E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mesditë, u zhvillua mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, në të cilën u morën në shqyrtim dhe u miratuan disa vendime të rëndësishme.

Sot në mesditë, u zhvillua mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, në të cilën u morën në shqyrtim dhe u miratuan disa vendime të rëndësishme.

U miratua "Rregullorja urbanistike për normat dhe standardet minimale urbanistike për urbanizimin e zonave informale, në funksion të ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve në zonat urbane".

Kryeministri Berisha, duke vlerësuar punën e bërë për hartimin e kësaj rregulloreje, bëri këto komente: "Dua të përgëzoj të gjithë ata punonjës të Institutit të Urbanistikës dhe të ALUIZNI-t, të cilët sollën sot një dokument themelor për njërin prej proceseve më të rëndësishme të reformave në Shqipëri, një prej shtyllave më kryesore të reformës së pronësisë dhe luftës kundër informalitetit, procesin e legalizimeve.

Ky proces, i cili për 8 vite u trajtua tërësisht në funksione elektorale, mashtruese, mbeti si vegu i Penelopës, caktoheshin fonde të cilat shpërdoroheshin dhe legalizimi nuk ecte. Unë kam kënaqësi të informoj ju dhe qytetarët shqiptarë se deri dje, kanë dorëzuar dokumentat dhe kanë bërë deklarimet për legalizim 264 mijë qytetarë për objektet e tyre. Në këta 264 mijë, 12 mijë janë pallate dhe shtesa, të cilat në vetvete nënkuptojnë së paku 100 mijë familje. Në këtë kontekst, ky është një nga proceset me ecurinë më të mbarë në këto 15 vite. Edhe privatizimi i 220 mijë apartamenteve që bëmë në vitin 1993 me cmime simbolike, mori më shumë se 8 muaj kohë. Faktikisht, ne më pak se 5 muaj, kanë shprehur vullnetin e tyre për të zbatuar ligjin e parlamentit, po të marrim parasysh edhe banorët e pallateve, rreth 340 mijë familje. Këtu nuk janë përfshirë ndërtimet në zonat turistike nga Velipoja në Ksamil.

Sic e shihni, një Shqipëri e dytë, shumë cilësore, më e bukur, u ndërtua nga qytetarët shqiptare gjatë këtyre 16 viteve me iniciativën e tyre të lirë. Ndaj le të bëjmë cdo përpjekje që ta kompletojmë këtë proces sa më shpejt. Kjo do të thotë të çlirosh këto qindra e mijëra familje nga pasiguria, nga presionet arbitrare, nga etiketat përcarëse. Kjo do të thotë t'ua shndërrosh qytetarëve këto ndërtime në pasuri të vlefshme, të valorizosh të gjithë pasurinë e tyre, do të thotë që në një kohë shumë të shkurtër, ky treg merr një potencim të jashtëzakonshëm. Brenda 15 ditëve shpallet fituesi i kompanisë që do të bëjë fotografimin ajror më të saktë të vendit. Kompani të mëdha kanë dëshmuar interes të madh, nga SHBA, Kanada, etj. për të kryer këtë proces.

Rregullorja vjen si një kuadër ligjor i domosdoshëm, për të proceduar me shpejtësi. Këtu unë gjej rastin të falënderoj të gjithë zyrtarët qendror dhe vendor që bashkëpunuan ngushtësisht dhe nuk zbatuan urdhërat e ish kryetarit, i cili sot mungon këtu, por i falet sepse është në coun down. Ora e tij po zbret dhe ai po numëron orët dhe ditët e fundit. Por nuk mund të mos thuhet se ai ishte një nga faktorët më kryesor të rracizmit ndaj këtyre qytetarëve, të bllokimit të procesit të legalizimit, sepse nga viti 2000 e deri më sot, të gjitha fondet që mori i shpërdoroi dhe nuk u bë legalizim. Mbolli edhe kumbulla të kuqe që nuk i pa askush ndonjëherë, që pësuan fatin e palmave të territ të Durrësit, palmmat që i morën në Tajlandë dhe u thanë ende pa i mbjellë.

Pra, ky është një proces i cili po ecën në mënyrë shumë të mirë dhe është vërtet një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Ndaj edhe ne duhet të kujdesemi për urbanizimin e këtyre ndërtimeve, të kujdesemi që këto zona të mos pësojnë fatin e modelit që u instalua në kryeqytet të studimeve të pjesshme, por t'u nënshtrohen planeve të përgjithshme rregullatore, në mënyrë që ato të shndërrohen në qendra të fuqishme zhvillimi urban, kudo ku janë, në Tiranë, Vlorë, Korçë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, kudo. Bumi i ndërtimeve është dëshmia më pozitive, zhvillimi më pozitiv i iniciativës së lirë në këto 15 vite. Prandaj ju ftoj ta miratojmë këtë rregullore me gjithë vërejtjet që u bënë"

* * *

U miratua "Detyra e projektimit për studimin e integruar të zonës turistike Rrashbull-Golem-Karpen".

Kjo detyrë projektimi është hartuar, në bashkëpunim, nga Instituti i Projektimeve Urbanistike, pushteti vendor në nivel komune dhe qarku dhe me asistencën e prefekturës së Tiranës. Sipas kësaj detyre projektimi, për zonën e Shkëmbit të Kavajës të mos parashikohen ndërtime në këtë zonë në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës-Kavajë dhe midis rrugës dhe hekurudhës. Në këtë zonë të përmirësohet gjendja ekzistuese në infrastrukturën rrugore dhe atë inxhinierike nëntokësore, lidhur me rrjetin e furnizimit me ujë, energji elektrike, telefoni dhe kanalizime.

Për zonën turistike të Golemit, të rishikohet studimi urbanistik për këtë zonë, me qëllim ruajtjen e vlerave mjedisore të saj, Po ashtu, në përputhje me masterplanin e rrugës së miratuar, të hartohet projekti i rrjetit të infrastrukturës inxhinierike, në lidhje me rrjetet e furnizimit me ujë, kanalizimet, energji elektrike, telefoni.

Ndërsa për zonën e Karpenit, kjo detyrë projektimi përcakton hartimin e studimit urbanistik të kësaj zone, ende të paprekur nga ndërtime, me qëllim ruajtjen e vlerave mjedisore të saj, duke patur parasysh dhe fenomenin e rënduar të erozionit gjatë bregut të detit në këtë zonë.

Përsa i përket kësaj detyre projektimi, Kryeministri Berisha bëri këto komente: "Golemi është dëshmia më flagrante e dominimit të krimit mbi ligjin, të mafjes mbi shtetin. Por duhet të kemi durim, sepse të jeni të sigurt që kjo qeveri nuk ka ndërmend të pajtohet me fakte të kryera. Jemi të vendosur t'i qëndrojmë ligjit, jemi të vendosur të mos përdorim të njëjtin standard për legalizimin në zonat turistike. Ata që kanë para, të cilët duan t'i derdhin sa më shpejt ku të munden, pasi nuk dinë ku t'i fusin, shkojnë dhe bëjnë batërdinë e Golemit, Sarandës, Ksamilit dhe me radhë. Unë mendoj se këta njerëz i kanë hesapet shumë të gabuara dhe po kryejnë një krim të shëmtuar. Ata po korruptojnë sot një polic ndërtimor, segmente të pushtetit, por ligjin nuk mund ta korruptojnë. Nuk do të mundin.

Unë zotohem këtu se mbetem gjithnjë i vendosur për të zbatuar ligjin me të gjithë forcën e tij. Disa herë e kam theksuar, mund të shkoni në Sarandë dhe të shikoni se si të del përbindëshi mbi qytetin, një qytet perlë i vërtetë i dominuar nga një përbindësh. Kjo ndodh në rërën dhe pishat e Golemit. Por të jeni të sigurt që ata që kanë prerë pisha dhe që kanë pushtuar rërën nuk do t'i gëzojnë ato pasuri. Ata nuk do të kenë fat tjetër veçse ligjin. Nëse merr përsipër të mbushësh xhepat e tu duke shkatërruar një pasuri të tërë kombëtare do të përballesh me ligjin. Njësoj si një bandit që fut një kamion me cigare kontrabandë, edhe ky u jep një grusht para disa nëpunësve dhe u bie me sopatë pishave. Por të harrojë se do të mund t'i gëzojë ato, t'i posedojë ato.

Ka qenë një periudhë kur ligji ishte minorancë mbi të gjitha minorancat dhe kjo ishte e qëllimshme, sepse qeveritarët ishin të parët që rendën si të cmendur të pushtojnë plazhet, të pushtojnë zonat turistike, qendrat e qyteteve. Kjo është e vërteta.

Natyrisht ligji nuk mund të bëhet me shpejtësinë e një vetëtime. Por në mënyrë absolute ligji do të veprojë me të gjithë forcën e tij. Eshtë e vërtetë që e kanë rrënuar Golemin, por është e vërtetë që mund të rikthehet Golemi, është e vërtetë që një plan kriminal urbanistik e ka çuar atë në këtë gjendje, por është e vërtetë se një plan tjetër urbanistik mund ta rikthejë atë dhe t'i japë të gjithë madhështinë që meriton. Zona në fjalë është zonë jashtë legalizimit, legalizimi i tyre do të ketë një procedurë ligjore tërësisht tjetër. Le t'i ngrenë katet e ndërtimeve, le të shkojnë edhe 50 kate, ata do të shohin fatin e tyre. Nëqoftë se ky vend investon për të kapur krimin në shpellat e Alpeve, ky vend nuk do të tolerojë krimin në mes të qyteteve. Ky vend do të vendosë shtetin ligjor dhe kjo është një domosdoshmëri absolute që qytetarët shqiptarë të jenë të lirë.

Duhet të marrin të gjitha penalitetet ata që kryen këtë krim të shëmtuar në Golem. Ajo zonë do të riurbanizohet. Do të bëhet një plan i ri urban i saj dhe mbi bazën e këtij plani të ri, do të bëhet urbanizimi i plotë i saj. Pastaj do të nisë mbjellja e pishave, zgjerimi i rrugëve, kanalizimet, etj. Ne nuk mund t'i nënshtrohemi masakrës, mafies, nuk mund të mposhtet shteti në këtë mënyrë. Ajo të jetë një nga zonat në të cilën ligji do të veprojë. Ne i kemi ndaluar disa abuzues. Por janë disa kompani që vazhdojnë si të cmendur duke prerë pisha dhe duke rrënuar pyllin, sepse paguajnë disa policë.

Në Golem e kemi betejën pak më të hapur, e kemi betejë urbanistike, por e kemi edhe cështje rivendosjeje të ligjit. Ata të cilët marrin përsipër për të zhvilluar turizmin dhe në emër të zhvillimit e shkatërrojnë turizmin, do të përballen me ligjin, jo vetëm në Golem, por në të giitha zonat. Në të kundërt, nuk mund të ketë zhvillim, por vetëm kaos, një sulm i tërbuar kundër territorit. Ne nuk mund të pranojmë ekonominë kriminale.

Unë kam respekt të madh për kontributin e ndërtuesve, por është i domosdoshëm një kod etik për ndërtuesit, sepse ne ju mbështesim, ne kemi respekt të madh për punën tuaj. Ky është një nder për dinjitetin personal në radhë të parë. Sot është koha që të marrë secili përgjegjësitë e tij dhe jam plotësisht i bindur se partneriteti me ju është shumë i çmuar, por ai duhet të jetë serioz. Sepse ligjin e bëmë siç ju e deshët dhe Shoqata e Ndërtuesve duhet të ishte avokati kryesor i tij. Qeveria ju ka mbështetur dhe do të vazhdojë t'ju mbështesë, por edhe ju duhet të tregoheni si një faktor i fuqishëm".

* * *

U miratua një ndryshim në Planin Rregullues të qytetit të Tiranës, në lidhje me ndryshimin në zonimin funksional në disa zona të qytetit, miratuar me vendimet e KRT-së së Bashkisë Tiranë, nr. 94, datë 3.06.2006 dhe nr. 132 datë 8.06.2006.

• Zona e ish Uzinës "Partizani" dhe ish Fabrikës së Këpucëve, ndryshohet nga zonë industriale në zonë banimi.
• Zona në rrugën "Don Bosko", ndryshohet nga zonë industriale në zonë banimi.
• Zona në rrugën "Margarita Tutulani" dhe "Sami Frashëri", ndryshohet nga zonë sportive në zonë banimi.
• Zona në veri të Kopshtit Zoologjik", ndryshohet nga zonë sportive në zonë banimi, me propozimin që nyja e kryqëzimit të unazës së madhe të realizohet sipas variantit të paraqitur nga Instituti i Urbanistikës dhe Institutit të Transportit.
• Zona në rrugën "Frosina Plaku", ndryshohet nga zonë sportive në zonë banimi

Duke iu përgjigjur shqetësimit për ruajtjen e hapësirave të gjelbëra në këto ndryshime, Kryeministri Berisha theksoi: "Ne jemi përpjekur shumë dhe siç e dini ka patur një reagim të rëndësishëm që u shndërrua në një lloj kundërshtie midis KRTRSH-së dhe Bashkisë, por që solli në një farë mënyre reduktimin e lejeve të ndërtimit. Dhe për këtë Shoqata e ndërtuesve ka ngritur zërin. Nuk mund të them se kjo nuk ka patur një impakt jo pozitiv, në pritje të planit rregullues të Tiranës, të cilin kryetari Bashkisë e shtyu pambarimisht derisa po ikën pa e realizuar atë, duke u anulluar nga Banka Botërore në mënyrë të përsëritur tenderat.

Sigurisht në këto ndryshime është marrë në konsideratë cështja e gjelbërimit. Kjo KRTRSH ka vendosur që gjithë zonën e aeroportit, rreth 6 hektar, ta shndërrojë në lulishte, sikundër edhe "gropa e famshme" e mbetur aty prej 15 vitesh, me kontributin e shoqatës së ndërtuesve, u arrit që të shndërrohet në një lulishte dhe të zgjerohen kapacitetet. Po kështu, zona e Zogut të Zi, ku bunkieri u zëvendësua edhe me një hapësirë të gjelbër.

Por nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se duhet të merren parasysh edhe problematikat e kompanive të ndërtimit të cilat kanë rënë në një situatë të vështirë, edhe për faktin sepse punëtorët u janë larguar masivisht dhe kanë shkuar në legalizime. Pra, nuk mund të mohohet se ka një presion tregu mbi ta. Ne jemi të interesuar që të gjithë të ecin të sigurt në punën e tyre. Ligji i legalizimeve bëri që të spostohen shumë gjëra, por edhe cënimi i këtyre kompanive, të cilat kanë bërë investimet e tyre, që kanë ekespertizën e tyre, është shumë i padëshirueshëm për vendin. Ndaj mendoj që t'i miratojmë këto ndryshime, duke ruajtur gjithnjë të drejtën e një nxitjeje sa më shpejt të Planit të përgjithshëm rregullues për qytetin e Tiranës.

* * *

U miratua "një ndryshim në Planin rregullues të qytetit të Kavajës për territorin me sipërfaqe 64884 m2 të ish Rezervave të Shtetit, nga "zonë e parqeve, lulishteve, terren sportive, terren i shërbimeve ushtarate, terren artizanat", në "zonë banimi" dhe "zonë spitalore".

* * *

U miratua vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit për objektin "Fabrika e tullave dhe tjegullave" në fshatin Karpen, komuna Maminas.

* * *

U miratua vendimi për sheh dhe leje ndërtimi për ndërtimin e nënstacionit elektrik 220/110/35/20 kv në Koplik-Shkodër, si dhe vendimi për shesh dhe leje ndërtimi për ndërtimin e nënstacionit elektrik 110/20 kv në Bushat-Shkodër.

* * *

U miratua vendimi për dhënien e lejes për fazën e dytë të fshatit turistik në parcelën nr. 14 në zonën turistike Golem, për shoqërinë "Mak Albania".

* * *

U miratua vendimi për shfuqizimin e disa vendimeve të miratuara nga KRT-ja e komunës Dajt për dhënien e lejeve të ndërtimi në lagjen Qesarakë, komuna Dajt.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›