Në mars, bisedime të reja për heqjen e plotë të vizave me Europën
Bashkimi Europian mund të konsiderojë mundësinë e liberalizimit të plotë të regjimit të vizave me Shqipërinë. Kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Ligjore në BE, Franko Fratini, ka konfirmuar gjatë takimit që zhvilloi dje pasdite në Bruksel me Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, Ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe atë të Integrimit, Majlinda Bregu, se brenda muajit të ardhshëm do të vizitojë Tiranën, ku pas një vlerësimi të përmbushjes së detyrave nga ana e qeverisë shqiptare dhe ministrive të linjës, do të shihet me seriozitet mundësia e shtrirjes së mëtejshme të kategorive që përfitojnë nga liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian, deri në heqjen e plotë të barrierave. Eurokomisioneri Fratini është shprehur i impresionuar nga arritjet e deritanishme të qeverisë në fushat kryesore, në një kohë që ka inkurajuar ministrat e kabinetit që të risin me tej rendimentin, si e vetmja mënyrë për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të plotë të rregjimit të vizave. Tre ministrat e qeverisë Berisha kanë zhvilluar takime të përbashkët dhe të veçanta me zyrtarë të lartë të BE dhe Parlamentit Europian, ku kanë raportuar në lidhje me arritjet e deritanishme luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në drejtësi, kontrollin e kufijve, kartat e reja të identitetit, pasaportat biometrike etj. Në këtë kuadër Nishani, Alibeaj dhe Bregu janë takuar me Drejtorin e Zgjerimit në KE, Majkëll Li, i cili pasi ka vlerësuar ecurinë e reformave, ka dhënë mbështetje të plotë për ecurinë e reformave. “Psikoza e një reforme, duhet që të jetë krijimi i një procesi bashkëpunimi mes palëve. Nëse do të kemi një bashkëpunim të tillë, kjo reformë do të ketë një fillim. Deri në nëntorin e ardhshëm do të mundësohen që të arrihen standardet europiane” - ka deklaruar Ministri Alibeaj. Nga ana e saj edhe ministrja e Integrimit pasi ka bërë një ekspoze të zgjeruar të ecurisë së ratifikimit te Marrëveshjes së Stabulizim-Asocimit për të cilën ajo pranoi se ka patur veçse disa pengesa teknike dhe se gjithë procesi mbaron në fund të kësaj vere, është shprehur optimiste për ecurinë e reformave, në sajë edhe të klimës bashkëpunuese të krijuar në Kuvendin e Shqipërisë mes pozitës dhe opozitës. “Fundi i vitit 2009 do të thotë një progres-raport tjetër që të vlerësojë reformat e ndërmarra. Nëse do të ketë një përmirësim të dukshëm në sistemin gjyqësor dhe atë elektoral, Bashkimi Europian do të jetë gati për te hedhur hapin tjetër” - deklaroi Bregu.
Re. Po