PS, e vendosur të refuzojë skemat antikushtetuese të Skënder Gjinushit
Në kushtet e degradimit ideor dhe konceptual të prodhueshmërisë programore dhe politiko-ideore sipas përshtatjeve me situatat aktuale në vend, PS dhe kreu i saj Edi Rama, përveç llomotitjeve mediatike, për mospërdorim të reformës zgjedhore në interesa partike, nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje konkrete qoftë edhe me një propozim sado minimal. Kësisoj, nëse dikush është i interesuar për të mësuar një zhvillim real nga opozita mbi reformën zgjedhore, do të dëgjojë të njëjtat perifrazime dhe fjalë të përsëritura nga të gjithë eksponentët e selisë rozë, duke filluar nga Rama e deri të bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Islami. Megjithatë, PS është përqendruar tek llojet e listave, që do të thotë një sistem proporcional të cilën e kanë shprehur edhe para pak ditësh. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, deputeti socialist, Kastriot Islami, konfirmoi dje, se PS është për një sistem zgjedhor sipas standardeve europiane. “Ka dy lloj listash kur bëhet fjalë për sistemet proporcionale, apo sistemet e përziera që kanë një pjesë të proporcionalit. Ose lista është e mbyllur dhe kjo vendoset nga partia në bazë të rregullave, mekanizmave dhe statutit të partisë, ose varianti i dytë është ai që quhet votë preferenciale”, tha Islami. Sipas tij, votë preferenciale do të thotë që lista ka emrat e kandidatëve dhe është votuesi ai që përzgjedh emrin, apo emrat e kandidatëve që ai dëshiron, pra është votuesi që bën renditjen e tyre në listë. “Lista që kërkohet në Shqipëri është jashtë standardeve, sepse lista që është aplikuar në Shqipëri është një listë ku kryetari i partisë vendos emrin e tij i pari, dhe është e mbyllur për kryetarin dhe e hapur për të tjerët. Për më tepër votuesi nuk është ai që vendos kryqin apo renditjen, por ka një formulë që votuesi nuk e shikon dhe kjo vendoset mbas zgjedhjeve”, deklaroi ai. Në këtë drejtim, ai konfirmoi se PS është e hapur për cilindo model, ndërkohë që sqaroi se “PS preferon listën e mbyllur, pasi vota preferenciale ka dy defekte të tjera”. “Shqipëria ende nuk ka realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe i sugjerohet një sistem sa më i thjeshtë. Sistemi sa më i thjeshtë është lista e mbyllur”, vuri në dukje ai, duke iu referuar listave të sistemit elektoral. Ndërkaq, pritet që gjatë ditëve në vazhdim, diskutimi për reformën zgjedhore të marrë përmasa konkrete dhe jo vetëm llomotitje pa teklif nga përfaqësuesit e opozitës.