E Diel, 1 Nëntor 2026

Në prag të natës së dytë të Fest 64, kompozitori Klodian Qafoku: Muzika folklorike po frymëzon gjithmonë e më shumë artistë të rinj

Pak orë na ndajnë nga nata e dytë e Festivalit të 64-ët të Këngës në RTSH, ku 14 artistë të tjerë do të ngjiten në skenën madhështore në Pallatin e Kongreseve. Në këtë natë nuk do të ketë në garë vetëm emra të njohur të muzikës shqiptare, por edhe artistë të rinj.

Gjithashtu Fest 64 rikthen pas 10 vitesh si kompozitori Klodian Qafokun, i cili ka kompozuar këngën “Përtej shpirtit” të këngëtares së re Malvina Likaj.

“Kam 10 vite që kam pasur një periudhë pauze si pjesëmarrës, që nga dalja ime e fundit në vitin 2015 me Linda Halimin, ku morëm çmimin e parë. Gjatë këtyre viteve kam qenë pjesë e festivaleve si producent dhe orkestrues, ndërsa këtë vit rikthehem si kompozitor me Malvina Likaj”, u shpreh Qafoku për emisionin “Në kohë reale” në RTSH.

Ai vëren se një pjesë e madhe e artistëve të rinj po frymëzohen nga muzika folklorike shqiptare, çka sipas tij dëshmon forcën dhe ndikimin e traditës muzikore.

“Rreth 80 për qind e këngëve të artistëve të rinj bazohen në motive folklorike. Kjo tregon se muzika jonë është frymëzuese dhe se duhet të ngremë edhe më shumë vlerat e folklorit shqiptar. Edhe unë këtë vit jam frymëzuar nga një këngë e vjetër folklorike”, tha ai.

Sipas Qafokut, më e rëndësishmja në Festivalin e Këngës është pjesëmarrja e fortë dhe një performancë dinjitoze, ndërsa çmimet mbeten në dorën e jurisë dhe publikut.

“Skena është e njëjtë për të gjithë këngëtarët dhe krijuesit. Të gjithë janë të barabartë”, përfundoi kompozitori.

Nata e dytë e festivalit të këngës në RTSH do të sjellë surpriza të shumta, performanca emocionuese nga emra të njohur të artit dhe muzikës për t’i dhuruar publikut momente magjike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›