Ne qershor nis shpimi i pusit te ri ne Shpirag
Pas pak ditësh kompania hidrokarbure “Petromanas” do të nisë shpimin e një pusi të ri në zonën e Shpiragut në qarkun e Beratit duke shënuar kështu zgjerimin e aktivitetit të saj në zonat e reja naftëmbajtëse në Shqipëri. Burime pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve natyrore bëjnë me dije se në muajin qershor kompania kanadeze që operon në Shqipëri sëbashku edhe me holandezen “Royall Dutch Shell” do të nis punën për shpimin e pusit të naftës në Shpirag, në afërsi të fshatit Mbjeshovë, komuna Sinjë në Berat, ku do të investohen rreth 50 milionë dollarë. “Petromanas” ka deklaruar se do të investojë në vendin tonë gjatë këtij viti gjithsej 83 milionë dollarë duke kontribuar kështu edhe në hapjen e 600 vendeve të reja të punës. Ndërkohë që ka garantuar se janë marrë të gjitha masat për të siguruar punonjësit dhe ambientin në rastin e zhvillimit të investimeve në zonat e reja, naftëmbajtëse. Kërkimi i naftës do të operohet përmes shpimit të puseve të reja në zona të tjera të vendit përvec Beratit sic janë Elbasani dhe nën zona mes Shkodrës dhe Lezhës. Konkretisht sipas kompanisë në zonën e Lezhës është projektuar që të nis shpimi i pusit të dytë të naftës në muajin dhjetor të këtij viti, ndërkohë që në Elbasan do të shpojë pusin e tretë në muajin mars të vitit të ardhshëm. Kompania Petromanas Energy ka lidhur që në vitin 2009 një marrëveshje hidrokarbure për blloqet e kërkimit 2 dhe 3 me shtetin shqiptar. Të dy kompanitë hodrokarbure lidere në botë “Petromanas” dhe “Shell” kanë si objektiv kryesor zgjerimin e hartës për puset e reja të naftës në Shqipëri duke deklaruar se ky vit do të jetë një vit zbulimi.