Në rajonin e Shkodrës disa zona të prekura nga zjarret

Shkodër, 17 gusht - Stina e verës dhe tempertaturat e larta nuk kanë kaluar pa shfaqje vatrash zjarri në zona të ndryshme të qarkut të Shkodrës, edhe pse ndryshe nga vitet e tjera ato kanë qenë më të pakta. Vetëm në 24 orët e fundit tre zjarre kanë përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe kanë rrezikuar banesa që ndodhen afër tyre. Në komunën Gur i Zi , zjarri i shfaqur në afërsi të xhamisë së fshatit ka përfshirë shkurre e disa pemë dhe është mundur të shuhet nga ndërhyrja e zjarrëfikëseve. Në lagjen Tepe të qytetit të Shkodrës, zjarri ka përfshirë shkurre duke rrezikuar disa banesa pranë. Në mesditën e së martës, kanë qenë varrezat e fshatit Vrakë, në komunën Gruemirë, në Malësi të Madhe, që kanë pësuar dëmtime nga një zjarr i shfaqur në shkurret e bimësinë pranë tyre . Ndërhyrjet e zjarrëfikëseve i kanë lokalizuar dhe shuar këto zjarre pasi ato kanë qenë në zona fushore ku mjetet kanë mundur të afrohen, ndërsa mbeten akoma të pazbuluara shkaqet e rënies së tyre. Përveç këtyre rasteve, nuk kanë munguar dhe telefonatat e gënjeshtërta në numrin e zjarrëfikëseve që lajmërojnë për zjarre pa patur të tillë. Kështu vetëm gjatë të hënës, shërbimi zjarrëfikës raporton se ka patur 5 telefonata për zjarr në zonën e banuar pas urës së Bunës , dhe në të gjitha rastet mjetet zjarrëfikëse kanë shkuar dhe kanë evidentuar se njoftimi ka qenë i rremë .