E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne po amerikanizojmë Evropën

Mark Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera


Për mirë a për keq, ne po vazhdojmë t'i japim mend Evropës. Kemi më tepër se një shekull e një çerek që po mbajmë vendin e mësuesit. Neve nuk na vuri njeri në atë vend, po e morëm vetë. Ne jemi bij të racës anglo-saksone.


Në një gosti të dhënë dimrin e kaluar nga organizata e vetëquajtur "Qëllimet e Klubit Botëror", kryetari i saj, një oficer i lartë i ushtrisë, i dalë në pension, tha me zë të lartë dhe me zjarr, këto fjalë: "Ne jemi bij të racës anglo-saksone dhe kur anglo-saksoni dëshiron një gjë, ai e merr menjëherë".
Kjo shprehje u duartrokit me ushtimë të madhe.


Në atë darkë merrnin pjesë nja shtatëdhjetë e pesë civilë, dhe nja njëzet e pesë ushtarakë, të këmbësorisë dhe të flotës.


U deshën gati dy minuta që të pushonin brohoritjet e stuhishme për admirimin e këtyre fjalëve të mëdha; ndërkohë, profeti i frymëzuar që i nxori ato nga mushkëritë, nga zorrët ose nga barku, ose ngado që i kish pasur, qëndronte duke buzëqeshur dhe duke lëshuar rreze lumturie nga të gjitha poret e trupit.


Kjo shprehje e lartë e këtij ushtaraku, duke e gjykuar nga pamja e fytyrës së tij, me fjalë të thjeshta, ka këtë kuptim: "Englezët dhe amerikanët janë kusarë, rrugaçë, piratë, dhe ne jemi kryelartë që i kemi të gjitha këto cilësi".


Nga të gjithë ata englezë dhe amerikanë që ndodheshin atje, s'u bë një për burrë që të ngrihej e të thoshte se i vjen turp që të quhet anglo-sakson dhe pjesëtar i racës njerëzore, meqenëse raca njerëzore banon pranë turpit anglo-sakson.


As unë nuk e kreva këtë detyrë. Nuk isha në gjendje të humbisja gjakftohtësinë dhe të bëja një paraqitje të karakterit dhe të moralit tim të drejtë për t'i mësuar kësaj klase foshnjarake, të zhytur në turp, parimet themelore të mirësjelljes, sepse ajo nuk do të arrinte t'i bluante, nuk do të arrinte t'i kuptonte.


Ishte një gjë e mahnitshme të shihje atë shpërthim entuziazmi të përzemërt, të ndershëm e të gëzuar kundrejt atyre fjalëve të qelbura të profecisë së atij ushtaraku. Dukej si një zbulim i pabesueshëm, si një ndjenjë e fshehtë e zemrës së kombit, e dalë në shesh dhe e shprehur rastësisht, sepse në këtë mbledhje merrnin pjesë përfaqësues të shumë shtresave.


Aty ishin të pranishëm të gjithë mekanizmat kryesore që përbëjnë atë makinë, e cila nget përpara dhe gjallëron qytetërimin kombëtar, - avokatë, bankierë, tregtarë, fabrikantë gazetarë, politikanë, ushtarakë, marinarë, - të gjithë ndodheshin atje.


Me një fjalë, aty ishin vetë Shtetet e Bashkuara, të mbledhura në një gosti, me të drejtë që të flisnin në emër të kombit dhe t'i parashtronin popullit pikëpamjet e tyre morale.


Motua popullore është kjo: "I besojmë Zotit", dhe kur i shikojmë këto fjalë mirëdashëse të shkruara mbi monedhën e dollarit (që vlen gjashtëdhjetë qindarka) ato duket sikur dridhen e ngashërehen nga një ndjenjë e perëndishme. Kjo është motua jonë popullore. Po motua jonë private është kjo: "Kur anglo-saksoni dëshiron një gjë, ai e merr menjëherë".


Morali ynë popullor shprehet në natë moton e urtë, njerëzore dhe madhështore, e cila tregon se ne jemi një komb vëllezërish të shumtë e të dashur, të bashkuar në një të vetëm - "e pluribus urrum" (Një i përbërë nga shumë, moto e SHBA-së). Kurse morali ynë privat frymëzohet nga fjala e shenjtë "Eja, ec burrërisht!"


Ne e importuam imperializmin nga Evropa monarkike, gjithashtu edhe kuptimin e patriotizmit, - domethënë në rast se kemi ndonjë parim patriotizmi që mund të përcaktohet e të kuptohet. E kemi, pra, për detyrë që t'ia shpërblejmë Evropës këto mësime që na ka dhënë.
Qysh atëherë ne i kemi dhënë Evropës shumë mësime.


Pa ne Evropa nuk do të dinte të jepte intervista; pa ne shumë shtete evropiane nuk do t'i kishin gëzuar të mirat e taksave të larta; pa ne Trusti Evropian i Nozullimeve nuk do ta kishte përvetësuar artin e helmimit të botës për të fituar para; pa ne Trusti i sigurimeve, nuk do dinte se si të nxirrte fitime nga të vejat dhe jetimët; pa ne, rifillimi i gazetarisë së Verdhë në Evropë, mund të ishte vonuar për shumë breza. Ne po e amerikanizojmë Evropën me ngulm e pa ndërprerje, dhe këtë detyrë do ta plotësojmë në kohën e duhur.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›