Në postperëndim pa hyrë në perëndim
Preç Zogaj
Nëse nuk është legjendë- dhe kam bindjen se nuk është legjendë- ëndrra europiane e shumicës dërmuese të shqiptarëve duhet të jetë provokuar e tallur sërish nga kryeministri Berisha, kur deklaroi në Budapest në fillim të javës se po përgatit një paketë të re reformash për të përshtatur ekonominë shqiptare me një botë postperendimore.
Tallja qëndron në faktin se Shqipëria spo merr dot ftesën e vendit kandidat në BE, ska prekur ende standartin perendimor të demokracisë dhe ekonomisë së tregut , ska provuar ende përparësitë e rregullave të lojës dhe frytet e sundimit të ligjit si kushti numër një i përparimit, me fjalë të tjera është akoma të kthesa e Rrogozhinës, siç do thoshte Fan Noli, kur ja, në djegie të etapave, me një fluturim pindarik , kryeministri thotë se po mendon ta hedhë direkt e në postperendim. Po çfarë është postperendimi? A ekziston si koncept? Ku konsiston domethënia e tij politike, ekonomike dhe kulturore?
Çfarë do të ketë të përbashkët dhe çfarë do të ketë të ndryshme nga Perendimi i sotëm? Çfarë do të trashëgojë, çfarë do të mohojë dhe çfarë do të reformojë nga e kaluara ? A është postperendimi e nesermja e Europës dhe e SHBA-së? Nëse po, kur afërsisht mund të hyjnë këto qytetërime në epokën e postperendimit? A po flet kush, a po shkruan kush dhe a po konkuron kush në Gjermani, në Francë, në SHBA, në Spanjë, në Kanada e tjerë me termat e kësaj epoke në horizont? Apo postperendimi nuk ka të bëjë fare me vendet demokratike euroatllantike, por është thjesht një eufemizëm për të emertuar modelin antiperendimor të zhvillimit në rregjimet kleptokratike dhe plutokratike të ish Bashkimit Sovjetik e gjetkë?
Mos prisni ndonjë shpjegim nga Berisha për të gjitha këto. Postperëndimi për të është piksëpari një parullë boshe për të dribluar sa të jetë e mundur dështimin e bujshëm të qeverisë së tij me objektivat e integrimit europian, duke spekulluar me krizën ekonomike që ka përfshirë vitet e fundit disa vende europiane dhe SHBA-në. Europianizimi që se arritëm dot po digjet si etapë! Shpëtuam! Po bëhemi njëlloj, si ne që nuk arritëm kurrë si ata që ishin të parët. Por ne kemi shanse të kapim kohën e humbur dhe të jemi para të tjerëve në postperendim! Për këtë po punojmë! Ky është zbërthimi i fabulës.Duket si shajni nga ato që përfundojmë me shprehjen përrallë thashë, gjë tregova, hipa në shkallë e fluturova.
Mirëpo publiku shqiptar aspiron integrimin dhe pret nga kryeministri dhe qeveria e tij të punojnë e të shërbejnë vetëm këtë aspiratë. Njerëzit, edhe në Shqipëri, janë bindur se kriza që ka përfshirë disa vende europiane është pasojë e gabimeve në menaxhimin e resurseve financiare dhe jo e dështimit të kolonave kryesore të sistemit demokratik. Në këtë kuptim nuk ka dhe nuk pritet të ketë një periudhë postpetendimore që të përfaqësojë ikjen nga parimet e shoqërisë së hapur e të lirë. Zoti Berisha lodhet kot të ëndërrojë për vendin e tij një të pasneserme pa të sotme dhe të neserme . Në rendin e ditës për të dhe qeverinë e tij janë kriteret e marrjes së statusit të vendit kandidat. Pasi të marrim ftesën fillon beteja tjetër e gjatë e anëtarësimit në BE me detyra më të rënda se këto që nuk po bëjnë dot prej tre vjetësh. Është shumë larg, sështë fare punë për ne kjo e postperendimit, që studiojnë dhe projektojnë futurolëgët në SHBA apo gjetkë.
Përveçse një parullë për të relativizuar e zhurmuar dështimin me integrimin europian, postperendimi i pazbërthyer si term, I lënë ashtu evaziv me qëllim, ka edhe kuptimin e një hedhje dorashke ndaj Brukselit. Sidomos kur thuhet përkrah një kryeministri problematik dhe mjaft të kritikuar nga Europa siç është kryeministri hungarez, Urban. Hungaria, vend anetar i BE-së prej shumë vitesh, u paguan një çmim flaterive izolacioniste dhe autoritariste të kryeministrit të saj të radhës, por çmund të themi për Shqipërinë që është kaq larg BE-së! Vonesa apo mosdashja për të hyrë në Europë nuk mbulohet me ikje nga Europa, me tundime për të lidhur aleanca voluntariste jashtë perendimit. Integrimi europianoperendimor është kursi i popullit shqiptar.
Asnjë politikan nuk ka të drejtë të shkojë kundër këtij kursi për interesat e veta; askush në qeveri apo në opozitë nuk ka të drejtë të investohet në forma të ndryshme për ftohjen e marrëdhënieve të vendit me SHBA-në dhe Europën pa marrë më parë miratimin me votë popullore për atë që kërkon të bëjë. Ftohja e kryeministrit me Perendimin, pasi është votuar si përëndimor është një abuzim i pastër me pushtetin.
Qeveria nuk po i përmbush dot detyrat e saj të integrimit dhe prandaj arratiset në sfida qesharake që as i ka kush në listë si kjo e postperendimit, as i kërkohen kujt në formë kushti, siç ishte thagma e ministres së integrimit e cila ftoj palën europiane të vendosë heqjen e imunitetit si kusht për pranimin e Shqipërisë në BE! Më katolike se Papa qeveria e Tiranës. Pasi nuk ka plotësuar dot kushtet normale që i ka vënë Europa, kërkon prej saj ti vihet një kusht shtesë, por një kusht i tillë që në një anë ka shijen e servilizmave dhe sektarizmave të shpifura të bazës për qendrën në kohën e komunizmit, nga ana tjetër ka edhe shijen e fyerjes së Europës nga dëshira e mirë.
Një zyrtar i Brukselit, i pranishëm në konferencën e Ministres, e mori në menyrë sportive dhe mirë bëri, përndryshe do ti duhej të përgjigjej zgjidheni me njëri tjetrin çeshtjen e imunitetit zonja dhe zotërinj, nuk çalon gomari nga veshët, nuk kemi parë që ndëshkueshëmëria si problem madhor në Shqiëpri të jetë penguar nga heqja e imuniteteve, tjetërkund është penguar, ju e dini mirë se ku; Europa nuk i vë një vendi kushte që nuk ia ka vënë asnjë vendi tjetër; për ne keni mjaft këto që keni, përmbushini këto dhe ejani të merrni statusin.
Një fjalë goje. Por qeveria Berisha i është qepur postperendimores. Pa kaluar fare nga perendimorja.