E Diel, 1 Nëntor 2026

Majlinda Bregu: Sfidë e qeverisë të mos lejojë asnjë bllokim

12-12-2012 / Gazeta 55

Tryeza e rrumbullakët Qeveri-Donatorë me temë “Integrimi evropian, statusi kandidat dhe sfidat për të ardhmen”

Ambasadori Sequi: Shqipëria ka qenë gjithnjë një aset i rëndësishëm për mirëkuptimin, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon dhe nuk shoh pse mos të jetë kështu në të ardhmen

Në tryezën e rrumbullakët Qeveri-Donatorë me temë “Integrimi evropian, statusi kandidat dhe sfidat për të ardhmen”, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu deklaroi se Bashkimi Evropian mbetet për shqiptarët dhe qeverinë shqiptare një aspiratë më se legjitime si një entitet i bazuar në vlerat njerëzore dhe demokratike, si një faktor paqeje, sigurie dhe prosperiteti në kontinent dhe në botë. “Viti 2012 mund të konsiderohet si i suksesshëm për Qeverinë shqiptare për sa i përket arritjeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Këto arritje u evidentuan edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian që përcaktoi se Shqipëria e ka zbatuar mirë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe se ka luajtur rol konstruktiv në rajon dhe më gjerë. Po bazuar në këto arritje Komision Europian propozon dhënien e statusit kandidat me kushtin e miratimin të tre nismave të mbetura”, deklaroi ministrja Bregu.
Më pas ministrja e Integrimit vuri në dukje se “sfida e parë është që asnjë vendim politik nuk duhet të tolerohet nëse shkon kundër dëshirës dhe aspiratës së qytetarëve e nëse bllokon procesin e integrimit. Sfida e kësaj qeverie është të mos lejojë, në asnjë ditë, që një vendim politik që bllokon procesin e integrimit, të bllokojë dhe realizimin e reformave të ndërmarra nga kjo administratë dhe nga kjo qeveri”.
Ndërsa sfida e dytë, theksoi ministrja Bregu “është të ftojmë e të riftojmë opozitën dhe liderin e saj, që të mos vazhdojë më tej bllokimin e procesit të integrimit dhe që sigurisht të votojë, siç kanë votuar gjatë këtij viti në parlament 22 ligje me 3/5-at, e të mos i rikthehen qasjes se idesë, se bllokimi është fitore”.
Po ashtu sfida e tretë, vijoi ministrja e Integrimit “është të vazhdojmë të ftojmë e të riftojmë sigurisht të gjithë ata që janë të përgjegjshëm në politikën shqiptarë që të kuptojnë se ky është procesi nga i cili duhet të fitojnë të gjithë shqiptarët dhe s’ mund të fitojë vetëm axhenda e ngushtë partiake. Sfida tjetër, duke qenë se jemi në një tryezë donatorësh, është të ftojmë të gjithë donatorët dhe të gjitha ata që bëhen zbatues të fondeve të asistencës komunitare në Shqipëri, jo vetëm të fondeve, projekteve, duke besuar njëkohësisht se këtu ka një administratë e cila jo çdo gjë e fillon çdo ditë nga e para. Nuk janë pak fondet të cilat i alokohen Shqipërisë. Nuk janë pak as fondet e asistencës teknike që alokohen çdo vit vetëm nga fondet e IPA-s. Kemi mbërritur në vitin 2012 me një ndarje 50 për qind me 50 për qind të fondeve të asistencës teknike dhe të fondeve për infrastrukturë, ndaj do ishte shumë me vend që të gjitha këto fonde të drejtoheshin në reformat të qenësishme me rezultate konkret dhe jo vetëm në pagesa ekspertësh, që nganjëherë do të ishte mirë, po e përsëris, të linin projekte konkrete në vend”.
Ministrja Bregu ka numëruar arritjet dhe punën që është bërë në përmbushjen e 12 prioriteteve, duke thënë se politika bllokuese dëmton gjithë shqiptarët. Ndërkaq me një pyetje retorike, ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi ka deklaruar se unioni europian do të kushtëzojë statusin me zgjedhjet nëse Shqipëria vetëkushëtzohet prej tyre. Ambasadori Sequi tha se nuk kishte një përgjigje nëse një vendim pozitiv për Shqipërinë do merrej pas zgjedhjeve të 2013, por tha se uronte që lajmi i mirë të vinte sa më shpejt. “Unë do i përgjigjesha pyetjes suaj me një pyetje tjetër a do të kushtëzohet Shqipëria nga periudha zgjedhore” tha ai.
Shqipëria refuzohet për herë të tretë në marrjen e statusit, pasi nuk plotësoi kriteret këmbënguli Ambasadori, duke shtuar se vetëm pasi të miratohen tre ligjet e kërkuara, KE-ja do të hartojë edhe raportin për vendin tonë. “Në tetor Komisioneri Fule tha që KE ka rekomanduar statusin, por duke u plotësuar disa kushte. Komisioni Europian kërkoi miratimin e tre ligjeve për statusin dhe vijimin e luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Komisioneri Fule tha që KE-ja do të hartonte një raport tjetër për Shqipërinë, sapo të plotësoheshin 3 kushtet. Janë shtetet anëtare të BE që do të marrin vendimin për statusin sipas rekomandimit të KE-së dhe ky takim do të zhvillohet pasi Komisioni Europian t’i ketë thënë vendeve të BE që Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Shqipëria për momentin nuk i ka plotësuar kushtet dhe KE nuk ka hartuar një raport për vendet e BE-së” ka theksuar Sequi.
Sipas një sondazhi 87 për qind e tyre duan të jenë qytetarë të vërtetë europianë tha ambasadori Sekui duke numëruar tre shtyllat e rëndësishme për integrimin. “Vullneti i shqiptarëve, që është bërë i qartë në 20 vitet e fundit, ku ata kanë treguar se duan të integrohen; te vullneti i klasës politike shqiptare, integrimi duhet të jetë objektiv kombëtar dhe plotësimi i reformave mbeten në axhendën tonë për Shqipërinë, transformimi i vendit në demokraci funksionale dhe vullneti i BE dhe i donatorëve”.
Sipas ambasadorit, sapo të miratohen ligjet, shtetet anëtare të BE-së do të informohen dhe në mbledhjen e radhës do të vendosin nëse Shqipëria do të jetë vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Për sa i përket rolit të Shqipërisë në rajon, Sequi tha se, “Shqipëria ka qenë gjithnjë një aset i rëndësishëm për mirëkuptimin, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon dhe nuk shoh pse mos të jetë kështu në të ardhmen. E kemi vlerësuar gjithnjë shumë rolin që ka luajtur Shqipëria tradicionalisht në këtë aspekt”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›