Në pranga 9 truproje të Vulinit

Nëntë persona për të cilët thuhet se janë truproje të Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, janë arrestuar sot në Graqanicë, pasi që të njëjtit për Policinë e Kosovës kanë paraqitur rrezik.
Të dyshuarit, me dy vetura civile, po u shkonin pas veturave zyrtare të Policisë së Kosovës të cilat ishin në përcjellje të Vulinit.
“Për shkaqe të sigurisë dhe personalitetit që ka policia në përcjellje, sot në Graqanicë janë arrestuar nëntë persona dhe për të njëjtit është informuar prokurori publik i cili ka urdhëruar intervistimin dhe legjitimimin e tyre”, ka thënë për Indeksonline një zyrtar brenda policisë së Kosovës.
Ai ka deklaruar se të arrestuarit ndodhen në lokalet e Policisë në Prishtinë dhe ndaj tyre ende nuk është marrë një vendim për ndalim policor apo për gjyq në procedurë të shpejtë.
Policia nuk din nëse të njëjtit zyrtarisht janë truproje apo të ndonjë organizate serbe, mirëpo hetimet ndaj tyre ende po vazhdojnë.
E në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, u ka thënë mediave serbe se janë arrestuar disa persona për shkak se kanë bartur simbole të atë ashtuquajturës “Mbrojtje civile serbe.” Ata kanë qenë në shoqërim të shefit serb të zyrës për Kosovën Aleksandër Vulin. Zyrtarë serbë e kanë konsideruar këtë arrestim si “provokim të rëndë"./V.K/Indeksonline/