E Diel, 1 Nëntor 2026

Prapaskenat e Fest 64/ Evi Reçi: Është festivali që po shijoj më shumë

Emocionet e vërteta të Festivalit të Këngës në RTSH nuk ndalen vetëm në skenë apo përpara kamerave, por vijojnë edhe në prapaskenë. Pikërisht aty, larg dritave të skenës, këngëtarët ndajnë emocionet e tyre më të sinqerta, pritshmëritë, ankthin dhe gëzimin, si edhe vlerësimet apo kritikat që marrin për performancat e tyre.

Këto momente të veçanta me artistët i sjellin për publikun moderatorët Andri Xhahu dhe Antoneta Koci, të cilët i shoqërojnë këngëtarët para dhe pas daljes në skenë, në çastet më të ndjeshme të këtij rrugëtimi artistik.

Evi Reçi, e cila këtë vit garon me këngën “Kodi i Jetës”, konkurron e fundit natën e dytë të Fest 64.

“Pritja është e bukur. Unë mbyll garën, këndoj e fundit në natën e dytë dhe është festivali që po e shijoj më shumë”, u shpreh ajo.

Evi Reçi u shfaq e shoqëruar nga partneri i saj dhe familjarët, të cilët ajo i konsideron si mbështetjen dhe motivimin e saj më të madh gjatë këtij rrugëtimi artistik.

Ndërkohë, Kledi, partneri i saj, vlerësoi qetësinë dhe emocionin që përcjell kënga.

“Duke parë provat, qetësia që ajo shfaq më jep edhe mua qetësi në shpirt. Kënga më pëlqen shumë dhe është shumë emocionuese edhe për mua”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›