E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rëntgen të Brukselit

Komisari për Zgjerim, Stefan Fule lansoi studimin e fizibilitetit me të cilin synohet që Kosova të shkojë drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ai porositi autoritetet kosovare që të punojnë në çështjen e tregtisë, reformën e administratës publike, sundimin e ligjit, derisa kërkoi edhe konsensus të spektrit politik. Zyrtari europian tha se Brukseli këtë vit do të përpiqet të bëjë progres vendimtar rreth çështjes së vizave dhe pjesëmarrjes së Kosovës në programet e BE’së.

U prit në mënyrë ceremoniale, e i tillë ishte edhe kumtimi i lajmit që ishte paralajmëruar edhe më herët.

Komisari Europian për Zgjerim, Stefan Fule, ka lansuar të martën fillimin e studimit të fizibilitetit të Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim- sociimit.

E, këtë ai e bëri pikërisht në mbledhjen inauguruese të Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane të Presidentes së shtetit, Atifete Jahjaga.

“Studimi i fizibiltetit do të bëjë një bilanc se ku qëndron Kosova përgjithësisht në kuptim të përafrimit ekonomik, politik dhe legal dhe do të vlerësojë se çka duhet të bëjë Kosova më tutje që të jetë në një pozicion që të negociojë dhe të implementojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, për të cilën tregtia do të jetë komponenta kyçe. Ne po ashtu do të shikojmë edhe aspektet legale të një marrëveshjeje me Kosovën”, ka thënë Fule.

“Jam i gëzuar që po marr pjesë në takimin e parë të Këshillit për Integrime Europiane sot. E mirëpres këtë qasje inkluzive, pasi që është esenciale për përshpejtimin e progresit të Kosovës drejt Bashkimit Europian. Ne formalisht kemi lansuar studimin e fizibilitetit për marrëveshjen për stabilizim-asociim me Kosovën. Kjo e shtyn agjendën europiane për Kosovën përpara”, ka shtuar Komisari Fule pas mbledhjes së Këshillit.

E, sikurse krejt zyrtarët europianë që vijnë në Kosovë, Fule ka përsëritur ritualin e porosive për lidershipin kosovar.

“Kosova duhet të fokusohet në çështje të cilat kanë relevancë të menjëhershme ndaj studimit të fizibilitetit. Do të doja t’i theksojë disa: tregtia, reforma në administratën publike, reforma elektorale, sundimi i ligjit dhe integrimi i minoriteteve. Është e nevojshme që të sigurohemi që kjo të reflektojë progres maksimal në implementimin e reformave të agjendës europiane”, u shpreh Fule.

Sipas tij, fillimi i studimit të fizibilitetit për Kosovën hap një periudhë të re. Por, nga fjalimi i Fules në konferencën për media ishte vështirë të kuptohet se cila do të jetë periudha e re e Kosovës pas finalizimit të këtij projekti, i cili do të duhej t’ia siguronte Kosovës MSA’në.

“Unë nuk e di se cilat do të jenë gjetjet e studimit, dhe nuk dua të parashikoj se cilat do të jenë rekomandimet dhe gjëja e fundit që dua të bëj është të spekuloj rreth kësaj. Unë shpresoj shumë, për të mirën e kosovarëve, që jo vetëm ne në Bruksel, por edhe ju këtu të fokusoheni në këto hapa me radhë, sepse pa këta hapa kurrë nuk do të mund të merremi me atë që ju pyetët”, iu drejtua Fule mediave.

Ai bëri të ditur se ekipi i parë për të nisur studimin në fushën e tregtisë dhe të zhvillimit ekonomik do të dërgohet në qershor. Ndërkaq, gjatë majit, më pas pritet të dërgohet ekipi i cili do të ketë takime me Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe atë të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi për nisjen e një dialogu të strukturuar për sundimin e ligjit.

Ky zyrtar europian ka thënë ndërkaq se BE’ja ka për qëllim që gjatë këtij viti të bëjë një progres vendimtar në çështjen e tregtisë, vizave dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e Bashkimit Europian.

Por, e pasqaruar nga Fule mbeti plani i BE’së për fazën pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, i cili përafërsisht pritet të përfundojë në vjeshtë të këtij viti.

Studimi i fizibilitetit ka për qëllim identifikimin e fushave ku Kosova duhet të bëjë progres për të marrë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kjo marrëveshje është hapi i parë përmes të cilit synohet të arrihet statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.

Burime të Expressit kanë treguar, në kushte anonimiteti, se gjatë mbledhjes së Këshillit për Integrime Europiane, ka pasur diskutime pikërisht për këtë çështje.

“Ambasadori anglez e ka pyetur Fulen nëse BE’ja ka ndonjë plan se si do t’ia bëjë me ato pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse edhe në rast se Kosova kalon testin e fizibilitetit, ratifikimi i MSA’së nuk bëhet pa pasur raporte pozitive nga të gjitha parlamentet e BE’së. Fule na ka lënë pa përgjigje për këtë”, ka thënë burimi.

Përgjigje Fule nuk pati as për mediat, kur u pyet nëse çështja e Veriut do të bëhet pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai ka thënë se nuk ka marrë një listë konkrete për ato që duhet apo jo të bëhen.

“Nuk kam ardhur me listë konkrete. Kjo varet nga Prishtina, dhe është në dorë të Prishtinës. Unë nuk kam ardhur të imponoj ndonjë agjendë në Prishtinë. Dialogu vetëm ka filluar dhe do të varet nga ajo që Prishtina dhe Beogradi merren vesh”.

Ndërkohë që konsideroi si agjendë të mirë europiane idenë e krijimit të Këshillit Kombëtarë për Integrime Europiane.

Për këtë ka folur edhe Presidentja Jahjaga.

.

“Ky trup ngërthen në vete të gjitha institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile”.

Mirëpo, përveç liderit të LDK’së, Isa Mustafa, në takim nuk ishin prezentë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala.

Takimi përfundoi edhe pa prezencën e tyre, ndërsa Fule iu drejtua kabinetit qeveritar. I shoqëruar nga Ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku, u nis për në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit me këtë të fundit, Fule tha se konsensusi mund ta çojë Kosovën drejt rrugës europiane, duke shtuar se formimi i Këshillit Kombëtar për Integrime do të ndihmojë në përmbushjen e detyrave që ka vendi.

Ndërsa, Thaçi mirëpriti deklaratat e komisarit europian duke premtuar se Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet dhe kriteret e nevojshme demokratike, të cilat i ka para vetes në rrugën europiane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›