E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në qeli prej tetorit, Meta mbërrin në SPAK nga tuneli që lidhet me burgun 313! Nis marrja në pyetje

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nga qelia 313. Ai është shoqëruar përmes tunelit që lidh burgun me SPAK.

Meta do të merret në pyetje lidhur me çështjen  e CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA.

Ai është thirrur të jetë në SPAK në prani të avokatit mbrojtës.

Ish-presidenti u arrestua në 21 tetor të 2024 dhe ndodhet në qeli nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Ai u arrestua me urdhër të SPAK nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.

Prokuroria e Posaçme thotë se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.

Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›