimit kur janë në detyrë. Edhe pse kjo që them është paksa e rëndë dhe mund të fyejë ndonjë gjyqtar që ende nuk është i përfshirë në të këqijat e këtij sistemi, dëmet që ata i kanë prodhuar shoqërisë shqiptare këto 20 vjet janë më të rënda se dëmet që ka prodhuar çdo pushtet tjetër.

Është interesant për shembull se tashmë gjithnjë e më shumë po harrohen diplomatët dhe politikanët në këtë garë. Zef Mazin, të cilin e kanë emëruar ambasador demokratët dhe socialistët, nuk e zë njeri në gojë. Artur Kukon, që e sollën më 2002-in me biletë njëdrejtimëshe, po ashtu e kanë harruar. Politikanë popullorë të së majtës dhe së djathtës që njihen së paku si të pakorruptuar si Pandeli Majko apo Dashamir Shehi, por dhe të tjerë që sdua ti përmend, nuk do ti kujtojë më njeri, edhe pse atyre u kemi besuar shtetin në periudha të vështira. Tani diskutohet për atë që njeh Nari, Liri, Çimi, Zeni etj. Ky është një turp dhe një mungesë e madhe dashurie për këtë vend.

Vetëm disa javë më parë kur në parlament diskutohej kandidatura e Elvis Çefës dhe Adrian Vishës, demokratët me të drejtë, por pa sinqeritet, refuzuan kandidaturën e Vishës pasi thanë se ai është pjesë e sistemit të drejtësisë dhe duhet dikush jashtë sistemit ta ndryshojë. Tani për postin e presidentit ata po gërmojnë bash në zemër të këtij gjirizi, aty ku kanë çuar me dorën e tyre shërbëtorët e tyre. Kjo tregon se politika shqiptare më shumë se një zgjidhje për shqiptarët, kërkon një rrugëzgjidhje për veten. Ti shpëtojë gjykimit dhe ndëshkimit për ato çfarë kanë bërë në këtë vend, që nga vrasjet për para si në Gërdec, vrasjet për politikë në bulevard dhe milionat e fituara në mënyrë të paligjshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›