Në përfundim të mbledhjes së saj, Kryesia e PSSH-së duke zbatuar detyrat e saj përfaqësuese dhe mbështetur në Programin e Veprimit Politik të socialistëve për vitin 2004, në marrëveshjen
Në përfundim të mbledhjes së saj, Kryesia e PSSH-së duke zbatuar detyrat e saj përfaqësuese dhe mbështetur në Programin e Veprimit Politik të socialistëve për vitin 2004, në marrëveshjen e Koalicionit për Integrim, si dhe në Platformën e Kuvendimit të Madh të 2004 me të gjithë shtetasit, në respekt të Kushtetutës dhe përgjegjësive që kemi marrë me votën e lirë të tyre për të ushtruar mandatin qeverisës deri në 2005, mori në shqyrtim situatën politike, ekonomike dhe sociale, mbështetur në konkluzionet e analizave politike që kryen aktivet tona në rrethe, të cilat i hapën rrugën një procesi llogaridhënës gjatë fushatës së zgjedhjeve në forumet tona vendore, krahas Kuvendimit të Madh me të gjithë shtetasit për trasparencën dhe përmirësimin e qeverisjes.
Kryesia e PSSH-së, duke vlerësuar:
• mbështetjen politike të njëzëshme që aktivet e përfaqësuesve tanë nëpër rrethe i dhanë Qeverisë, programeve që po zbatohen dhe reformave që po zhvillohen;
• duke theksuar nevojën për përshpejtimin e tyre në funksion të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të sipërmarrjes së shtetasve, të konsolidimit të shtetit ligjor, të rritjes së standarteve të sigurisë dhe të rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin apo detyrën në të gjitha nivelet, të rritjes së trasparencës ndaj publikut në funksion të pjesëmarrjes më të drejtëpërdrejtë të shtetasve në qeverisje, konkludoi:
1. Në miratimin e një Pakete të posaçme të veprimeve politike dhe qeverisëse në shërbim të zbatimit më të mirë dhe më efikas të Programit Politik të vitit 2004, i cili ngarkon me detyra specifike përfaqësuesit tanë në ekzekutiv, në legjislativ, në pushtetin vendor dhe në forumet drejtuese vendore dhe qendrore të socialistëve, sëbashku me Koalicionin për Integrim me të cilët do të ndajmë të njëjtat përgjegjësi edhe në këtë rast.
2. Kryesia e PSSH-së fton të gjithë anëtarësinë dhe simpatizantët e saj të reflektojnë me përgjegjësi dhe përkushtim mbi rolin e socialistëve dhe progresistëve në këtë proces të analizave në funksion të përtëritjes me zgjedhje të forumeve tona vendore dhe kombëtare deri në zgjedhjet e ardhshme. Politikat dhe strategjitë kombëtare të zhvillimit dhe të integrimit miratohen në Tiranë, por hartohen dhe zbatohen në çdo komunë dhe bashki dhe për komunitetet përkatëse. Prandaj suksesi i reformave në vlerësimin e socialistëve varet në një masë të konsiderueshme nga efektiviteti dhe militantizmi atdhetar europeist i forumeve përfaqësuese vendore, nga aftësia për t'u hapur ndaj forcave të koalicionit dhe faktorëve të tjerë të progresit ekonomik dhe shoqëror në vend.
3. Kryesia e PSSH-së i kërkon anëtarësisë të përzgjedhë në krye të forumeve vendore individë dhe personalitete të spikatur publikë, që kanë dhënë prova të mjaftueshme për përkushtim dhe rezultate në detyrat përfaqësuese, për ndershmëri, për nxitje dhe zbatim të punëve në frymë ekipi, për kohezion dhe disiplinë politike. Në të kundërt, Kryesia do të përdorë të drejtat e saj Statutore për të ndalur cilindo individ apo grup që përpiqet të shfrytëzojë trafiqe influencash për të përfituar një mandat përfaqësimi politik të pamerituar.
4. Kryesia e PSSH-së vlerëson se interesat e stabilitetit, të progresit të vendit dhe të reformave, si dhe objektivat e maxhorancës dhe të misionit të saj për modernizimin dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisdë nuk mund të rrezikohen nga njerëz të papërgjegjshëm që mandati politik apo përfaqësues, detyrat si administratorë publikë etj. i shndërrojnë në mjete për përfitime të paligjshme private, të cilëve u mungon vullneti apo aftësia për ta përdorur mandatin përfaqëses në dobi të përshpejtimit të reformave kombëtare rajonale apo lokale për zhvillim. Nuk mund të zhvillohet me njerëz që nuk e meritojnë besimin dhe mbështetjen e shtetasve ndaj socialistëve reformatorë dhe aleatëve të tyre progresistë.
5. Duke vlerësuar arritjet e derisotme të punës së Qeverisë, Kryesia e PSSH-së nxit dhe mbështet veprimet e saj për thellimin e reformave të Stabilizim Asociimit dhe zbutjen e efekteve sociale që rrjedhin prej tyre, duke stimuluar protagonistët e suksesit dhe ndëshkuar abuzuesit apo individët e paaftë në detyra publike nga dikasteret e deri në administratat vendore të nomenklaturës së saj.
6. Kryesia e PSSH-së nxit përfaqësuesit e saj në legjislativ të intensifikojnë veprimin politik në shërbim të përshpejtimit të reformave ligjore që përputhen me prioritetet e programit të Qeverisë dhe në angazhimet e vendit në procesin e integrimit euroatlantik, në optikën e dy Samiteve të mëdha: ai i Presidencës irlandeze të BE-së dhe ai i NATO-s në Stamboll në fund të qershorit. Kryesia e PSSH nxit deputetët e saj të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit e tyre, me përfaqësuesit e sipërmarrjes, të grupeve të interesave, të shoqërisë civile, të ekspertëve dhe profesionistëve, të medias kombëtare e lokale etj., duke angazhuar sipas një programi të hartuar për çdo zonë zgjedhore përfaqësuesit tanë në ekzekutiv apo forumet qendrore e vendore të Partisë dhe të administratës publike në procesin e Kuvendimit të Madh me njerëzit.
7. Kryesia e PSSH nxit Qeverinë, si dhe përfaqësuesit e saj në legjislativ dhe pushtetin vendor të programojnë një bashkëpunim institucional dhe në rritje me shoqërinë civile, me komunitetin e biznesit, me sindikatat si dhe një program specifik të marrëdhënieve me publikun me kontakte të drejtpërdrejta partneriteti dhe trasparence në të gjithë Shqipërinë, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e komunitetit mediatik në funksion të reformave dhe zhvillimeve progresive në vend.
8. Në emër të PSSH-së, Kryesia shpreh gadishmërinë për të inicuar dhe për t'u angazhuar në çdo proces bipartizan apo konsensual të spektrit politik parlamentar në funksion të përshpejtimit të reformave që modernizojnë dhe integrojnë më shpejt vendin në realitetet globale.
9. Kryesia e PSSH-së nxit Qeverinë dhe Grupin e saj parlamentar të vlerësojnë çdo propozim që vjen nga forca progresiste politike të çfarëdo ngjyre, kur në thelb kanë rritjen e standarteve ligjore dhe demokratike të funksionimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjen dhe realizimin e interesave legjitime të shtetasve apo sipërmarrjeve dhe interesat kombëtare të vendit. Njëkohësisht ne jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin edhe për çështje sensitive si reforma zgjedhore dhe infrastruktura e saj, reforma mbi kthimin dhe kompensimin e pronave dhe për trajtimin e merituar të shtresës së të përndjekurve politikë.
10. Kryesia e PSSH-së fton gjithë opozitën që në vend të provokimit të disa zgjidhjeve të përkohshme, të sforcuara dhe artificiale, që kanë rezultuar të dështuara edhe në dëm të progresit të vendit në të kaluarën, t'i përgjigjet ftesës sonë të përsëritur për të thelluar bashkëpunimin institucional për çështje me interes kombëtar siç janë integrimi i Shqipërisë në BE dhe NATO, duke hartuar sëbashku dhe nënshkruar një Pakt Stabiliteti për reforma të integrimit euroatlantik.
Më pas Kryeministri Nano iu përgjigj interesimit të medias nëse do të ketë ndonjë marrëveshje të re me opozitën për zgjedhjet e ardhshme. Lidhur me këtë çështje z. Nano tha:
"Sapo shpreha gadishmërinë e PSSH-së dhe të Kryetarit të saj për t'u bërë inisiatorë apo bashkëveprues në dialog a marrëveshje, të cilat i çojmë deri në stabilitet për reformat e integrimit euroatlantik, me cilindo në spektrin parlamentar legjitim që është realisht i interesuar për progresin dhe përshpejtimin e zhvillimit të vendit në këtë drejtim".