Në mbledhjen e sotme, sipas programit dhe seriozitetit që na ka karakterizuar po marrim në shqyrtim Strategjinë e draftit Kombëtar të Energjisë, si pjesë të Strategjisë Kombëtare të Zhvill
Në mbledhjen e sotme, sipas programit dhe seriozitetit që na ka karakterizuar po marrim në shqyrtim Strategjinë e draftit Kombëtar të Energjisë, si pjesë të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social të vendit, si angazhime prioritare të Qeverisë ku bëni pjesë dhe si detyrë që duhet të vinte brenda qershorit për shqyrtim dhe miratim.
Ky dokument demonstron edhe një herë angazhimin tonë qeverisës për zgjidhje afatgjata dhe të plota të problemeve kritike që ka energjetika në Shqipëri. Anagazhimet që kemi marrë janë konkretizuar edhe para hartimit të strategjisë në mbështetje buxhetore vit pas viti edhe në 2003, prognozat e qëndrueshme dhe realiste që për vitin e ardhshëm t'i japim një zgjidhje shumë të qëndrueshme furnizimit me energji të popullatës, të ekonomisë dhe arritjeve të derisotme.
Më lejoni të risjell në vëmendjen tonë të përbashkët, objektivin kryesor që mishërohet në strategjinë që shqyrtojmë sot, që është përfundimi i strukturimit të sektorit të energjisë drejt privatizimit përfundimtar për ta sjellë këtë treg dhe sistem në parametra bashkëkohor. I përgatitur institucionalisht nën drejtimin e Ministrit të Energjisë kjo strategji synon të përcaktojë ndryshimet që duhen menaxhuar për stabilizimin dhe ristrukturimin e sistemit energjitik në Republikën e Shqipërisë, duke përfshirë opsionet e ndërhyrjes në sistemin e furnizimit me burime të optimizimit të tyre në raport me nevojat, çështjet e legjislacionit, të organizmit dhe të pronësisë që ndërthuren në sektorin shqiptar të energjisë.
Strategjia Kombëtare e Energjisë natyrshëm vjen si një dokument që nxit tregun dhe shtetin, përmbush nevojat e konsumatorëve nga familjet te sipërmarrja, duke konsoliduar, zhvilluar dhe integruar përfundimisht tregun e energjisë elektrike me rajonin dhe më gjerë.
Aksionet e ekzekutivit që do të ndiqen në zbatim të kësaj strategjie vijnë natyrshëm në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit midis vendeve të Europës Juglindore, sjellin standartet e BE si objektiva për tu implementuar dhe respektuar në marrëdhëniet e brendshme administrative dhe ekonomike, si dhe nxisin aktivizimin e resurseve dhe të interkonjeksioneve, që i bëjnë burimet energjitike të vendit konkuruese me ato të rajonit dhe tregut global.
Duket se përfundimisht në dokumentin që shqyrtojmë sot si rezultat i shumë konsultave, debateve, zgjedhjes midis opsioneve të ndërtuar nga ekspertët më të mirë, po mundemi të shmangim ndërhyrjet spontane, ndryshimet dhe transformimet emergjencës, duke adaptuar plane veprimi afatgjatë dhe konkretë në objektivat tona të zhvillimit të qëndrueshëm.
Janë përdorur si bazë dhe mbështetje racionale eksperiencat e derisotme ndërkombëtare, të cilat tregojnë se duhet të vendoset një ballancë e drejtë midis mekanizmave të tregut dhe ndërhyrjeve të shtetit në këtë fushë, midis aspekteve tekniko-teknologjike dhe atyre të menaxhimit të energjisë, krahas mos-humbjes nga vëmendja të aspektit social dhe të përballimit të kostove sociale në reformë e sipër.
Strategjia e zhvillimit të sektorit energjitik që shqyrtojmë sot, në thelb është një shprehje e nevojave kombëtare që siguron zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare dhe realizon njëkohësisht mbrojtjen e mjedisit, në të gjitha fazat e shfrytëzimit dhe aktivizimit të përdorimit të burimeve energjitike të vendit dhe të importuara.
Vektorët në të cilët do të ecë zbatimi i kësaj strategjie për zhvillim të qëndrueshëm janë sigurimi i burimeve alternative të energjisë, pra elektrike, hidrokarbure etj. Meqënëse duhet të mbulojë nevojat e konsumit dhe një kosto të menaxhimit të minimizuar për kushtet e vendit, ky është një nga boshtet ku mbështetet e gjithë strategjia, e cila përfundimisht mban parasysh - dhe ky është një opsion që duhet të udhëheqë të gjithë diskutimet tona - nivelin e besueshmërisë së të dhënave bazë të përdorura në të gjitha analizat dhe përllogaritjet, skenarin energjitik të së ardhmes, saktësinë në përcaktimin e treguesve të përgjithshëm të zhvillimit dhe të këtij dokumenti strategjik për zhvillimin e energjisë dhe tregut të saj edhe asistenca me shumë vlerë që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe donatorë në mënyrë të intensifikuar gjatë vitit të fundit.
Kështu pra ky dokument ka inkorporuar natyrshëm edhe studimin më të fundit të Bankës Botërore për zhvillime perspektivë të sektorit të energjetikës.
Ky është rast shumë i mirë për t'i falënderuar me autoritetin e drejtuesit të Qeverisë të gjithë donatorët dhe institucionet ndërkombëtare për këtë pjesëmarrje, asistencë dhe kontribut të shquar dhe t'i garantoj njëkohësisht se Strategjia Kombëtare që po shqyrtohet per tu miratuar dhe zbatuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t' i ketë në themel të gjitha rekomandimet me vlerë të dhëna deri më sot dhe në proces prej tyre.
Më lejoni të theksoj paraqitjen e plotë për herë të parë të masterplaneve përkatëse për zhvillimin e të gjithë sektorëve energjetikë, gjenerim -transmetim -shpërndarje të energjisë elektrike: Masterplani i tarifave të energjisë për të gjithë grupet e konsumatorëve deri në vitin 2015; Masterplanet e nxjerrjes së naftës, të rafinimit të stokazhit të hidrokarbureve në tërësi dhe të gazit të lëngshëm në veçanti, si dhe rognetin e lidhjes së Shqipërisë me rrjetet ndërkombëtare, interkonjesionin elektroenergjetik të naftës dhe të gazit natyror, si strukture e këtij dokumenti strategjik.
Vëmendje e veçantë në këtë dokument i është kushtuar masterplaneve të kursimit të energjisë elektrike gjithashtu, dhe në veçanti energjisë elektrike, në sektorët e banesave, shërbimeve, industrisë, bujqësisë dhe transportit.
Një qartësi të madhe duket se krijojmë me këtë dokument të studiuar mirë për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, të asaj diellore, të hidrocentraleve të vegjël, të energjisë së erës dhe të biomasave, për plotësimin e nevojave në vend dhe për të përmbushur disa nga direktivat e rëndësishme të BE, që në sektorin energjetik dhe atë të mbrojtjes së mjedisit të jenë dhe në standartet për zhvillim të qëndrueshëm.
Më lejoni të falënderoj autorët, pra të gjithë personalitetet më në zë të kësaj fushe si Profesor Farudin Hoxhën, Dhori Kulen, Flamur Dilaj, Ylli Karapicin, Simon Ranxha, BashkimÇela, YlliÇabiri, Hysen Agolli, Përparim Hoxhën, Jorgaq Kacanin dhe inxhinier Ëngjëll Daci, të cilët me vërejtjet dhe propozimet e tyre kanë kontribuar në plotësimin e këtij dokumenti të rëndësishëm dhe të shpreh besimin se me të njëjtin përkushtim atdhetar do të ndjekin dhe monitorojnë implementimin e saj për shkak të autorësisë së përbashkët.
Punën e bërë në grup dhe angazhimin e treguar nga të gjithë specialistët për një periudhë të gjatë nën drejtimin e Ministrit dhe të Ministrisë së Industrisë dhe të Energjetikës do t'i shtohet gjithashtu kontributi teknik dhe shkencor i grupit teknik nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Energjisë.
Duke e vlerësuar Strategjinë Kombëtare të Energjisë si pjesë të Startegjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social sërish ju ftojmë të shqyrtojmë dokumentin e paraqitur.