E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ne mbështesim perspektivën europiane të Shqipërisë - ju jeni shumë afër saj”

12-12-2012 / Gazeta 55

Micahel Link, ministri gjerman për çështje europiane
 
Në një prononcim për mediat shqiptare në Bruksel, ministri gjerman për çështje europiane, Micahel Link deklaron, se zgjedhjet nuk janë kusht për statusin e vendit kandidatit për Shqipërinë. Sipas ministrit, në 2013 Shqipërisë duhet të hedhë një hap konkret përpara në integrimin europian, por momentalisht, pa përmbushjen e kushteve, nuk mund të flitet për një datë të caktuar

A e mbështet Gjermania statusin e vendit kandidat dhe a i aprovoni konkluzionet, se nuk ka kusht të ri për statusin dhe se zgjedhjet mbeten një kusht për hapjen e negociatave?
Në rastin e Shqipërisë, duhen plotësuar kriteret kyçe për statusin dhe pastaj ne presim gjithashtu një zhvillim paqësor dhe të rregullt të zgjedhjeve tê përgjithshme që do zhvillohen në fund të qershorit. Ne e mbështesim shumë perspektivën europiane të Shqipërisë dhe ju jeni shumë afër saj, por së pari duhet të plotësohen kriteret. Ju jeni në një rrugë të mbarë për plotësimin e kushteve , por është ende herët për tê vendosur për akordimin konkret të statusit të kandidatit. Gjermania mbetet një mbështetëse e statusit në një të ardhme të afërt.

Por zgjedhjet nuk janë kusht për statusin apo jo ?
Jo, jo. Sigurisht që jo. Por të gjitha zhvillimet kanë peshën e tyre në integrimin europian. Ndaj është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, që ajo të tregojë, që vendi po avancon në këtë rrugë. Besoj, se 2013 duhet tê sjellë për Shqipërinë një hap konkret përpara, por tani është tepër herët për tê folur për data konkrete. Për zgjerimin, ne mendojmë, se të japësh data të qarta, gjë që ne e kemi bërë tepër shpesh në të shkuarën, kjo nuk jep frytet e pritura. Më e rëndësishmja për ne është që secili që do që të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, nuk duhet të lëvizë në minutën e fundit. Ky është një nga mësimet që kemi nxjerrë në të shkuarën nga shumë procese zgjerimi. Është thelbësore, që çdo shtet kandidat apo potencial kandidat të ecë në kohën e duhur në procesin europian dhe jo minutën e fundit, në mënyrë që të favorizojë mbështetjen nga shtete anëtare. Në këtë aspekt ka shumë për të bërë nga kandidatët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›