“Në qytet pa makinën time”, Sequi: Mjedisi me rëndësi, jini europianë

Nën moton “Në qytet pa makinën time” rreth mbi 3400 nxënës, prindër dhe mësues janë bërë pjesë e garës me bicikleta në kryeqytet, aktivitet ky i organizuar nga Ambasada e BE në Tiranë dhe Ministria e Mjedisit. Për një qytet më të pastër dhe një cilësi jete më të mirë për veten dhe fëmijët, qytetarët kanë përqafuar bicikletën për të lënë qoftë dhe për një ditë të vetme makinën në shtëpi.
Ettore Sequi, kreu i diplomacisë së BE në Tiranë, gjatë fjalës së tij e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë ditë, ndërsa shtoi se BE është e angazhuar edhe me finacimin dhe ndërtimin e rrugëve, duke sjellë në vëmendje rrugën pedonale “Murat Toptani”.
“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme. Pjesmarrja e njerëzve duke lëvizur në qytet në mënyrë më racionale eshte me rendesi, të gjejnë mënyra të ndryshme të lëvizjes, të shmangin trafikun dhe ndotjen në mënyrë që të kemi cilësi më të mirë ajri për fëmijët tanë. Ajo është në të mirën e cdo qytetari, kryesisht fëmijëve dhe të rinjve. Le të jemi europianë” tha Sequi.
Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, theksoi se atje ku ka lëvizje, ka jetë.
“Qytetërimi fillon te bicikleta dhe ndalon tek raketa. Dimë të bëjmë ndryshimin dhe ne jemi pjesë e ndryshimit” tha ajo.
Aktiviteti do të vazhdojë dhe me një koncert, pjesë e të cilit do të jenë këngëtarë të njohur të vendit.